Manfred Hohenshtaufeni në Shqipëri
Kapërcimi i shek. XII-XIII solli në Mbretërinë e Sicilisë një ndryshim të dinastisë sunduese. Vendin e dinastisë normane Altavila, e zuri dinastia perandorake gjermane Hohenshtaufen. Bashkë me fronin e Sicilisë, sovranët e rinj gjermanë trashëguan dhe planet pushtuese në Lindje të paraardhësve të tyre.
Henriku VI Hohenshtaufen që me ardhjen e tij në pushtet i shpalli hapur pretendimet e tij në bregun lindor të Adriatikut. Sipas historianit bizantin Niketë Koniati, Henriku pretendonte të ishte zot i gjithë territorit që shtrihej prej Durrësit e deri në Selanik, territor i pushtuar për një kohë të shkurtër nga paraardhësi i tij norman, Guljelmi II, gjatë fushatës së vitit 1185.Por as Henriku VI, as pasardhësi i tij i madh, Frederiku II Hohenshtaufen, nuk qenë në gjendje të organizonin ndonjë ekspeditë si ato të normanëve në Shqipëri. Një gjë të tillë e bëri djali i Frederikut, Manfred Hohenshtaufeni. Duke përfituar nga konflikti midis despotit Mihali II i Epirit dhe perandorit të Nikesë, Teodorit II Laskari, si dhe i inkurajuar nga pakënaqësia e thellë që kishte pushtuar popullsinë shqiptare kundër këtyre dy rivalëve bizantinë, në mesin e dimrit të vitit 1257-1258 flota e Manfredit e komanduar nga admirali i tij, Filip Kinardi, zbarkoi në bregdetin shqiptar dhe pushtoi Durrësin, Vlorën, Spinaricën e Beratin. Ndonëse këto kështjella juridikisht ishin në atë kohë nën sundimin e perandorit të Nikesë (Durrësi), apo të despotit të Epirit (Vlora, Berati e Spinarica), as njëri e as tjetri nuk ushtronin pushtet real në to. Kryengritja e fundit e vitit 1257 e shqiptarëve i kishte detyruar garnizonet dhe administratën e perandorit apo të despotit të tërhiqeshin dhe ta linin qeverisjen e atyre vendeve në dorë të parisë lokale, e cila, me sa duket, ishte marrë vesh paraprakisht me Manfredin e Sicilisë për ndërmarrjen e tij.
I ndodhur para faktit të kryer, despoti Mihali II i Epirit e pa me vend mos të ndizte armiqësi të reja me mbretin e Sicilisë. Përkundrazi, me qëllim që ta tërhiqte atë në një aleancë ushtarake kundër rivalit të tij kryesor, perandorit të Nikesë, ai ia njohu Manfredit pushtimet e reja në bregdetin shqiptar. Madje i ofroi atij dhe dorën e së bijës, Helenës, bashkë me një sërë zotërimesh të tjera në cilësinë e pajës: Himarën, Sopotin (Borshin), Butrintin e Korfuzin. Në këtë mënyrë ndër të gjithë sovranët e mbretërisë së Sicilisë të dy shekujve të fundit, Manfredi qe i pari që zuri një pjesë të mirë të brezit bregdetar të Shqipërisë në pritje të kushteve të përshtatshme për të zgjeruar pushtimet në thellësi të Ballkanit.
Por beteja e Pelagonisë (Manastirit), në pranverë 1259, ku bashkë me forcat e despotit, Mihalit II të Epirit, u shpartallua edhe reparti i vogël prej 300 luftëtarësh që Manfredi i kishte dërguar për ndihmë vjehrrit të tij, i vuri në pikëpyetje vetë zotërimet siciliane në Shqipëri. Ngadhënjyesi i Pelagonisë, perandori i ri i Nikesë, Mihali VIII Paleologu (prej 1261 perandor i Bizantit), e vazhdoi mësymjen deri në bregdet, duke marrë të gjitha zotërimet e Manfredit, me përjashtim të Durrësit. Gjithsesi, në shtator të vitit 1261 Manfredi organizoi një fushatë të re në Shqipëri dhe arriti përsëri zotërimet e bregdetit, të cilat i mbajti deri në fund të jetës së tij (1266).
Baza e qeverisjes së zotërimeve të Manfredit në Shqipëri ishin kështjellat. Këtu u vendosën garnizonet siciliane nën komandën e kështjellarëve. Kështjellari i Kaninës, që kontrollonte dhe zonën e Vlorës, në vitet 1258-1274 ishte Jakob Balsiniani, pas çdo gjase një fisnik gjerman. Juridiksioni i tij shtrihej në një perimetër të gjerë rreth kështjellës, që përfshinte edhe fshatrat e Orikumit, Vranishtit, Vonicës etj. Krerët feudalë vendas ishin përfshirë në sistemin e mbrojtjes së kështjellës së Kaninës dhe të territorit të saj. Përveçse në rast lufte, ata, normalisht, të shoqëruar nga njerëzit e tyre, kryenin për një muaj në vit shërbimin e garnizonit brenda në kështjellë.
Manfredi e respektoi traditën përsa i përket organizimit administrativ të Durrësit dhe të krahinës fqinje të Arbrit. Ato u ruajtën si një njësi e vetme administrative, nën drejtimin e një qeveritari ushtarak me titullin e kapitenit që e kishte selinë në Durrës. Duke pasur parasysh forcën dhe rolin e parisë feudale të Arbrit në fatet e kësaj treve, Manfredi ia besoi postin e kapitenit të Durrësit e të Arbrit një fisniku nga një shtëpi e njohur feudale, Andrea Vranës. Në vitin 1185, në kohën e fushatës normane, një tjetër pinjoll i kësaj familjeje kishte kryer funksione të ngjashme në atë trevë si strateg i Bizantit.
Rasti i njohur i kapitenit Andrea Vrana tregon se Manfredi diti të tërhiqte në administratën civile e ushtarake të zotërimeve të tij shqiptare edhe fisnikë vendas. Madje, trupa shqiptare nën komandën e krerëve vendas u integruan edhe në forcat e Manfredit të angazhuara në Itali kundër kundërshtarëve të tij.
Si mëkëmbës të përgjithshëm të zotërimeve të tij në Shqipëri, Manfredi caktoi njeriun e tij të besuar, admiralin Filip Kinardi. Megjithatë, pushteti i tij realizohej në zotërimet jugore. Treva Durrës-Arbër, si zonë me rëndësi të posaçme strategjike, ishte nën vëzhgimin e drejtpërdrejtë të mbretit Manfred.
Fillimisht, selia e admiral Kinardit ndodhej në Korfuz, por me kohë u zhvendos në Kaninë. Këtu ai u martua me të venë e një fisniku nga familja e vjetër Frëngu, që ishte njëherësh kunata e despot Mihalit II të Epirit. Miqësia që Filip Kinardi kishte me peshkopin ortodoks të Kaninës është një tjetër tregues i lidhjeve të ngushta, që Kinardi, e në përgjithësi gjithë administrata e Manfredit, vendosi me mjedisin, e veçanërisht me parinë vendase. Me këtë shpjegohet fakti që, pas vrasjes së Manfredit në Betejën e Beneventit (1266), disa nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij, midis tyre dhe konti Frederik Lançia, dajë i Manfredit dhe personi numër një në oborrin e tij, erdhën dhe u strehuan në Shqipëri.
Fundi i mbretit Manfred në Betejën fatale të Beneventit, shkaktoi pështjellim në zotërimet shqiptare të Hohenshtaufëve të Sicilisë. Menjëherë pas Manfredit, edhe mëkëmbësi i tij admiral Kinardi ra viktimë e një komploti të kurdisur në Kaninë nga despot Mihali II Engjëlli i Epirit në bashkëpunim me të shoqen e njeriut të Manfredit, Maria Frëngun, që ishte edhe kunatë e tij. Por, pavarësisht nga kjo, despoti nuk arriti t’i shtinte në dorë zotërimet e Manfredit. Njerëzit e këtij, si këshilltari i Kaninës, Jakob Balsiniani, ai i Korfuzit, Verner Alamani, dhe kapiteni i Durrësit-Arbrit, Andrea Vrana, refuzuan t’ia dorëzojnë despotit të Epirit viset nën juridiksion të tyre. Të njëjtën gjë bënë edhe më 1267, kur ngadhënjyesi i Beneventit e vrasësi i Manfredit, francezi Karl Anzhu, u çoi fjalë funksionarëve të ish-mbretit Hohenshtaufen në Shqipëri që ta njihnin atë si mbret i ri i Sicilisë.