Çifligjet në shek. XVI
Të dhënat e defterëve kadastralë të shek. XVI dëshmojnë për krijimin e dy kategorive çifligjesh në zotërim të feudalëve, të ngritura mbi tokat jorajatike dhe më vonë rajatike, të ngarkuara vetëm me detyrimet ndaj zotëruesit të tokës. Ngritja e tyre ndoqi rrugë të ndryshme. Njëra nga këto ishte shtënia në dorë e tokave djerrë të truallishteve, d.m.th., të fshatrave të braktisura. Zakonisht ato janë marrë në zotërim nga feudalë të mëdhenj, funksionarë si zaimë, sanxhakbejlerë deri në vezirë. Kështu, truallishta Pistul në nahijen e Tejbunës ishte në dorë të Vezirit të Madh, Sinan Pashës, kundrejt pagimit të taksës së tapisë arkës shtetërore në sasinë 500 akçe. Më vonë truallishtet mund të hynin në procesin e shitblerjes në bazë të lejes së spahiut dhe vendimit të kadiut.
Përveç truallishteve ata vunë dorë mbi tokat e hapura rishtazi nga pyjet, si dhe në parcelat që në defterët kadastralë cilësoheshin me emrin tokë (zemin) e arë (tarlla). Zotëruesit shlyenin vetëm të dhjetën. Kështu më 1582 truallishtja Kusheva në nahijen e Shkodrës ishte vend pyjesh dhe ishte marrë në zotërim nga ket’huda Mustafai që jepte 100 akçe si bedel i së dhjetës. Ato merreshin në zotërim me tapi nga i zoti i tokës dhe hynin në procesin e shitblerjes vetëm me vendim të kadiut.
Së treti, feudalët vunë dorë mbi kullotat verore (zemin-i yaylak). Kështu Mehmet Pasha, mirliva i Moresë, kishte në zotërim tokat e kullotës verore në fshatin Malçinova të Prizrenit. Me këto tri rrugë ata siguruan në zotërim personal tokën pa qenë të ngarkuar tërësisht me detyrimet e bashtinës së rajasë. Kjo i hapi rrugë grumbullimit të tyre dhe krijimit të çifligjeve. Për çifligun e Malkoçit, të birit të Aliut, të përfshirë në truallishten Ajalisi të timarit të Kurdit në fshatin Mesopotam të Delvinës thuhet: “ky kishte marrë me tapi truallishten Ajalisi dhe e kishte bërë çiflig; të dhjetën ia jep spahiut të Mesopotamit”.
Duke shtënë në dorë tokën, feudalët krijuan një numër të konsiderueshëm çifligjesh që kishin si detyrim të vetëm pagimin e së dhjetës. Në këtë kategori bënin pjesë edhe çifligjet e krijuara nga blerja e bashtinave të vojnukëve ose të ushtarakëve të tjerë, të çliruar nga detyrimet, gjatë periudhës kur u shthur ky organizim ushtarak. P.sh., në fshatin Leshnica të Bihorit në sanxhakun e Prizrenit, Jahjai i biri i Isait, zotëronte një çiflig të formuar nga vende të vojnukëve të suprimuar, i cili jepte si detyrim të dhjetën. Zakonisht këto çifligje punoheshin nga vetë pjesëtarët e familjes së feudalit, ose me punën angari të fshatarëve, ose jepeshin në gjysmatari, siç veprohej me hasa-çifligjet. Kështu, spahiu Hasan punonte e mbillte vetë çifligun e tij në fshatin Gjerbës të Tepelenës. Po ashtu vepronte komandanti i topçinjve të kështjellës së Shkodrës me tokat në truallishten Goden të fshatit Shendvraç të Shkodrës.
Një kategori tjetër çifligu u ngrit mbi tokat rreth qyteteve. Kështu, në fund të shek. XVI, në qytetin e Beratit kishte 146 çifligje, në atë të Elbasanit 83, në Peqin 83, në Novobërdë 39, në Gjirokastër 35 etj. Rreth 50% e tyre ishte në zotërim të funksionarëve të administratës shtetërore si sanxhakbejlerë, komandantë kështjellash, çeribashë etj. Një numër të vogël zotëronin zanatçinjtë. Në fillim të shek. XVI madhësia e këtyre çifligjeve ishte sa ajo e ngastrës që punohej me një pendë qe, kurse në fund të atij shekulli u ngrit deri në 6 pendë qe tokë. Krijimi në afërsi të qyteteve i një numri të madh çifligjesh shpjegohet, së pari, me faktin se si rrjedhim i zhvillimit të jetës urbane dhe i ushtrimit me gjerësisht të zejtarisë e të tregtisë, qytetarët braktisën gradualisht bujqësinë dhe u shisnin feudalëve të drejtat e zotërimit të bashtinave, pa pasur asnjë sanksion për braktisjen e tokës, siç ndodhte në tokën mirie. Zhvillimi ekonomik-shoqëror më i hovshëm i qyteteve të Beratit dhe të Elbasanit nënkupton edhe zhvillimin më intensiv se gjetiu të procesit të shitblerjes të së drejtës së zotërimit të tokës për tokat në afërsi të tyre, i cili solli si rezultat krijimin e një numri më të madh çifligjesh. Së dyti, shpjegohet me rrethanën se shumica e çifligjeve ishte krijuar në sinoret me fshatrat, d.m.th. në vende ndërmjet kufijve me fshatrat, të cilat nuk ishin përfshirë në bashtina rajash. Të tilla ishin çifligjet në sinoret me fshatrat Lapardha, Vrion, Velabisht. Çifligjet rreth qytezës së Peqinit ishin krijuar në tokat e hapura dhe të punuara rishtaz.
Çifligjet u krijuan edhe në tokat shtetërore me statusin rajatik dhe të ngarkuara me detyrimet karakteristike për fshatarin raja. Kjo ndodhi atëherë, kur në procesin e shitblerjes të së drejtës së zotërimit të tokës u bë një kapërcim cilësor, kur ai u zhvillua midis fshatarëve raja dhe feudalëve. Hyrja e feudalëve në këtë proces çoi në grumbullimin e tokave në duart e tyre dhe si rrjedhim, në formimin e çifligjeve. Kështu, midis rajasë dhe spahiut u fut një person i tretë, i ndërmjetëm, çifligari (çifligsahibiu), që merrte një pjesë të rentës së krijuar nga fshatari që kishte humbur tokën. Me blerjen e së drejtës së zotërimit të tokës nga çifligari, çifligjet e ruanin statusin si tokë shtetërore rajatike. Si rrjedhim ai ishte i detyruar të shlyente detyrimet e fshatarit prej të cilit i bleu ato. E meta e çifligjeve të deriatëhershme ishte mungesa e krahëve të punës. Prandaj feudalët përpiqeshin të siguronin këtë element të rëndësishëm, krahas tokës, si dy premisat për lindjen e një kategorie më të lartë çifligu, si një ekonomi e madhe e destinuar për treg dhe e pakushtëzuar me ndonjë detyrim. Kjo u duk qartë në përçapjet e tyre për të shndërruar në çifligje truallishtet e populluara nga banorë të ardhur për shkaqe të ndryshme dhe të kthyera në vendbanime që nuk ekzistonin në regjistrimin e mëparshëm dhe që nuk kishin qenë tokë mirie në përdorim të rajave. Shembullin më tipik e paraqitnin çifligjet e krijuara në fshatin Çermë të Myzeqesë, ku çifçinjtë kishin ardhur nga fshatrat që nuk përfshiheshin në sanxhakun e Vlorës. Në defterët gjenden raste kur në një territor të përfshirë në një çiflig, pas regjistrimit ishte krijuar një vendbanim i ri, një fshat që mbante emrin e çifligarit. P.sh., në vitin 1583 gjejmë vendbanimin e quajtur Çifligu i Iskender Vojvodës me 16 çifçinj.
Me sigurimin e fuqisë së nevojshme punëtore, ekonomia personale e feudalit dilte nga kuadri i ngushtë i kufizuar i çifligut, të formuar nga tokat jorajatike dhe që shlyenin të dhjetën dhe salarien.
Procesi i krijimit dhe i zgjerimit të çifligjeve në toka mirie varej nga një sërë faktorësh, nga zhvillimi i ekonomisë në tërësi, nga rritja e zgjerimi i marrëdhënieve mall-para dhe dobësimi i ekonomisë natyrore, nga zëvendësimi gradual i rentës në natyrë me rentën në të holla, nga pasurimi i klasës feudale. Në këtë drejtim një rol po aq të rëndësishëm, luante edhe procesi i thellimit të diferencimit shoqëror në fshat deri në shitjen e së drejtës së shfrytëzimit të tokës.
Në shek. XVI, kur këta faktorë ishin në fazën fillestare të zhvillimit, çifligjet e formuara me toka rajatike, ku ishin vendosur fshatarë të ikur, ishin të pakta në krahasim me çifligjet e formuara me toka mirie jashtë parcelave të fshatarëve raja. Krijimi i çifligjeve në tokat rajatike çante rrugë me vështirësi për arsye të statusit fiskal të tyre të rëndë dhe të moslejimit për ta ndryshuar atë, të kontrollit me rreptësi nga shteti mbi organizimin e prodhimit në bazë të ndarjes së tokës çdo shtëpie fshatare. Çifligjet e krijuara në tokat rajatike ishin ngarkuar veç së dhjetës e salaries edhe me detyrimet që lidheshin me personin e fshatarit, si ispenxha, xhizja, dhe taksat e jashtëzakonshme si avarizi, bedeli, nuzuli e sursati. Këto detyrime duhet t’i paguante çifligari, por në fakt i shlyente çifçiu. Fshatari që kishte humbur pronën private dhe tokën, mund ta punonte atë si çifçi, por në kushte shumë të rënda. Ai duhej të vazhdonte të shlyente taksën e pendës dhe detyrimet shtetërore.
Në fund të shek. XVI në tokat shqiptare ishin krijuar dy tipa kryesorë çifligjesh: çifligje të vogla që punoheshin kryesisht nga pjesëtarët e familjes dhe çifligje që punoheshin nga fshatarë raja.
Historia shqiptare
Sundimi Osman