Kryengritja e Gjon Kastriotit (1429-1430)

Kryengritja e Gjon Kastriotit (1429-1430)

Pushtimi osman i vendit dëmtoi rëndë interesat e të gjitha shtresave shoqërore, duke përfshirë edhe elitën drejtuese shqiptare. Një pjesë e fisnikëve të Shqipërisë së Poshtme, që i humbën plotësisht pronat e tyre, emigruan nga Shqipëria. Të tjerë në viset e Shqipërisë Qendrore e të Epërme, si Kastriotët, Arianitët, Muzakajt, Dukagjinët, Zahariajt, Spanët etj. u përpoqën të shmangnin rrënimin e plotë të tyre, duke u dhënë garanci, tribute e pengje osmanëve, si dhe duke forcuar lidhjet me Venedikun dhe vendet e tjera me prirje antiosmane. Sulmet e ushtrive osmane mbi zotërimet e fisnikëve shqiptarë nxiteshin edhe nga vjehrri i mëvonshëm dhe vasali besnik i sulltan Muratit II, që ishte sundimtari i Despotatit të Rashës, Gjergj Brankoviçi, i cili ishte në luftë me fisnikët shqiptarë jo vetëm në rajonin bregdetar të Shqipërisë së Epërme. Nën trysninë edhe të fisnikëve shqiptarë, Gj. Brankoviçi u detyrua në vitin 1428 të zhvendoste kryeqytetin në veri të Despotatit të tij, në Smederevë, në brigjet e lumit Danub.
Kur presioni i pandërprerë osman përshkallëzohej aq shumë mbi fisnikët shqiptarë, sa që rrezikonte tërësisht ekzistencën e tyre, ata nuk ngurronin të rrëmbenin armët. Pakënaqësia e shtresave të gjera shoqërore ndaj pushtimit osman u kishte krijuar fisnikëve shqiptarë mundësi të reja e të panjohura më parë për krijimin e ushtrive të mëdha e pa pagesë, të karakterizuara nga një shpirt i lartë vetëmohimi, që nuk njihet në kushtet e luftërave të zakonshme feudale dhe tek ushtritë mercenare.

Kryengritja e parë në shkallë krahinore, që njihet deri tani, i përket kohës së sulltan Mehmetit I dhe duhet të jetë zhvilluar gjatë viteve 1419-1421. Burimet historike, që e përmendin atë, nuk japin hollësi për zhvillimin e saj, veçse tregojnë që banorët e krahinës së Vagenetisë (Çamërisë) u hodhën në kryengritje.

Në fund të viteve 20 të shek. XV dy ngjarje të rëndësishme ndikuan në jetën politike të fisnikëve shqiptarë: fuqizimi në drejtimin e pashasanxhakut të Shkupit i familjes së Evrenozëve (veçanërisht dy përfaqësues të saj Isak Beu dhe, pas vdekjes së tij, i biri, Isa Beu, arritën të fuqizoheshin shumë ekonomikisht duke shfytëzuar zgjerimin e pushtimeve osmane në Ballkan) dhe sidomos lufta e ushtrive osmane për pushtimin e qytetit të Selanikut, që në vitin 1423 kishte kaluar nën zotërimin e Venedikut.

Konfliktin e armatosur ndërmjet sulltan Muratit II dhe Republikës së Venedikut për qytetin e Selanikut, që zgjati afro tre vjet (1428-1430), disa prej fisnikëve shqiptarë e panë si një mundësi për shtrirjen e pushtetit të tyre mbi viset që ishin nën zotërimet veneciane dhe osmane. Kurse për Venedikun dhe sidomos për pushtuesit osmanë lufta e mësipërme i vinte në provë fisnikët shqiptarët nëse do të përmbushnin apo jo angazhimet ushtarake që kishin ndaj tyre.

Qysh në gusht të vitit 1428 njoftohej se Gjon Kastrioti ishte nën presionin e pandërprerë të sulltanit që të sulmonte zotërimet veneciane dhe se një djalë i tij, që ishte “bërë turk e mysliman”, i mbante trupat ushtarake pranë rajonit venecian të Shkodrës. Kurse Stefan Spani, Kojë Zaharia dhe Stefan Maramonti, sipas dokumenteve të fillimit të vitit 1430, kishin ndërmarrë aksione të pasuksesshme kundër zotërimeve të Venedikut në rajonin e Shkodrës. Ndërkohë Gojçin Gjurashi (Cërnojeviçi) kishte çliruar zotërimet e tij në Gentë, duke dëbuar prej tyre forcat e despotit serb të Rashës, Gjergj Brankoviçit, djalë i Vukut.
Edhe marrëdhëniet e fisnikëve shqiptarë me osmanët acarohen shumë dhe pozitat e pushtetit osman në tokat shqiptare qenë dobësuar, ndonëse mungojnë të dhënat burimore për aksionet antiosmane të shqiptarëve.

Nëpërmjet tyre tërthorazi del se ushtria e Gjon Kastrioti ka rrethuar Krujën dhe është përpjekur ta pushtojë atë, kështjellë që nuk është marrë ndonjëherë me forcën e armëve. Sidoqoftë, pushteti osman në tokat e Shqipërisë Perëndimore ishte tronditur thellësisht. Prandaj, pa pritur nënshkrimin e traktatit të paqes më Venedikun (4 shtator 1430), por sapo pushtuan Selanikun (29 mars 1430), ushtritë osmane të komanduara nga Isak Evrenozi dhe me pjesëmarrjen e trupave serbe, të komanduara nga djali i Gjergj Brankoviçit, iu drejtuan shtetit të Gjon Kastriotit. Sulmi i tyre qe i papërballueshëm. Gjatë muajve prill-maj 1430 ushtritë osmane shkatërruan disa kështjella të Gjon Kastriotit dhe arritën në Prishtinë. Prej këtu morën rrugën në drejtim të Gentës dhe në fund të muajit qershor, pasi thyen qëndresën e Gojçin Gjurashit, zbritën deri në rrethinat e Shkodrës, duke plaçkitur vendin, dhe morën Dejën.
Përballë një situate të tillë Gjoni kërkoi marrëveshje me Isak Beun. Edhe me ndërhyrjen e Skënderbeut dhe të Stanishtës pranë autoriteteve osmane, u rimëkëmb shpejt shteti i Kastriotëve. Gjatë gjysmës së parë të viteve 30 sërish ai u bë kufitar me zotërimet veneciane të Lezhës e të Shkodrës, siguroi dalje në det dhe kishte nën kontrollin e vet rrugët tregtare që lidhnin bregdetin me Prishtinën dhe Shkupin.

Gjon Kastrioti vdiq në fillim të muajit maj të vitit 1437 (2 ose 4 maj). Emri i tij do të përmendet edhe në dy dokumente të mëvonshme (mars 1438 dhe korrik 1439) në kuadrin e përpjekjeve të Stanishës e të Skënderbeut, si drejtues të rinj të shtetit të Kastriotëve, për të vijuar me Venedikun dhe me Raguzën po ato marrëdhënie që kishte pasur i ati i tyre, Gjon Kastrioti.

Historia shqiptare

 

[cite]