Fitoret e ushtrisë shqiptare në vitet 1462-1465

Fitoret e ushtrisë shqiptare në vitet 1462-1465

Pas humbjes së rëndë që pësuan në betejën e Ujëbardhës të vitit 1457, ushtritë osmane i ndërprenë për disa vjet sulmet e tyre mbi viset e lira shqiptare. Në vitin 1460, para se Skënderbeu të dërgonte grupin e parë të luftëtarëve të tij në ndihmë të mbretërisë së Napolit, ndërmjet tij dhe oborrit osman u nënshkrua një armëpushim që vazhdoi dy vjet. Pas kthimit të Skënderbeut më 1462 nga ekspedita ushtarake e Italisë, luftimet me ushtritë osmane rifilluan me intensitet.
Ndërkohë sulltan Mehmeti ndërmori veprime intensive për zgjerimin e pushtimeve osmane në Ballkan dhe gjatë vitit 1463 i udhëhoqi vetë trupat për nënshtrimin e Bosnjës dhe të Moresë (Peloponezit). Madje, për rivendosjen e zgjerimin e pushtimeve në Fushë-Dardani, Rrafshin e Dukagjinit, Jeliçe (sanxhak) etj., qysh gjatë viteve 1458-1462 ushtritë osmane u futën në Rrafshin e Dukagjinit dhe, ndoshta përkohësisht, morën Prizrenin (1458), Pejën (1463) dhe qendra të tjera të rëndësishme. Sipas dokumenteve autentike, kur ushtritë osmane pushtuan Bosnjën më 1463, po këtë vit në kështjellat e Fushë-Dardanisë, Rrafshit të Dukagjinit dhe të Jeliçes (sanxhaku), si mbrojtës të tyre u caktuan persona të tjerë, sepse nuk ekzistonte më asnjë nga mbrojtësit që ishin vendosur në vitin 1455. Ato rajone kishin qëndruar të lira. Edhe pas vitit 1463 pushteti osman mbeti formal dhe i pakonsoliduar në rajonet e Shqipërisë së Epërme.

Gjatë viteve 60 sulltan Mehmeti II angazhoi në luftime kundër shqiptarëve komandantët e zonave kufitare, duke i përforcuar ato edhe me trupa të tjera.Gjatë vitit 1462, sipas M. Barlecit, shqiptarët shpartalluan njëra pas tjetrës tri ushtri osmane. Së pari ato u ndeshën në të njëjtën kohë me dy ushtri osmane. Ushtria e parë e komanduar nga Sinan Beu, pasi hyri në Mokër, u sulmua befasishëm në të gjitha drejtimet, prej ushtrisë së Skënderbeut dhe u shpartallua. Pa humbur kohë, shqiptarët iu drejtuan ushtrisë së dytë, të komanduar nga Hasan Beu, që ishte vendosur në afërsi të qytetit të Ohrit, e goditën atë në befasi dhe e thyen, duke zënë rob edhe komandantin e saj. Kur luftëtarët shqiptarë po merrnin rrugën e kthimit për në Krujë, ata u njoftuan se një ushtri e tretë e komanduar prej Isuf Beut po marshonte nga Shkupi në drejtim të Shqipërisë. Skënderbeu vendosi të hynte menjëherë në betejë dhe ta sulmonte ushtrinë osmane atje ku ajo nuk e priste. Me shpejtësi luftëtarët shqiptarë largohen nga rajoni i Ohrit, i drejtohen Kërçovës dhe vijojnë rrugën që kalonte përgjatë lumit Treska për të arritur në afërsi të Shkupit, ku e sulmojnë befasishëm ushtrinë osmane dhe e shpartallojnë atë.

Në të dalë të vjeshtës së vitit 1462, një ushtri e katërt e komanduar nga Karaxha Beu u nis kundër viseve të lira shqiptare dhe e vendosi fushimin e vet në fushën e Livadhit, pranë qytetit të Ohrit. Skënderbeu e sulmoi atë në çastin kur gjendej e papërgatitur për luftë, por moti me shi bëri që të ndërpritej zhvillimi i betejës. Kjo u dha mundësi trupave osmane të tërhiqeshin pa pësuar humbje të rënda.

Pas disfatave të njëpasnjëshme gjatë vitit 1462, sulltan Mehmeti II i propozoi paqe Skënderbeut, në një kohë kur ky i kishte humbur shpresat për organizimin e një lufte të përbashkët antiosmane në shkallë evropiane. Prandaj, në pranverë të vitit 1463, ndërmjet tyre u nënshkrua në Shkup traktati i paqes me afat 10-vjeçar. Por paqja nuk pati jetë të gjatë, sepse sulltani gjatë vitit 1463 u përpoq të rivendoste pushtetin e tij në rajonet e Rrafshit të Dukagjinit, të Sanxhakut, si dhe arriti të pushtonte Bosnjën dhe Morenë. Skënderbeu nuk mund të pajtohej me veprime të tilla që rrezikonin të ardhmen e tij si sundimtar i pavarur, gjë që është pasqyruar edhe në dokumente të vitit 1463 që flasin për gatishmërinë e tij për të ndihmuar Bosnjën.

Luftimet rifilluan në gusht të vitit 1464, kur një ushtri e komanduar nga Sheremeti u vendos pranë qytetit të Ohrit. Luftëtarët shqiptarë iu drejtuan Ohrit dhe kur arritën në afërsi të tij, Skënderbeu dërgoi 500 kalorës në drejtim të ushtrisë osmane për ta mashtruar që t’i ndiqte nga pas, deri në vendin ku qëndronin të fshehur luftëtarët shqiptarë.

Sipas parashikimit të Skënderbeut, ushtria osmane u vu në ndjekje të kalorësve shqiptarë dhe kur arriti në pritën, që shqiptarët e kishin ngritur mjeshtërisht, ajo pësoi një katastrofë të plotë, duke humbur shumicën e ushtarëve. Në fillim të muajit shtator të vitit 1464, ndërkohë që ushtria hungareze kishte çliruar rajone të tëra të Bosnjës Veriore, Skënderbeu i nisi trupat e veta të drejtim të viseve të ish-Despotatit serb të Rashës dhe, në rajonet pranë Sjenicës, u ndesh më 11 shtator me një ushtri osmane, të cilën e shpartalloi.
Pas këtyre disfatave sulltan Mehmeti II, sipas M. Barlecit, ngarkoi Ballaban Beun që të drejtonte ushtritë osmane për mposhtjen e qëndresës shqiptare. Nisur nga posti real ushtarak i tij, Ballaban Beu duhet të ketë qenë shoqëruesi kryesor dhe krahu i djathtë i komandantëve të ushtrive osmane, sepse si vendas ai njihte mjaft mirë rrugëkalimet nëpër viset shqiptare dhe mjedisin shqiptar.

Ballaban Beu, i njohur sipas rrëfimit të M. Barlecit, me titullin pashë (Ballaban Pasha), ishte shqiptar dhe kishte një karrierë ushtarake të gjatë në shërbim të Perandorisë Osmane. Në regjistrin kadastral osman të Sanxhakut Shqiptar të vitit 835 h. (1431-1432) ai përmendet si timarli i katër fshatrave të vilajetit të Krujës, kurse dy vjet më pas emërohet dizdar i saj dhe gjatë viteve 1437-1439 do të ishte vartës i Skënderbeut kur ky u emërua si subash i Krujës. Ballabani përmendet aty si “gulam-i mir” dhe me cilësimin “i vogël” (Ballaban-i kyçyk), që është në përshtatje me përshkrimin që M. Barleci i bën fizikut të tij: “nga shtati ishte i shkurtër dhe i pakët”. Pas çlirimit të Shqipërisë në vitin 1443 Ballaban Beu emigroi familjarisht. Në mesin e viteve 60 dy djem të tij, Hamzai dhe Hiziri, përmenden si timarlinj në Maqedoninë Lindore (në lindje të Serezit). Ballabani përmendet ndërkohë si “ish-dizdar i Krujës”, gjë që tregon se sulltani, kur e ngarkoi me detyrën që të shkatërronte forcat e Skënderbeut, i kishte premtuar së paku edhe postin që kishte pasur në vitet 30. Më pas, në tetor të vitit 1466, Ballabani përmendet si zotërues i një timari të madh në rajonin e Tetovës. Para se të vendosej këtu, Ballaban Beu duhet të ketë pasur në zotërim prona diku në rajonet që shtriheshin në lindje të Ohrit, sepse në afërsi të këtij qyteti ai do të zhvillonte luftimet me forcat e Skënderbeut.
Ballaban Beu ishte njohës shumë i mirë i terrenit, prandaj atij iu besua shoqërimi, ndoshta për raste të veçanta edhe drejtimi i forcave osmane për shkatërrimin e Skënderbeut, ish-epror i dikurshëm i tij. Ai u përforcua vazhdimisht me trupa të freskëta dhe në luftimet e pandërprera përdori gjerësisht sulme të befasishme dhe dredhi të shumta. Si detyrë kryesore ai duhet të ketë pasur pushtimin e qytetit të Ohrit.

Ndeshjen e parë me trupat e Ballabanit, sipas M. Barlecit, shqiptarët e zhvilluan në fushën e Falkalit (Valkalit) pranë malit Bigë (Furkë) në afërsi të Ohrit në vitin 1464. Plani i tij fillestar, që t’i sulmonte natën e në befasi shqiptarët, dështoi. Me gjithë dëmet e rënda që pësuan forcat e tij, nëpërmjet pritave që kishte ngritur Ballabani, arriti të dëmtonte komandën e ushtrisë shqiptare. Në kundërshtim me porositë e Skënderbeut, komandantët e reparteve shqiptare, duke ndjekur ushtrinë e shpartalluar osmane, u shkëputën shumë nga bashkëluftëtarët e tyre dhe ranë në pritën e armikut. Tetë komandantë të shquar, duke përfshirë edhe Mosi Golemin (Arianitin) u kapën prej ushtarëve osmanë. Skënderbeu bëri përpjekje të mëdha për lirimin e tyre duke i propozuar sulltanit shuma të mëdha të hollash dhe lirim të robërve osmanë. Por ai nuk pranoi dhe urdhëroi që, komandantët shqiptarë, pas torturave të tmerrshme, të ekzekutoheshin duke i rrjepur të gjallë. Pak më parë, në fillim të vitit 1461, kishte vdekur edhe Gjergj Arianiti që, pas Skënderbeut, kishte qenë personazhi më i rëndësishëm i luftës antiosmane të shqiptarëve.

Edhe pas humbjes së këtyre personaliteteve të jetës politike e ushtarake të vendit, shqiptarët e vazhduan me vendosmëri luftën kundër trupave osmanë. Në Oronik të Dibrës së Sipërme, pa u parë nga rojet shqiptare, Ballabani e afroi ushtrinë e vet pranë luftëtarëve shqiptarë për t’i gjetur në befasi. Në sajë të vigjilencës së Skënderbeut, i cili i zbuloi vetë forcat armike, luftëtarët shqiptarë u hodhën menjëherë në luftë dhe e fituan betejën. Pas kësaj, në krye të një ushtrie të re, Ballabani u përpoq gjatë tre muajve t’i zinte në befasi shqiptarët, por kur u bind se një sulm i tillë ishte i pamundur, u ndesh me ta në fushën e Falkalit (Valkalit) pranë malit Bigë të Ohrit dhe trupat e tij u thyen keqas.

Pas këtyre luftimeve, Ballabani u përpoq t’i shkatërronte forcat shqiptare, duke i goditur ata njëkohësisht nga dy drejtime të kundërta. Prandaj në verë të vitit 1465 u nisën në të njëjtën kohë kundër Shqipërisë dy ushtri, njëra në drejtim të Ohrit dhe tjetra kundër Krujës. Duke u informuar me kohë për lëvizjen e tyre, luftëtarët shqiptarë marshuan me shpejtësi, së pari në drejtim të ushtrisë që komandohej nga vetë Ballaban Beu dhe e shpartalluan krejtësisht atë po në fushën e Falkalit (Valkalit). Pas kësaj shqiptarët u kthyen në drejtim të viseve perëndimore për t’u ndeshur me ushtrinë e dytë, të komanduar nga Jakupi, një tjetër shqiptar ky, që e njihte mirë vendin. Për të mos u diktuar nga trupat e Skënderbeut, gjithnjë sipas rrëfimit të M. Barlecit, ushtria e Jakupit mori rrugët e Shqipërisë së Poshtme, që ishte e pushtuar, kaloi nëpër Berat dhe vijoi marshimin në drejtim të Krujës, e cila veç rojeve të kështjellës, nuk kishte luftëtarë të tjerë shqiptarë që të ndesheshin më ushtrinë e Jakupit. Skënderbeu, pasi shpartalloi më parë forcat e Ballabanit i drejtoi luftëtarët e tij kundër ushtrisë së Jakupit, që ishte vendosur në fushën e Tiranës. Në luftimet që u zhvilluan në rajonin e Kasharit, forcat osmane pësuan një disfatë të rëndë, duke mbetur i vrarë edhe komandanti i tyre.

Pas pesë betejave të ashpra, që luftëtarët e Skënderbeut zhvilluan gjatë një viti me ushtritë osmane të drejtuara nga Ballaban Beu, edhe pse shqiptarët kishin dalë fitimtarë, sulltan Mehmeti II mendoi se tashmë ata ishin të lodhur e të dobësuar në një masë të tillë, sa që nuk do të mund të përballonin një goditje vendimtare të të gjitha forcave ushtarake të Perandorisë Osmane.

 Historia shqiptare
 Mesjeta

 

[cite]