Vendi i shqiptarëve në projektet e fushatave ushtarake evropiane
Politika pushtuese e sulltanëve osmanë gjatë shek. XV shkaktoi në Evropë një shqetësim gjithnjë në rritje. Përballë këtij rreziku forcat largpamëse të kohës kërkuan organizimin në shkallë evropiane të një lufte të përbashkët për të ndalur vërshimin e mëtejshëm të ushtrive osmane dhe për t’i dëbuar ato nga viset e pushtuara të Ballkanit. Këto kërkesa u përhapën sidomos pas pushtimit më 29 maj 1453 prej sulltan Mehmetit II të kryeqytetit të Perandorisë Bizantine, Konstandinopojës, të cilën e bëri kryeqytet të Perandorisë Osmane dhe i vuri emrin Istanbul (Stamboll). Tani frika ndaj rrezikut të pushtimit osman u bë më e përgjithshme dhe përfshiu edhe sundimtarët e disa vendeve evropiane. Në këto rrethana filluan të hartoheshin projekte për shkatërrimin e Perandorisë Osmane, nëpërmjet një lufte të përbashkët, me pjesëmarrjen e shumë vendeve. Papët e propaganduan këtë ide gjithnjë e më shumë, duke i dhënë një veshje fetare si një “kryqëzatë kundër të pafeve”. Por në këtë periudhë kushtet për një veprim të tillë nuk ishin të favorshme, sepse shtetet e Evropës dhe sidomos ato italiane ishin të përçara e në grindje me njëra-tjetrën. Në projektet që hartoheshin barra kryesore për realizimin e tyre u lihej popujve që luftonin dhe kryesisht shqiptarëve dhe hungarezëve.
Në planet strategjike të mbretit të Napolit, Alfonsit V, parashtruar papa Nikollës V me rastin e konferencës së shteteve italiane, që u zhvillua nga vjeshta e vitit 1453 deri në pranverën e vitit 1454, si dhe në projektet e mëvonshme, luftëtarëve të Skënderbeut u caktohej një rol i rëndësishëm në fushatën e përbashkët kundër osmanëve. Po kështu u vlerësua qëndresa e shqiptarëve edhe në dietat perandorake të shteteve gjermane të mbajtura në Ratisbonë, Frankfurt dhe Viner-Noishtad, si dhe në dietat hungareze, të mbledhura gjatë viteve 1454-1455.
Edhe emiri i Karamanisë, Ibrahimi, në projektin e tij për luftë të përbashkët kundër sulltan Mehmetit II, drejtuar në mesin e viteve 50 papës dhe mbretit të Napolit, u jepte një vend qendror shqiptarëve, të udhëhequr nga Skënderbeu. Ai kishte projektuar një ofensivë të madhe, që do të shpërthente njëkohësisht në tokë dhe në det, si në Azi ashtu edhe në Evropë. Kundër ushtrive osmane, sipas projektit të tij, do të angazhoheshin me forca tokësore në Evropë shqiptarët dhe hungarezët, në Azi vetë Ibrahimi, kurse në det do të vepronte një flotë e fuqishme evropiane. Ibrahimi i jepte veçanërisht rëndësi bashkërendimit të operacioneve që do të zhvilloheshin në frontin shqiptar dhe në atë danubian prej hungarezëve për t’i vënë forcat osmane, që gjendeshin në Ballkan, ndërmjet dy zjarreve.
Idesë për organizimin e një “kryqëzate kundër të pafeve” në shkallë evropiane iu dha një vend i gjerë në propagandën e Papatit pas vitit 1455, kur u bë papë Kaliksi III dhe sidomos në kohën e pasardhësit të tij, Piut II. Me nxitjen e këtij të fundit, në vitin 1459, u organizua në Mantovë të Italisë një kongres ndërkombëtar. Në të morën pjesë një numër i konsiderueshëm sundimtarësh evropianë dhe u vendos që të fillonin përgatitjet për fillimin e një luftë të përbashkët kundër pushtuesve osmanë. Por ndryshe nga deklaratat e premtimet, pjesëmarrësit nuk u angazhuan seriozisht në organizimin e kësaj fushate dhe rrjedhimisht ajo u shty nga viti në vit.
Në projektin e papa Piut II, që u parashtrua me atë rast, ushtria e përbashkët evropiane parashikohej të kishte 40 mijë veta. Gjysma e tyre, 20 mijë ushtarë, do të grumbulloheshin në Itali e në vende të tjera evropiane dhe me papën e dukën e Burgonjës në krye do të zbarkonin në Raguzë për t’u bashkuar me forcat shqiptare. Kurse pjesa tjetër prej 20 mijë vetash do të përbëhej nga luftëtarët e Skënderbeut. Të gjitha këto trupa prej 40 mijë vetash do të formonin frontin qendror. Si komandant i përgjithshëm i ushtrisë së përbashkët shqiptaro-europianoperëndimore papa shpalli Skënderbeun, të cilit me këtë rast do t’i jepte skeptrin mbretëror si dhe zotërimin e Maqedonisë, pasi ajo të çlirohej. Në projektin e papës parashikohej që në frontin e Danubit të vepronin hungarezët, kurse në Greqi dhe në det flota ushtarake e shteteve italiane.
Vendimet e Kongresit të Mantovës Skënderbeu i pa me interes të veçantë. Por shpresat për realizimin e projektit të papa Piut II nuk vazhduan gjatë, sepse pjesëmarrësit kryesorë të Kongresit të Mantovës kishin mosmarrëveshje dhe nuk u angazhuan seriozisht për të. Shumë prej tyre e propaganduan fushatën e përbashkët antiosmane, me qëllim që të nxirrnin sa më shumë përfitime materiale për vete. Për këtë, një vëzhgues i këtyre ngjarjeve Gerard de Kolis, në mesin e viteve 60, shkruante se “zotërinjtë kanë nxjerrë të holla nga popujt e tyre me pretekstin e kësaj ndërmarrjeje dhe pastaj i kanë futur në xhep për dobinë e tyre”. Në këto rrethana, kur nuk po bëhej asnjë përgatitje për organizimin e luftës së përbashkët në shkallë evropiane, Skënderbeu pranoi propozimin e sulltan Mehmetit II dhe në pranverë të vitit 1463 lidhi me të një paqe me afat 10-vjeçar, e cila nuk vazhdoi gjatë. Menjëherë pas saj, vetë sulltan Mehmeti II u vu në krye të trupave osmane për pushtimin e rajoneve të Shqipërisë së Epërme e të Ballkanit.
Në fund të vitit 1463 Skënderbeu veproi energjikisht për të nxitur përgatitjet për fillimin e fushatës së përbashkët antiosmane. Për këtë qëllim, në pranverë të vitit 1464 ai shkoi vetë në Napoli dhe dërgoi ambasadorë në Romë dhe te duka i Milanos, i cili kishte deklaruar se për të filluar luftën do të dërgonte në Shqipëri 2 mijë kalorës dhe 1 mijë këmbësorë. Skënderbeu kthehet në Shqipëri me përshtypjen se më në fund lufta e përbashkët do të shpërthente. Në gusht të vitit 1464 ai u nis në Raguzë për të pritur ushtritë evropiane që do të vinin nga Ankona. Por në Ankonë u grumbulluan pak forca dhe me vdekjen aty të papa Piut II, më 14 gusht të vitit 1464, dështoi përfundimisht organizimi i fushatës ushtarake të përbashkët në shkallë evropiane kundër pushtuesve osmanë.
Në këto rrethana po bëhej gjithnjë e më i përgjithshëm mendimi se me luftën e tyre shqiptarët mbronin jo vetëm vendin e tyre, por edhe lirinë e vendeve të tjera, sepse, siç është shprehur në vitin 1464 mbreti i Hungarisë, Matia Korvini, sulltani ndërmjet Shqipërisë donte të kalonte “si nëpër një urë” për të pushtuar vendet e tjera. Personalitete të shquara e largpamëse të kohës kërkuan fuqizimin e qëndresës së shqiptarëve, duke i ndihmuar ata nga ana financiare. Humanisti i shquar italian Françesk Filelfo, në shtator të vitit 1464, i shkruante papës se Skënderbeu dhe mbreti i Hungarisë duheshin ndihmuar me të holla, që ata të përgatisnin ushtri të fuqishme tokësore për shkatërrimin e Perandorisë Osmane. Por këto kërkesa largpamëse nuk u realizuan.
Në fund të vitit 1464 papa Pali II hartoi një projekt financiar në “përkrahje” të luftës antiosmane. Papa nëpërmjet tij kërkonte që vendet e ndryshme, sipas premtimeve që i kishin bërë në Kongresin e Mantovës paraardhësit të tij, papa Piut II, të derdhin mjetet financiare. Për të nxitur realizimin e projektit financiar të tij, papa Pali II deklaroi me këtë rast se po vinte 100 mijë dukate në përkrahje të atyre që luftonin.
Pas dështimit të përpjekjeve për organizimin e fushatës së përbashkët evropiane, Skënderbeu u përpoq që të fuqizonte mbrojtjen e vendit dhe të vinte nën drejtimin e tij, një front sa më të gjerë antiosman. Ai iu drejtua vendeve që rrezikoheshin drejtpërdrejt prej sulmeve osmane po të mposhtej qëndresa shqiptare. Skënderbeu i kërkoi Republikës së Venedikut të vinte nën komandën e tij forcat ushtarake që ajo kishte në zotërimet e saj në Shqipëri. Qysh nga fillimi i viteve 60, Venediku ishte angazhuar në luftë me osmanët, prandaj tani u kushtonte vëmendje të veçantë përpjekjeve të Skënderbeut për forcimin dhe mbrojtjen e vendit, duke përfshirë edhe zotërimet veneciane. Republika pranoi që Skënderbeu të ishte komandant i përgjithshëm edhe për trupat e saj në Shqipëri. Në përforcim të garnizonit shqiptar të kështjellës së Krujës, Skënderbeu vendosi aty një numër të kufizuar ushtarësh venecianë si dhe ushtarë napolitanë, të cilët mbreti Ferdinand i dërgoi në ndihmë të tij.
Përpjekje bëri Skënderbeu që të merrte një pjesë nga 100 mijë dukatët që papa Pali II i kishte deklaruar se i kishte vënë në dispozicion të luftës antiosmane. Gjatë viteve 1465-1467, që ishin vite kulmore e më të vështirat e luftës së shqiptarëve, papa Pali II i dha Skënderbeut rreth 6 650 dukate, që realisht ishte një shumë e vogël parash në krahasim me nevojat e mëdha të luftës së shqiptarëve. Kurse nga shtetet e tjera evropiane kjo ndihmë qe edhe më e paktë.