Kristalizimi i sferës ortodokse në shek. XIII-XIV
Pavarësisht nga dobësimi apo humbja e pozitave në treva të caktuara, fakti është se përtej brezit Durrës-Ohër pozitat e kishës ortodokse në Shqipëri nuk u rrezikuan asnjëherë seriozisht nga mësymja e katolicizmit roman.
Aty ndihej fuqishëm veprimi i qendrave të mëdha të ortodoksisë bizantine, siç qenë kryepeshkopatat e Durrësit, Naupaktit, dhe sidomos ajo e Ohrit. Një numër i madh kishash e manastiresh bizantine, të ndërtuara që në shekujt e hershëm të mesjetës e që ruhen ende sot në vende të tilla, si në Ohër, Korçë, Elbasan, Pojan, Berat, Ballsh, Përmet, Gjirokastër, Sarandë, dëshmojnë për ndikimin e plotfuqishëm që kisha ortodokse bizantine ushtronte në këto vise. Disa nga këto manastire administroheshin e drejtoheshin drejtpërdrejt nga Patriarku i Konstandinopojës e gëzonin kështu statusin e lakmuar të manastirit stavropegjiak. Të tillë dëshmohen të kenë qenë manastiri i Shën Kollit në Mesopotam (Delvinë), një fondacion i hershëm i perandorit bizantin Konstandini IX Monomak (1042-1054), apo manastiri i Labovës së Kryqit dhe ai i Hoteahovit (Çamëri).
Ndryshe nga viset e tjera shqiptare në veri të vijës Durrës-Ohër, në territoret në jug të saj kriza e Perandorisë Bizantine në shek. XII dhe shembja e saj më 1204 nga kryqtarët nuk i tronditi pozitat e ortodoksisë bizantine. Për më se gjysmë shekulli pas rënies së Konstandinopojës, e gjithë shtrirja prej Durrësit në Prevezë u përfshi në kufijtë e Despotatit të Epirit, një formacion që në pikëpamje shtetërore e kishtare qe një imitim i Perandorisë Bizantine.
Nën tutelën e Despotëve të Epirit, peshkopatat e Durrësit, Ohrit, Kaninës, Beratit, Devollit, Drinopojës, Himarës, Butrintit, Eurojës etj., njohën një periudhë lulëzimi të veçantë. Pas vitit 1260, pjesa më e madhe e këtyre trevave u përfshi edhe për gati një shekull tjetër (deri më 1346) në kuadrin e Perandorisë së rindërtuar Bizantine, gjë që ndikoi akoma më shumë në forcimin e karakterit ortodoks të besimit në to. Rrethanat politike bënë shpesh që familjet fisnike Matrënga, Muzaka, Zenebishi, Spata, Losha të kishin marrëdhënie me fuqitë katolike si anzhuinët e Napolit ose Venediku, madje dhe me vetë Papatin. Si rezultat ndodhi që në pikëpamje kishtare ndonjë pinjoll i tyre të kthehej në katolik. Një dokument i vitit 1290 jep pikërisht emrat e një grupi “neofitësh” katolikë që u përkisnin familjeve në fjalë. Pavarësisht nga episode të tilla, trevat jugore shqiptare dhe banorët e tyre qëndruan, në përgjithësi, të lidhura me ritin ortodoks.
Pavarësisht nga fakti që ndarja kishtare që prej shek. XI u bë një realitet në jetën shoqërore në Shqipëri, ajo nuk arriti asnjëherë të ushqejë shfaqje të intolerancës e të fanatizmit fetar. Përgjatë gjithë mesjetës këtu s’ka asnjë të dhënë që të pohojë ekzistencën e ballafaqimeve e të konflikteve fetare midis shqiptarëve ortodoksë dhe atyre katolikë. Kjo bashkëjetesë e ky mirëkuptim u ruajt edhe kur struktura fetare në Shqipëri ndryshoi në mënyrë radikale dhe kur pjesa më e madhe e popullsisë u konvertua në islamizëm.