Lufta midis Despotatit të Epirit dhe Perandorisë së Nikesë për hegjemoni në Shqipëri
Beteja e Klokotnicës, ku vetë Teodori u zu rob, goditi rëndë aspiratat panbizantine të despotëve të Epirit. Paskëtaj, zotërimet epirote u ndanë në shumë pjesë. Në Selanik e Thesali vazhdoi të sundojë i vëllai i Teodorit, Manueli. Gjithë territori, prej Adrianopoje në Durrës, u pushtua nga Ivani II Aseni i Bullgarisë. Cari bullgar filloi paskëtaj ta quajë veten “perandor e autokrat, zot i krahinave prej Adrianopoje në Durrës” dhe të shpalosë me forcë pretendimet për Konstandinopojën e për fronin bizantin.
Krahinat e Epirit nuk u përfshinë në kufijtë e rinj të mbretërisë bullgare. Këtu shfaqet si sundimtar Mihali II Engjëlli, djali i Mihalit I. Për 10 vjet ky punoi për të forcuar pozitat e lëkundura të Engjëllorëve. Rrethi i bashkëpunëtorëve të tij u zgjerua me elementë të aristokracisë vendase, të cilëve u ishte besuar drejtimi i krahinave dhe i kështjellave të ndryshme të despotatit. Ashtu si dhe i ati, Mihali II i ruajti lidhjet e ngushta me Beratin, Vlorën e me parinë e këtyre dy qyteteve. Me qeveritarin e tyre, Jan Frëngun, pinjoll i një familjeje të vjetër fisnike vendase, despoti kishte edhe lidhje familjare.
Shthurja e Mbretërisë së Bullgarisë, pas vdekjes së Ivanit II Aseni (1241), e lejoi Mihalin II të zgjerojë kufijtë e Despotatit. Durrësi u bë përsëri pjesë e tij, ndërkohë që kështjella të tjera u aneksuan në Maqedoni e në Thesali. Por edhe kësaj radhe Despotati ndeshi në një kundërshtar të fuqishëm, që në atë kohë ishte bërë një faktor i rëndësishëm politik në Ballkan. Kjo ishte Perandoria e Nikesë, një formacion i ngjashëm me Despotatin e Epirit, që lindi pas vitit 1204 në Azinë e Vogël. Luftërat me Nikenë përbëjnë fazën e dytë të rëndësishme në historinë e Despotatit të Epirit. Ashtu si despotët e Epirit, edhe perandorët e Nikesë e mbanin veten për trashëgimtarë të ligjshëm të fronit bizantin. Marrja e Konstandinopojës e rimëkëmbja e Perandorisë Bizantine përbënin vijën kryesore të politikës së tyre, nga ku buronte edhe armiqësia me rivalët e tyre të Epirit. Pas dobësimit të Mbretërisë së Bullgarisë, Perandoria e Nikesë fitoi epërsi në ngjarjet në Ballkan. Brenda vitit 1246 perandori i Nikesë, Joan Vatatze (1222-1254), pushtoi Trakinë, Maqedoninë dhe qytetin e Selanikut.
Sukseset e rrufeshme të nikeasve zbuluan mangësitë ushtarake e politike të shtetit epiriot. Tashmë ishte dobësuar aleanca e këtij shteti me krerët lokalë të krahinave të ndryshme të Despotatit, në të cilën bazohej forca e tij. Politika e zbatuar nga Teodori e nga Mihali II në funksion të pushtimeve kishte goditur drejtpërsëdrejti format e qeverisjes në rajone të caktuara të Despotatit të Epirit me Principatën e Arbrit, e cila ishte kthyer tashmë në një shtet vasal.
Çarja midis dy aleatëve të dikurshëm u pa gjatë konflikteve ushtarake që u zhvilluan në zonën e Maqedonisë Jugperëndimore midis forcave të Nikesë dhe atyre të Epirit në vitin 1253. Atë kohë princi i Arbrit, Gulami, bashkë me forcat e tij, kishte zënë pozicion në zonën e Kosturit për t’u prerë rrugën nikeasve që kërkonin të çanin në drejtim të Devollit. Por perandori i Nikesë, Jan Vatatze, arriti të tërheqë në anën e tij princin Gulam, që tashmë ishte ftohur me Mihalin e Epirit. Premtimet joshëse të perandorit të Nikesë u konkretizuan me nënshkrimin e një traktati, që vuloste aleancën e re midis Nikesë dhe Arbrit dhe që njihte autonominë e këtij të fundit.
Krahas Gulamit të Arbrit, me nikeasit u bashkuan edhe krerët e Kosturit e të Devollit, të cilët gjithashtu ishin të pakënaqur nga Mihali II i Epirit. Në këto kushte, despoti i Epirit u detyrua të kërkonte paqe, e cila u nënshkrua në Larisë (1253). Mihali II hiqte dorë nga kështjellat e Maqedonisë Perëndimore dhe nga kështjella e Krujës. Kësaj të fundit, perandori Jan Vatatze i njohu qysh atë vit një sërë privilegjesh të rëndësishme që kishin të bënin me sigurimin e pronave të fisnikëve, të klerit dhe të qytetarëve të saj, si dhe me heqjen e tatimeve të caktuara. Të njëjtat privilegje u konfirmuan pas dy vjetësh nga perandori i ri i Nikesë, Teodori II Laskari (1254-1258). Ato iu konfirmuan vazhdimisht krutanëve nga perandorët e mëvonshëm të Bizantit.
Humbja e mbështetjes që kishte patur në Principatën e Arbrit ia bëri të pamundur despotit Mihal ruajtjen e zotërimit të rëndësishëm të Durrësit. Në vitin 1256 qyteti iu dorëzua perandorit të Nikesë. Paqja e nënshkruar atë vit midis dy rivalëve sanksiononte tërheqjen e Despotatit të Epirit në kufijtë e tij fillestarë. Në viset e zbrazura nga epirotët u vendos administrata e Nikesë.