Principata e Arbrit, Dukati i Durrësit dhe Despotati i Epirit
Kryqëzata IV (1204) solli një ndryshim rrënjësor të kushteve politike në Perandorinë Bizantine e posaçërisht në viset e saj perëndimore.
“Traktati i ndarjes së tokave”, i nënshkruar nga Venediku e fuqitë e tjera pjesëmarrëse në Kryqëzatë në prag të sulmit përfundimtar mbi Konstandinopojën, parashikonte që një pjesë e mirë e bregdetit shqiptar, prej Durrësit deri poshtë në Prevezë, të kalonte nën sundimin e Venedikut. Në fakt, venecianët arritën ta merrnin Durrësin dhe rrethinat e tij dhe të krijonin një zotërim të tyre të quajtur “dukati i Durrësit”. Por në jug të tij, në temën e dikurshme bizantine të Nikopojës (Epir), venecianët nuk arritën të vendosnin pushtetin e tyre. Që në dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XII një degë e familjes perandorake bizantine të Engjëllorëve kishte siguruar në Epir, veçanërisht në provincën e Vagenetisë (Çamëri), prona të mëdha tokësore dhe kishte ngritur aty një pushtet thuajse të pavarur nga Konstandinopoja. Në këtë mënyrë, menjëherë pas pushtimit të Perandorisë Bizantine nga kryqtarët më 1204, një pinjoll i Engjëllorëve bizantinë, Mihal Engjëlli, djali i qeveritarit të dikurshëm të Epirit, krijoi këtu një zotërim të pavarur. Dokumentet e kohës e quajnë këtë “Despotat i Artës”, sipas kryeqendrës së tij. Në historiografi është bërë zakon të quhet “Despotat i Epirit”. Gjatë historisë së tij më se dy shekullore, Despotati i Epirit e ndryshoi disa herë shtrirjen e tij. Sidoqoftë, bërthama e qëndrueshme territoriale përfaqësohej nga shtrirja e temës së dikurshme bizantine të Nikopojës, e përkufizuar nga malet Akrokeraune (Vetëtimës) në veri, nga gjiri i Artës (Ambrakisë) në jug dhe nga rrjedhja e lumit Vjosa e vargmalet e Pindit në lindje. Deti Jon lagte krahun perëndimor të Despotatit. Përveç kryeqendrës, Artës, qytete e kështjella të tjera të rëndësishme ishin Janina, Ajdonati (Paramithia), Himara, Berati, Kanina dhe për një farë kohe (1213-1253) edhe Durrësi. Shqiptarët përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë së Despotatit në shtrirjen klasike të tij. Po veç shqiptarëve kishte edhe popullsi vllahe, greke e sllave të vendosura kryesisht në viset e Thesalisë, të Maqedonisë e të Etolo-Akarnanisë, që u aneksuan nga despotët e Epirit pas vitit 1216.
Nga pikëpamja e organizimit shtetëror, Despotati i Epirit ishte një shtet bizantin. Në krye të tij qëndronin despotët e familjes perandorake Engjëlli. Këta në aktet dhe në dokumentet zyrtare të tyre shfaqen me emrin e përbërë Engjëll-Duka-Komnen, duke kujtuar kështu lidhjet e Engjëllorëve me dinastitë e tjera bizantine. Vetë sundimtarët e Epirit nuk u pajtuan me statusin e sundimtarit të një province. Ata e mbanin veten për trashëgimtarë të ligjshëm të fronit bizantin dhe në këtë kuptim e konsideronin pushtetin e tyre në Epir si një pikënisje për të restauruar Perandorinë Bizantine, duke dëbuar kryqtarët nga vendet bizantine.
Vitet e para të sundimit despoti Mihali I Engjëlli (1204-1216) ia kushtoi konsolidimit të brendshëm të shtetit të posalindur. Nuk munguan në këtë kohë edhe konfliktet me principatat kryqtare, të krijuara pas vitit 1204 në kufijtë e Despotatit, në mbretërinë lombarde të Selanikut, në dukatin e Athinës dhe në Principatën frënge të Akesë. Me t’u krijuar një gjendje e qëndrueshme në kufijtë me këto formacione, iu vu punës për shtrirjen e Despotatit në drejtim të veriut. Në vitin 1210 Despotati i Epirit i ishte afruar së tepërmi dukatit venecian të Durrësit.
Ndërkaq sundimi i Venedikut në Durrës ishte treguar i paqëndrueshëm. Përpjekjet për ta shtrirë juridiksionin venecian përtej qytetit kishin hasur në kundërshtimin e princit Dhimitër të Arbrit. Fisnikë të Arbrit ishin tashmë zotër të tokave në rrethinat e Durrësit, gjë që shqetësoi jo vetëm pushtetin venecian të Durrësit, por dhe kryepeshkopatën katolike të qytetit, e cila pretendonte se Dhimitri dhe njerëzit e tij kishin okupuar pronat e saj. Me qëllim që të ushtronte presion mbi princin e Arbrit, duka i Venedikut lidhi një aleancë me princin e Dioklesë (Gentës), Gjergjin, i cili zotohej ta ndihmonte Venedikun kundër Dhimitrit. Por ky ndërkaq kishte arritur të bënte për vete papën e fuqishëm Inocenti III, të cilit i premtoi konvertimin e tij, të bujarëve e të popullit të tij në fenë katolike.
I brejtur nga konfliktet me princin e Arbrit, Papatin e me vetë kishën vendase, dukati venecian i Durrësit u tregua i pafuqishëm të përballonte mësymjen nga jugu të despotit të Epirit, të Mihalit I Engjëlli. Në vitin 1210 kufiri midis Despotatit dhe Dukatit venecian të Durrësit ishte vendosur në rrjedhjen e lumit Shkumbin. Atë vit duka Marin Valaresi u takua me despotin Mihal për të biseduar lidhur me vendosjen e një paqeje. Paqja u nënshkrua në verë të atij viti nga duka i Venedikut Pietro Xian dhe despoti Mihali I. Në bazë të saj njihej edhe de jure kufiri i Shkumbinit si caku verior i zotërimeve të Despotatit. Ndërkohë, despot Mihali zotohej të lejonte tregtarët venecianë të tregtonin lirisht, pa taksa e doganë, në tokat e tij dhe t’i mbronte ata nga shtetasit e tij, në rast konflikti me sipërmarrësit venecianë.
Në muajin shtator 1210 venecianët sheshuan edhe mosmarrëveshjet me kishën e Durrësit, duke vënë në krye të saj venecianin Manfred. Në marrëveshjen që nënshkroi me dukën Pietro Xian në shtator të vitit 1210, kryepeshkopi Manfred u betua se do t’i qëndronte besnik Republikës së Venedikut dhe se do të punonte që qytetarët si dhe bashkësia e Durrësit dhe e zonave përreth t’i bindeshin pushtetit venecian.
Megjithatë, shpresat e Venedikut për të ruajtur një minimum pranie në Durrës dhe në rrethinat e tij, pësuan goditjen e fundit më 1213, kur despot Mihali I Engjëlli ia shkëputi atë Republikës së Shën Markut dhe e bashkoi me zotërimet e tij. Ushtria e tij përparoi thellë në veri e më 1215 pushtoi Shkodrën, por shpejt u tërhoq prej andej për t’u vendosur në vijën e Durrësit.
Pushtimi jetëshkurtër i Shkodrës ishte ndërmarrja e fundit ushtarake e despotit Mihali I.
Në rreth 10 vjet të sundimit të tij, shteti i vogël e i dobët epirot, arriti të zgjerohet duke zënë pak a shumë shtrirjen e temave të dikurshme bizantine të Nikopojës e të Durrësit. Përveç kryeqendrës, Artës, despot Mihali parapëlqente si rezidencë të zgjedhur të tij kështjellën e Beratit. Ende sot aty ruhen dëshmi të shumta të punimeve fortifikuese e të ndërtimeve të kultit të ndërmarra në kohën e sundimit të tij. Despot Mihali I vdiq pikërisht në kështjellën e Beratit në vitin 1216 pas një komploti të organizuar nga njerëz të afërt të tij. Pas kësaj në krye të Despotatit u vu i vëllai, Teodori. Nën sundimin e tij Despotati i Epirit arriti shtrirjen e tij më të gjerë. Politika e despotit të ri u orientua kryekëput nga lindja dhe synoi asgjësimin e principatave latine të kryqtarëve në Greqi, në Maqedoni e në Traki, rimëkëmbjen e Perandorisë Bizantine dhe kurorëzimin e tij si perandor i Bizantit. Në këtë kuadër fitoi rëndësi të posaçme kontrolli mbi Durrësin dhe mbi boshtin e Rrugës Mbretërore (Egnatia), i cili hapte rrugën drejt kështjellave të Maqedonisë e Selanikut dhe njëherësh shkëpuste lidhjet jetësore të perandorisë latine të Konstandinopojës ose të mbretërisë lombarde të Selanikut me fuqitë-mëmë të perëndimit. Duke pasur parasysh rëndësinë strategjike të këtij boshti rrugor e veçanërisht të pikënisjes së tij, Durrësit, mitropoliti i Korfuzit, Gjergj Bardhami, shprehej atë kohë se “despoti derdh pa kursim për Durrësin para, ushtri e çdo gjë tjetër, në mënyrë që të mos lejohen egërsirat nga Perëndimi të vënë këmbë në atë qytet, që ai e do mbi të tjerët “.
Në fakt, që në fillim të sundimit të tij, Teodorit iu desh të përballonte një përpjekje të latinëve për të shtënë në dorë korridorin e rrugës Egnatia. Në verën e vitit 1217, perandori i ri latin i Konstandinopojës, Pier dë Kurtëne, në krye të një ushtrie të nisur nga porti i Brindizit, zbarkoi në Durrës me destinacion Konstandinopojën. Pasi mori qytetin, ushtria latine e vazhdoi marshimin përgjatë rrugës Egnatia në drejtim të Selanikut. Historiani bizantin Gjergj Akropoliti rrëfen se despoti Teodor i kishte ngritur pritë ushtrisë latine “në vendet e ashpra të Arbrit”, diku në luginën e Shkumbinit. Në betejën e zhvilluar këtu, ushtria frënge u shpartallua keq dhe vetë perandori Kurtënè u zu rob. Një kronist frëng, vazhduesi i Robert Autissiodorensis, ia atribuon katastrofën e perëndimorëve qëndrimit armiqësor të popullsisë vendase (malicia indigenorum) që bashkëpunoi me despotin e Epirit. Pas kësaj fitoreje, Teodori e ripushtoi Durrësin. Në qytet u përforcua sistemi i mbrojtjes dhe u kryen punime të ndryshme fortifikuese. Në vitet që pasuan, Teodor Engjëlli i zhvendosi veprimet luftarake në lindje. Këtu ai mori njërën pas tjetrës kështjellat e Ohrit, të Përlepit, të Pelagonisë (Manastir) etj. Por objektivi kryesor ishte Selaniku, të cilin Teodori ua shkëputi baronëve lombardë në vitin 1224. Këtu ai u kurorëzua “perandor e autokrat i bizantinëve” nga kryepeshkopi i fuqishëm i Ohrit, Dhimitër Komatiani. Selaniku u bë qendra e re ku u zhvendos Teodori e oborri i tij. Qeverisjen e zotërimeve shqiptare Teodori ia besoi të vëllait, Konstandinit, të cilit i akordoi titullin despot. Duke ndjekur shembullin e perandorëve të Bizantit, ai u shpërndau tituj fisnikërie si sebastokrator, domestik i madh, protovestiar etj., bashkëpunëtorëve të tij të afërt, midis të cilëve edhe mjaft bujarëve shqiptarë. Në administrimin e punëve të “perandorisë” së tij, Teodori ndihmohej nga një “këshill i të zgjedhurve”. Një mbështetje të fortë i jepnin politikës së tij prelatët e lartë të kishës, ndaj të cilëve Teodori tregoi vazhdimisht kujdes të veçantë. Mitropoliti i Naupaktit, Jan Apakauku, kryepeshkopi i Korfuzit, Gjergj Bardhani, ai i Ohrit, Dhimitër Komatiani, si dhe peshkopi i Kaninës ishin disa nga bashkëpunëtorët e këshilltarët më të afërt të Teodorit.
Pas marrjes së Selanikut, objektivi i dytë i madh mbetej për Teodorin pushtimi i Konstandinopojës, që do të shënonte fundin e Perandorisë Latine e rimëkëmbjen e Bizantit. Midis viteve 1225-1230 ushtritë e tij arritën suksese të mëdha në Maqedoninë Lindore e në Traki, ku pushtuan Adrianopojën. Por në vendin e quajtur Klokotnica, në vitin 1230, trupat e Teodorit pësuan një disfatë të rëndë nga ushtritë e carit bullgar, Ivani II Aseni, që ishte shqetësuar nga forcimi i shtetit epiriot e nga përparimi i Teodorit në zonën e interesave bullgarë.