Kryengritja e shqiptarëve kundër Perandorisë së Nikesë (1257-1258)
Vendosja e pushtetit të Nikesë në viset shqiptare nuk e përmirësoi gjendjen e tyre, përkundrazi, një administratë e rreptë ushtarake e civile u vendos në trevat shqiptare, përfshirë edhe Principatën e Arbrit, që kishte luajtur një rol vendimtar në suksesin e nikeasve. Në krye të saj u vu një qeveritar bizantin, Konstandin Habaroni, i cili së bashku me qeveritarët e krahinave të tjera të Shqipërisë e të Maqedonisë, u vu nën urdhrat e komandantit epror, pretorit Georg Akropoliti që kishte selinë në Selanik.Që të nesërmen e vendosjes së sundimit të Nikesë në Shqipëri filluan të duken shenjat e një pakënaqësie të thellë. Këto qenë më të forta në trevat e Principatës së Arbrit, e cila në kundërshtim me premtimet e dhëna, u privua nga çdo lloj autonomie prej regjimit nikeas. Qeveritari nikeas i Arbrit, Konstandin Habaroni, nuk ishte në gjendje të mbante nën kontroll gjendjen shpërthyese, ndaj, në dimrin e vitit 1257-1258, kryekomandanti i forcave perëndimore të Nikesë, pretori Gjergj Akropoliti, vendosi të organizonte një ekspeditë demonstrative në Arbër. Prej Selanikut, ekspedita e drejtuar prej tij përparoi nëpër Kostur, Ohër, Durrës, ku Akropoliti u takua me krerët dhe autoritetet e vendit. Marshimi i Akropolitit vazhdoi nëpër krahinat e thella të Matit e të Dibrës. Kudo ku kaloi Akropoliti u mundua të forcojë bazat e sundimit të Nikesë, duke riorganizuar administratën ushtarake e civile të saj. Pas tre muajsh misioni të vështirë në zonën shpërthyese të Arbrit, në shkurt të vitit 1258, Akropoliti mbërriti në Përlep. Këtu atij i erdhi lajmi se “mbarë populli i arbëreshëve ishte hedhur në kryengritje”. Për rrjedhojë edhe despoti Mihali II Engjëlli i Epirit e prishi paqen me Nikenë. Vetë qeveritari Nikeas i Arbrit, Konstandin Habaroni, u zu rob prej tij gjatë një prite që iu ngrit në Kaninë dhe ku pati dorë e fejuara e tij, Maria Frëngu, kunatë e despotit Mihal dhe pinjolle e familjes më të shquar të zonës së Vlorës në shek. XI-XIII.
Gjendja e re e detyroi Akropolitin të ndërmerrte një fushatë të vërtetë ushtarake për të shtypur kryengritjen. Goditja kryesore e nikeasve u drejtua kundër vatrës së trazirave, Arbrit. Ushtria e tyre, nën komandën e vetë Akropolitit pushtoi Ohrin dhe vazhdoi marshimin drejt Durrësit. Por qëndresa e kryengritësve shqiptarë e detyroi Akropolitin të bënte prapaktheu në Ohër. Paskëtaj, kryekomandanti nikeas u përpoq të hynte në Arbër nga ana e Dibrës, por edhe këtu ushtria e tij u rrezikua të asgjësohej nga kryengritësit, ndaj u tërhoq në drejtim të Përlepit.
Ndërkaq, i inkurajuar nga kryengritja e shqiptarëve, despoti Mihali II Engjëll i Epirit rifilloi veprimet luftarake në Maqedoni. Ushtria e tij, e përkrahur nga popullsia vendase, pushtoi Ohrin dhe kështjella të tjera të Maqedonisë Perëndimore. Pothuaj të gjithë komandantët e forcave të Nikesë u hodhën në anën e despotit të Epirit. Edhe kështjella e Përlepit, ku ishte i rrethuar kryekomandanti, Georg Akropoliti, u hapi portat epirotëve. Akropoliti dhe ushtarakë të tjerë ranë robër të Mihalit II. Në këtë mënyrë, gjithë këto treva u përfshinë përsëri në kufijtë e Despotatit të Epirit.
Sukseset e arritura në Maqedoni zgjuan te Mihali II i Epirit, ashtu si te paraardhësi i tij, ëndrrën e pushtimit të Konstandinopojës e të rimëkëmbjes së Perandorisë Bizantine, duke i paraprirë në këtë gjë rivalit të tij, perandorit të Nikesë. Në funksion të këtij qëllimi despoti i Epirit i hodhi sytë nga një aleancë e re me sovranin e Mbretërisë së Sicilisë, mbretin Manfred nga dinastia gjermane Hohenshtaufen, pavarësisht se ky kishte përfituar nga ngjarjet e fundit për të shtënë në dorë një pjesë të bregdetit shqiptar. Aleanca me Manfredin u bë fakt i kryer me martesën e këtij të fundit me vajzën e despotit Mihal, Helenën. Megjithatë përforcimet që mori nga Manfredi e dhëndri tjetër i tij, princi Guljelm II Vilëharduen i Akesë, nuk i mjaftuan despotit të Epirit për të ndalur ofensivën e filluar në pranverën e viti 1259 nga perandori i ri i Nikesë, Mihali VIII Paleolog. Ohri qe një nga kështjellat e para që despoti i Epirit u lëshoi nikeanëve. Kësaj radhe ish-kryepeshkopi durrsak i qytetit, Konstandin Kabasilla, që erdhi bashkë me ushtrinë nikeane, ndikoi me autoritetin e tij për t’i bindur mbrojtësit t’ia dorëzonin kështjellën perandorit të Nikesë. Pas Ohrit, ushtria e Nikesë, nën komandën e sebastokratorit Jan, vëlla i perandorit Mihali VIII Paleolog, rrethoi kështjellën e Devollit, të cilën e mori pas luftimesh të ashpra.
Në verë të atij viti, Mihali II Engjëlli pësoi disfatën përfundimtare në fushën e Pelagonisë (Manastir).
Fitorja e Perandorisë së Nikesë mbi Despotatin e Epirit në Pelagoni u pasua nga një tjetër fitore e madhe e saj. Në verë të vitit 1261 nikeasit ua morën me sulm Konstandinopojën latinëve. Në këtë mënyrë, konflikti i gjatë për të korrur trashëgiminë e Perandorisë Bizantine u zgjidh në favor të Nikesë. Mihali VIII Paleologu u bë perandori i parë i Perandorisë Bizantine të rimëkëmbur.
Rivali i tij i dikurshëm, despoti Mihali II i Epirit, pas disfatës në Pelagoni i humbi krejt zotërimet e tij. Ushtritë e Paleologut përparuan deri thellë në kufijtë e Epirit historik e morën dhe qendrat e fundit të qëndresës epirote, Janinën e Artën. Mihali II Engjëlli u strehua në Korfuz, zotërim i dhëndrit të tij Manfred.
Por ashtu si më 1257, administrata e re bizantine hyri që në fillim në konflikt me popullsinë vendase. Rritja e pakënaqësisë gjeti shprehjen më të lartë në shpërthimin e kryengritjeve antibizantine në gjithë territorin shqiptar të Perandorisë. Këto kryengritje krijuan kushte që despoti Mihali II Engjëll të kthehej në Epir e pak nga pak të rikrijonte Despotatin e Epirit në kufijtë e ngushtuar të temës së dikurshme të Nikopojës.
Përsa u përket territoreve në veri të lumit Vjosë, kryengritjet antibizantine të shqiptarëve u mpleksën aty me një sërë rrethanash të tjera, të cilat krijuan një gjendje krejtësisht të re.