Prona feudale dhe evoluimi i saj në Shqipëri (shek. XI-XIV)
Shekulli X ofron dëshmitë e para historike për format fillestare të pronës feudale në Shqipëri. Ato kanë të bëjnë kryesisht me pronat kishtare, dokumentacioni i të cilave mundi të ruhej më mirë nëpër arkivat e biblotekat e manastireve dhe institucioneve të tjera kishtare. Konkretisht, për vitet 1018 e 1020 ruhen dy akte dhurimi të perandorit bizantin Bazili II për disa nga peshkopatat shqiptare. Në aktet (diplomat) në fjalë bëhet fjalë për numra të ndryshëm klerikësh e parikësh, që përfaqësojnë kategori të ngjashme bujqish, të cilët bashkë me tokën e tyre lidheshin pas peshkopatave në fjalë me detyrimin që t’u dorëzonin atyre tatime të caktuara, të cilat më parë i dorëzoheshin shtetit bizantin. Kështu, kryepeshkopit të Ohrit i akordoheshin 30 klerikë e po aq parikë, njëlloj sa edhe peshkopit të Kosturit. Kurse peshkopi i Glavinicës do të kishte në viset nën juridiksion të tij, në Mallakastër e Kaninë, 40 klerikë e 40 parikë, po aq sa dhe peshkopi i Beratit. Peshkopë të eparhive më pak të rëndësishme, si të Cernikut (Cërrikut), e Dropullit (Adrianopolit) do të kishin nga 15 për secilën nga të dy kategoritë, kurse ai i Himarës 12 për çdo kategori. Në aktet e Bazilit II përcaktohet se peshkopatave në fjalë u jepej e drejta e nxjerrjes për vete (ekskusia) të të ardhurave që më parë i dorëzoheshin shtetit bizantin.
Lidhja e një numri të caktuar fshatarësh, bashkë me ngastrat e tyre, pas personave fetarë ose laikë me qëllim shlyrjen në favor të këtyre të fundit të atyre detyrimeve, që fshatarët në fjalë deri atëherë ia kishin dorëzuar shtetit, përbën një shenjë paralajmëruese për marrëdhëniet e reja që po përvijoheshin në fshatin shqiptar. Megjithatë, një lidhje e tillë qe ende e brishtë, qoftë për faktin se numri i ekonomive fshatare që i atashoheshin një personi a një institucioni fetar të caktuar qe i ulët, qoftë për faktin se pjesa e rentës që këta të fundit merrnin nga këto ekonomi fshatare qe ende e vogël në krahasim me sasinë e rentës që shkonte në favor të shtetit. Nga ana tjetër, ky sistem linte krejtësisht në duart e shtetit atributet e pushtetit gjyqësor, duke i dhënë atij një pozitë mbisunduese si ndaj bujqve “të dhuruar”, ashtu dhe ndaj beneficiarit që tash e tutje përfitonte një pjesë të rentës së tyre.
Gjithsesi, aktet e dhurimit të perandorit bizantin Bazili II të viteve 1018-1020 zbulojnë një fazë embrionale të sistemit të pronies (pronoia), i cili nga shek. XI u bë forma tipike e pronës feudale në Bizant. Institucioni i pronies pati një përhapje të gjerë edhe në trevat shqiptare, aq sa fjala “pronie” u trashëgua në fjalorin e shqipes, duke marrë në dallim nga kuptimi që kishte fillimisht, kuptimin e çdo forme zotërimi të pakushtëzuar (pronë).
Në fakt, pronia ishte një sasi e caktuar toke e përfaqësuar nga një numër ekonomish fshatare, që perandori bizantin me anë të një diplome të posaçme (krysobull) ua shpërndante personave laikë apo institucioneve fetare për t’i pasur në zotërim të kushtëzuar.
Pronia nuk ishte kurrsesi një zotërim me të drejta të plota. Duke marrë pronien, titullari i saj, proniari, fitonte të drejtën të vilte nga ekonomitë fshatare, që përbënin pronien e tij, një numër të caktuar detyrimesh që deri atëherë shkonin në dobi të arkës perandorake. Në këmbim ai ishte i detyruar t’i përgjigjej thirrjes së perandorit për shërbim ushtarak, duke u paraqitur me një numër kalorësish e këmbësorësh të armatosur me shpenzimet e veta. Kështu në fund të shek. XIV një proniar nga familja Dukagjini i përgjigjej thirrjes së kryezotit për luftë duke u paraqitur me 40 kalorës e 100 këmbësorë. Në pikpamje juridike, pronia ishte, pra, e ngjashme me stratiotika ktemata, d.m.th. me ngastrat e ushtarëve-bujq të periudhës paraardhëse. Si njëra dhe tjetra jepeshin për shfrytëzim me kusht dhe kushti kryesor ishte kryerja e shërbimit ushtarak. Por në pikëpamje shoqërore ndryshimi mes njërës dhe tjetrës qe i madh. Zotëruesit e ngastrave ushtarake i përkisnin klasës së fshatarësisë së lirë, që merreshin vetë me punimin dhe shfrytëzimin e tyre. Në të kundërtën, zotëruesit e pronies i përkisnin klasës së pronarëve të mëdhenj, që përdornin punën e të tjerëve, të bujqve parikë (paroikoi).
Pronia lidhej ngushtë me personin të cilit i jepej. Ajo nuk shitej, nuk ndahej, nuk dhurohej. Pas vdekjes së titullarit, proniarit, ajo i kthehej përsëri pushtetit qendror dhe me një krysobull të re perandori ia kalonte atë një proniari të ri, që sigurisht merrte përsipër detyrimin ushtarak. Pronia mund të trashëgohej nga i ati tek i biri në rast se ky merrte përsipër të kryente detyrimet ushtarake si i ati. Por dhe në këtë rast nevojitej miratimi i pushtetit qendror, përkatësisht i perandorit.
Instituti i pronies e përshpejtoi edhe në Shqipëri procesin e feudalizimit, sidomos nëpërmjet krijimit të një shtrese të re të pasurish, të fisnikërisë ushtarake. Në shek. XII vendi gëlonte nga fisnikë të tillë që mbanin tituj bizantinë, si sebastos, kaballarios etj. Për shumë nga këta, pajisja me pronia e me tituj nga pushteti qendror bizantin shënoi edhe fillimin e një procesi integrimi në shtetin dhe administratën bizantine.
Me kalimin e kohës pronia pësoi ndryshime thelbësore. Në shek. XIII-XIV proniarët fituan një numër të madh privilegjesh e atributesh, duke e zhvendosur gjithnjë e më shumë pushtetin qendror. Sasia e rentës që shkonte në dobi të proniarit u rrit së tepërmi në raport me atë që i shkonte arkës qendrore. Proniarët filluan të merrnin për vete edhe taksën e tokës, që ishte atribut i pandashëm i pushteti qendror. Proniarët ngritën një aparat të tyrin administrativ, që zëvendësoi atë shtetëror, me nëpunës, roje, ushtarë, ndonjëherë edhe me gjykatës të vetët.
Në fakt, pas shek. XIII, ndodhte shpesh që proniarët të përvetësonin edhe të drejtën e gjykimit fillimisht për çështjet e vogla, më vonë edhe për krimet e rënda, duke i hequr pushtetit qendror një nga prerogativat kryesorë të ushtrimit të sovranitetit. Në shek. XIV, pronia i ishte afruar së tepërmi statusit të një zotërimi feudal të pavaruar. Ajo tanimë mund të trashëgohej, të ndahej, madje dhe të shitej. Gjithnjë e më rrallë proniari përmbushte detyrimin kryesor ndaj shtetit, atë ushtarak, madje kjo shpjegon përse në ndonjë rast del se zotërues dhe administratorë të proniave të ishin edhe gra.
Megjithatë, në fund të shek. XIV dhe gjatë gjithë shek. XV, në përputhje me intensifikimin e veprimtarive ushtarake si pasojë e sulmeve të turqve osmanë, vihet re një rigjallërim i institucionit të tokave ushtarake (stratiotika ktemata), qoftë në formën e mirëfilltë feudale (pronia), por sidomos në formën e vjetër të parcelave të vogla ushtarake të periudhës së perandorëve “maqedonë” (shek. IX-XI). Shumë nga shqiptarët e emigruar në Greqi, në shek. XIV-XV, u vendosën bashkë me familjet e tyre në zotërimet e feudalëve bizantinë, të cilët u dhanë atyre në përdorim toka, vreshta e kullota kundrejt kryerjes së shërbimit ushtarak në mbrojtje të zotërimeve në fjalë. Burimet e kohës i quajnë ata rëndom stratiotë (ushtarë). Institucioni i pronies njohu një përhapje të madhe në zonën e Shkodrës, ku në shek. XIV dëshmohet një numër i madh proniarësh, të cilët me miratim të Venedikut administronin fonde të caktuara tokash nën juridiksionin e Shkodrës kundrejt detyrimit për t’i shërbyer me luftëtarë qeveritarit venecian të atij qyteti.
Nga ana tjetër, në zotërimet e saj të Peloponezit, të Eubesë e të Dalmacisë, Republika e Venedikut tërhoqi masa të tëra emigrantësh shqiptarë, të cilëve u premtonte ngastra toke, vreshta, kullota etj., kundrejt angazhimit të tyre në mbrojtje të kështjellave e zotërimeve veneciane nga sulmet e turqve osmanë. Për më se një shekull, këta pronarë-luftëtarë shqiptarë (stratiotë), qenë shtylla kurrizore e ushtrive të Venedikut sa në zotërimet e tij të Shqipërisë, ashtu dhe në ato të Greqisë e të Dalmacisë. Reparte stratiotësh shqiptarë u përdorën nga Venediku edhe në Itali, në luftërat me shtetet rivale të tij. Fama e stratiotëve shqiptarë, si Mërkur Bua, Manol Blesi etj., i kapërceu edhe kufijtë e Italisë e u përhap në Gjermani, Francë, Poloni, ku këta stratiotë ofruan shërbimet e tyre.
Ndonëse pronia u bë dukuri mbizotëruese në shek. XI-XIV, krahas saj vazhduan të ekzistojnë forma të tjera të pronës. Kjo vlen në radhë të parë për bashtinën apo pronën më të drejta të plota e të pakushtëzuara, që posedohej mbi bazën e titujve të pronës (titulus possessionis). Kishte bashtina që i përkisnin përfaqësuesve të aristokracisë dhe që si të tilla kishin shtrirje të madhe dhe punoheshin nga bujqit. Këto njiheshin në Bizant me emrin “paraspor”.
Por kishte edhe bashtina të vogla, prona të bujqve, që punoheshin nga vetë pronari. Kategorisë së bashtinës i përkisnin edhe pronat e qytetarëve të Durrësit, Shkodrës, Drishtit etj., në rrethinat e qyteteve në fjalë. Në Durrës qytetarët zotëronin në pronë të plotë edhe kullotat në malin e afërt të Temalit. Ndarja, trashëgimia apo shitblerja e bashtinave ishte një dukuri e zakonshme, që ndeshet herët në Durrës, Dibër, Devoll, Vageneti e gjetkë. Bashtina ishte e vetmja kategori e pronës që paraqitej lirisht në tregun e tokës. Shitblerja e saj pasqyrohej në ndryshime të shpejta e të thella të statusit shoqëror. Një shitje e shpejtuar e tokës apo edhe një përjashtim nga e drejta e trashëgimisë mund ta kthente sakaq një pronar në një bujk të varfër (paroikos), siç ndodhi më 1223 me Tanushin, birin e Gjinit, nga Dibra, i cili u detyrua të punonte si bujk (poroikos) në tokat e të tjerëve, pasi e ëma dhe vëllezërit nuk i dhanë pjesën e tokës që i përkiste si trashëgim nga i ati.
Afrimi i statusit të pronës së kushtëzuar (pronies) me atë të pronës së pakushtëzuar (bashtinës) pas shek. XIII, i dha vrull të papërmbajtur procesit të përqendrimit të tokave në pak duar, rrjedhimisht dhe rrënimit të pronarëve të vegjël. Ky proces u shoqërua me rritjen e të drejtave (imuniteteve) dhe të atributeve sovrane të pronarëve të veçantë dhe me fuqizimin e pozitës së tyre ekonomike, juridike e politike si ndaj masës së fshatarëve të vet, ashtu edhe ndaj pushtetit qendror. Kjo është koha kur mund të flitet për marrëdhënie feudale të zhvilluara në Shqipëri.
Zotërimi feudal në Shqipëri, si kudo në Bizant apo në Perëndim, përbëhej nga dy pjesë kryesore: toka e fshatarëve-parikë e ndarë në ngastra (stases) dhe toka e zotërisë që ishte në zotërim të drejtpërdrejtë të tij. Toka e fshatarit përfaqësohej nga shtëpia e tij (zjarri) me anekset dhe me arën, vreshtin, kopshtin etj. Zotërimi i fshatarit nuk ishte i përqendruar: ai ndahej në shumë ngastra të vogla, shpeshherë larg njëra-tjetrës. Pjesa tjetër e fondit të tokës në një zotërim feudal ishte pronë e drejtpërdrejtë e fisnikut dhe si e tillë administrohej prej tij (paraspori). Kjo pjesë e zotërimit feudal (ekonomia demaniale) erdhi vazhdimisht duke u shtuar, paralelisht me fuqizimin e aristokracisë. Karakteristike është që, në një fazë të parë, ishin ngastrat e fshatarëve ato që realizonin pjesën kryesore të prodhimit feudal. Por në shek. XI pjesa e tokave në administrim të drejtpërdrejtë të fisnikut i kaloi të parat si nga sasia, ashtu dhe nga prodhueshmëria. Shtrirja e madhe e tyre lejonte përdorimin e metodave e të teknikave të përparuara, siç qe qarkullimi bujqësor 3-vjeçar, si dhe shfrytëzimin intensiv i tokave nëpërmjet ujitjes, plehërimit etj.
Edhe më i shpejtë ishte procesi i përqendrimit të tokave në duart e institucioneve fetare, manastireve e peshkopatave. Ndryshe nga ç’kishte ndodhur deri në shek. XII, kur sipërfaqet në zotërim të tyre ishin rritur si rezultat i dhurimeve të bëra nga ana e pushtetit qendror, tani, pas shek. XII, dhuruesit e mëdhenj të manastireve e të peshkopatave janë fisnikët e mëdhenj apo të vegjël, pa përjashtuar dhe kategorinë e njerëzve të thjeshtë të fshatit e të qytetit. Në fillim të shek. XIV manastiret e peshkopatat kishin arritur të grumbullonin sasi të pamasa fondesh tokësore. Një pjesë e konsiderueshme e viseve të Kosovës ishin atë kohë pronë e manastireve të mëdha, si ai i Hilandarit në malin Athos, ai i Deçanit (në rrethin e Pejës), i Vranjës (Shkodër), i Kryeëngjëllit (Prizren), i Shën Gjergjit (Shkup) etj. Vetëm manastiri i Deçanit zotëronte në shek. XIV rreth 20 000 ha tokë, që zinin një zonë pak a shumë kompakte në Rrafshin e Dukagjinit. Toka i dhurohej manastirit bashkë me bujqit, të cilët çliroheshin nga detyrimet ndaj feudalit. Këto i kalonin manastirit tërësisht, në formën e detyrimeve në natyrë, në të holla e në punë angari.
As feudali, pronar i dikurshëm, as njerëzit e tij nuk mund të shkelnin në atë tokë e të mblidhnin detyrimet. Në aktdhurimin e dy fshatrave të zonës së Dibrës për manastirin e Hilandarit, më 1426, Gjon Kastrioti deklaronte se fshatrat në fjalë do të ishin të lirë nga çdo lloj detyrimi që i kishin dhënë deri atëherë atij; këto të drejta ai ia kalonte të plota manastirit.
Të ardhurat e manastireve ishin kryesisht në produkte bujqësore. Por një pjesë, sigurisht më e vogël, vinin nga veprimtaria zejtare dhe nga aktivitete të tjera. Kështu, manastiri i Prizrenit merrte falas nga zona e Pultit një sasi fshikëzash mëndafshi, verë e kripë, kurse manastiri i Deçanit përpos këtyre merrte edhe një sasi hekuri (50 nade). Manastiri i Prizrenit merrte 1 mijë hyperperë në vit nga doganat e Prizrenit. Të ardhura të mëdha manastiret nxirrnin nga panairet të organizuara në territorin e tyre. Shpeshherë në panaire të tilla, si psh. në panairin e Shën Gjergjit në Shkup, ishte e ndaluar të tregtoheshin produkte të tjera, që s’ishin të manastirit në fjalë.
Një burim i qëndrueshëm të ardhurash për kishën mbetej, në fund, taksa për kishën (kanonikon), e paguar në natyrë e në të holla. Një pjesë e mirë e saj merrte rrugën për në Romë e Konstandinopojë. Dorëzimi i detyrimeve (prebenda) ishte një nga shkaqet e fërkimeve që lindnin herë pas here midis klerit vendas shqiptar, nga njëra anë, dhe Papatit të Romës e Patriarkatit të Konstandinopojës, nga ana tjetër.
Në përpjekje për të gjetur mjete financiare plotësuese, veçanërisht në kohë luftërash, pushteti qendror vendoste tatime të jashtëzakonshme mbi popullsinë. Kështu, në vitet e fundit të shek. XII, perandori bizantin vendosi mbi popullsinë e provincave perëndimore të perandorisë të ashtuquajturin alamanikon (taksa gjermane), për të përballuar nevojat e luftës me perandorin gjerman, Henrikun V të Sicilisë. Në shek. XV Venediku u impononte banorëve të zotërimeve të tij në Shqipëri mbledhjen e herpashershme të detyrimeve të jashtëzakonshme (recollecta), me të cilat siguronte paqen me komandantët osmanë të krahinave fqinje.
E gjithë piramida e shoqërisë feudale mbështetej në shfrytëzimin e punës së bujqve (parikëve). Kategori të tjera bujqish ishin edhe “të huajt” e “të lirët” (ksenoi, eleutheroi). Këta ishin të privuar nga toka e nga çdo lloj prone, pra të parregjistruar nga fisku dhe vendoseshin në feud në cilësinë e punëtorit me mëditje. Por me kohë edhe këta pajiseshin me një copë tokë për të cilën paguanin detyrimet përkatëse, duke u shkrirë, kështu, dhe ata në masën e parikëve.