Fitoret e Gjergj Arianitit (1432-1435) dhe zgjerimi i luftës anti-osmane

Fitoret e Gjergj Arianitit (1432-1435) dhe zgjerimi i luftës anti-osmane

Regjistrimi kadastral osman i vitit 835 h. (1431-1432) u shoqërua me dhunë të ashpër të forcave pushtuese. Dokumente të kohës tregojnë se gjatë verës së vitit 1432 shqiptarët masivisht emigruan në drejtim të Puljes e të Venedikut. Pakënaqësia e përgjithshme nga regjistrimi kadastral i vitit 835 h. (1431-1432), nxitja e revoltës së tyre nga Selia e Shenjtë dhe oborri hungarez, si dhe lajmi i pasaktë për vdekjen e sulltan Muratit II bënë që shqiptarët të hidheshin në luftë kundër pushtuesve osmanë.
Në ballë të kësaj vale të re e të fuqishme kryengritjesh u vu Gjergj Arianiti. Shqiptarët, të udhëhequr prej tij, i dëbuan spahinjtë osmanë prej një pjese të konsiderueshme të zotërimeve të Arianitëve. Qysh në fund të viteve 20, gjatë luftës veneto-osmane për zotërimin e Selanikut, kufijtë lindorë të shtetit të Gj. Arianitit duhet të jenë shtrirë në atë kohë deri në Manastir. Ndërkohë kryengritje shpërthyen edhe në krahina të tjera të vendit dhe i paralizuan forcat osmane që ishin në tokat shqiptare. Ato ndodheshin përballë asgjësimit të plotë, prandaj sulltan Murati II vendosi të merrej vetë me shtypjen e kryengritjeve shqiptare.
Gjatë dimrit të vitit 1432-1433 sulltani u vendos në Serez. Këtu u grumbulluan ushtritë osmane dhe, duke ndjekur rrugën Egnatia, do të marshonin e do të sulmonin forcat e Gjergj Arianitit për ta nënshtruar atë.

Në Serez sulltani organizoi një ushtri prej 10 mijë vetash dhe në krye të tyre vuri sanxhakbeun e Sanxhakut Shqiptar, Ali bej Evrenozin. Ushtria osmane hyri në thellësi të shtetit të Gj. Arianitit dhe arriti në luginën e Shkumbinit pa u ndeshur me luftëtarët shqiptarë. Por, kur përparuan në thellësi të luginës, forcat e Gj. Arianitit u shfaqën befasisht dhe menjëherë e sulmuan ushtrinë osmane pranë burimeve të Bushekut. Shumë ushtarë osmanë u vranë ose ranë robër në duart e shqiptarëve, ndërsa të tjerët, bashkë me komandantin e tyre Ali bej Evrenozin, morën arratinë.

Kjo ishte fitorja e parë e rëndësishme e shqiptarëve kundër ushtrive të fuqishme osmane. Ajo pati jehonë edhe në vendet e tjera dhe i dha hov luftës antiosmane në Shqipëri. Fitorja, siç ka shkruar një bashkëkohës i saj, kronisti bizantin Halkokondili, i solli “lavdi të shkëlqyer” Gjergj Arianitit, që u bë personazhi kryesor i jetës politike shqiptare të viteve 30.

Vala e kryengritjeve antiosmane u përhap edhe në rajonet e Shqipërisë së Poshtme, edhe pse pozitat e osmanëve ishin fuqizuar atje me pushtimin prej tyre, në tetor të vitit 1430, të kryeqendrës së atyre viseve, të Janinës. Kryengritësit thirrën nga emigrimi në Korfuz dhe e vendosën në krye të tyre Depë Zenebishin, djalin e ish-sundimtarit të vdekur të tyre. Pas kthimit të D. Zenebishit kryengritësit rrethuan dhe sulmuan kryeqendrën administrative të Sanxhakut Shqiptar, Gjirokastrën. Për dëmtimin e mureve të kështjellës dhe çlirimin e saj, sulmuesit përdorën makina gurëhedhëse. Ndërkohë kryengritësit i shtrinë veprimet e tyre edhe në krahinat fqinjë dhe arritën të pushtonin kështjellën e Këlcyrës.

Kjo situatë i alarmoi osmanët. Prandaj, në kushtet e vështira të dimrit, u organizua një ushtri e re osmane e komanduar nga Turhan Beu. Në fillim të vitit 1433, duke marshuar me shpejtësi nëpër dëborë, ushtria e Turhan Beut në bashkëpunim me garnizonin osman të Gjirokastrës i sulmuan befasisht rrethuesit e kështjellës. Shqiptarët, të vënë ndërmjet dy zjarreve, nuk e përballuan dot goditjen dhe me humbje të rënda u tërhoqën nga rrethimi i Gjirokastrës. Osmanët e zunë rob Depë Zenebishin dhe e varën.

Valët e kryengritjeve antiosmane u përhapën edhe në rajone të tjera të vendit. Në Shqipërinë e Epërme, Nikollë Dukagjini mori në duart e tij kështjellën e Dejës. Por këtë kështjellë Nikollë Dukagjini e mbajti për pak kohë dhe ajo kaloi sërish në duart e osmanëve. Në Shqipërinë Qendrore kryengritësit e udhëhequr nga Andre Topia sulmuan kështjellën e Krujës, por nuk e morën dot. Edhe në zonën e Vlorës dokumentet e kohës tregojnë se në vitin 1434 krerët e vendit donin që “turqve t`ua hiqnin nga duart kështjellën e Kaninës”.
Gjatë viteve 30 të shek. XV zotërimet e Gjergj Arianitit mbetën rajoni kryesor i luftës antiosmane, prandaj sulltan Murati II, gjatë verës së vitit 1434, u vendos në Manastir. Këtu u grumbulluan ushtritë osmane të Rumelisë dhe nën komandën e bejlerbeut të tyre, Sinan Pashës, në fillim të gushtit 1434 sulmuan zotërimet e Arianitëve. Pasi hynë në thellësi të tyre, trupat osmane u rrethuan dhe u goditën rreptë nga luftëtarët shqiptarë. Në këtë betejë, shkruante ato ditë Senati i Raguzës, shqiptarët “dolën fitues në fushën e nderit dhe shumë turq u vranë”.

Pas fitores së shkëlqyer të shqiptarëve në gusht të vitit 1434, u ngarkuan Isak bej Evrenozi dhe sanxhakbejlerët e rajoneve kufitare që të vazhdonin luftën për shkatërrimin e forcave të Gj. Arianitit. Në dhjetor të vitit 1434 ushtria e Isak Beut iu drejtua zotërimeve të Arianitëve. Shqiptarët i dolën përpara ushtrisë osmane dhe zhvilluan me të një betejë të rreptë, që përfundoi me një fitore të shkëlqyer të tyre. Për këtë betejë Senati i Raguzës do të shkruante ato ditë: “Isaku vetëm me një numër shumë të vogël ushtarësh mundi të shpëtojë. Nga ushtria e tij shumë turq, nga më kryesorët e të rëndësishmit, u vranë në luftë e mbetën robër. Që prej asaj dite turqit mbetën të tmerruar, duke mos pasur guxim kundër arbërve”.

Luftimet ndërmjet shqiptarëve dhe forcave osmane vazhduan edhe në vitin 1435. Më 20 prill të këtij viti luftëtarët e Gj. Arianitit u ndeshën rreptë me një ushtri osmane, duke e shpartalluar atë dhe, siç shkruhej ato ditë, “e mbajtën fushën e betejës si ngadhënjyes”.
Pas disfatave të njëpasnjëshme, që pësuan trupat osmane prej luftëtarëve të Gj. Arianitit, sulltan Murati II ndërpreu dërgimin e ushtrive të tjera kundër shtetit të Arianitëve dhe gjatë viteve 1435 -1437 i angazhoi forcat e veta në Anadoll kundër emirit Ibrahim të Karamanisë. Përkohësisht në Shqipëri u krijua një gjendje e tillë që, siç shkruhej në fund të vitit 1435, “turqit e arbërit po qëndrojnë të qetë në kufijtë e tyre pa ndonjë trazim ose përleshje”.

Kryengritjet e viteve 30 të shek. XV dhe fitoret e forcave të Gj. Arianitit patën jehonë të madhe si në Shqipëri, ashtu edhe në vende të ndryshme të Evropës. Përpara bashkëkohësve të huaj shqiptarët dolën si një nga popujt më aktivë në luftën kundër pushtuesve osmanë. Rëndësia e luftës së tyre i kalonte kufijtë e botës shqiptare dhe me kohë tërhoqi vëmendjen e shteteve evropiane, interesat e të cilëve lidheshin me ngjarjet e Ballkanit. Gj. Arianiti u bë personalitet i njohur evropian, sepse fitoret e tij erdhën në një kohë kur Evropa ishte mësuar të dëgjonte për disfatat që pësonin forcat antiosmane. Për këto fitore atë e përgëzuan personalitetet më të shquara të kohës, si papa Eugjeni IV dhe perandori gjerman Sigismund, që ishte njëkohësisht edhe mbret i Hungarisë. Këta i dhanë luftës së shqiptarëve një përkrahje të gjerë morale.

Lufta e shqiptarëve përkonte me interesat e Hungarisë, që gjendej përballë sulmeve të ushtrisë osmane. Drejtuesit e kryengritjeve shqiptare si Gjergj Arianiti e Andre Topia krijuan lidhje të ndërsjella me mbretin e Hungarisë, Sigismundin, dhe dërguan përfaqësuesit e tyre te njëri-tjetri. Ata projektuan që, duke u mbështetur në viset e çliruara të Shqipërisë, të organizonin një kryengritje të përgjithshme antiosmane në Ballkan. Për këtë qëllim, në pranverë të vitit 1435, mbreti i Hungarisë dërgoi në Shqipëri Fruzhinin, pasardhës i mbretit bullgar Shishman, dhe në pranverë të vitit 1436 princin Daut, pretendent i fronit osman i strehuar në oborrin hungarez, me synimin që kundërshtarët politikë të sulltan Muratit II të ngriheshin kundër tij dhe ta rrëzonin nga froni. Me gjithë këto përpjekje nuk u arrit të organizohej një aksion i përbashkët ballkanik.

Jehona e luftës antiosmane të shqiptarëve u ndie edhe në vendet e tjera evropiane. Situatën e trazuar politike të viteve 30 në Shqipëri, Republika e Venedikut u përpoq ta shfrytëzonte për interesat e veta. Ajo arriti t`u merrte shqiptarëve Dejën dhe më pas, nën presionin e osmanëve, ua dorëzoi këtyre. Ndërkohë Venediku udhëzonte qeveritarët e saj në tokat shqiptare që të respektonin traktatet e paqes me sulltanin, të mos i ndihmonin kryengritësit shqiptarë, të lejonin kalimin e qëndrimin e trupave osmane në zotërimet veneciane etj.

Historia shqiptare

 

[cite]