Depërtimi i islamit në tokat shqiptare
Vendosja e sundimit osman në tokat shqiptare u shoqërua me ndryshime të thella jo vetëm në fushat politike, shoqërore dhe ekonomike, por edhe në strukturën fetare të popullsisë. Përkatësia e krishterë e shqiptarëve (pjesërisht në ritin ortodoks dhe pjesërisht në atë katolik) filloi të cenohej në dobi të përhapjes së islamit, fe zyrtare e shtetit osman. Kontaktet e shqiptarëve me fenë islame janë më të hershme sesa pushtimi osman i tokave shqiptare, përderisa që në kohët paraosmane këto toka janë shkelur herë pas here nga tregtarë, forca ushtarake apo përfaqësues të tjerë të botës orientale-islamike. Megjithatë, fillimet e islamizimit të popullsisë shqiptare në trajtën e një procesi historik, kohësisht janë të lidhura me fillimet e vendosjes së sundimit osman në Shqipëri.
Pjesa e sipërme e piramidës shoqërore, fisnikëria shqiptare, ishte e para që provoi dukurinë e kalimit në islamizëm. Që nga gjysma e dytë e shek. XIV, kur inkursionet osmane drejt Ballkanit dhe Shqipërisë sa vinin e dendësoheshin, princat shqiptarë u shtrënguan, kush më herët e kush më vonë, të pranonin suzerenitetin e sulltanit dhe, si vasalë të tij, të dërgonin djemtë e vet si pengje pranë oborrit osman. Këtu, pasi ktheheshin në myslimanë dhe merrnin edukatën përkatëse, ata ngarkoheshin me shërbime të caktuara ushtarake e civile, duke arritur në shumë raste edhe në funksione të larta, si sanxhakbejlerë, subashë etj. Ndër pinjollët e islamizuar të familjeve feudale shqiptare të dërguar pranë oborrit të sulltanit si içoglanë ishin edhe Gjergj Kastrioti (i islamizuar me emrin Skënder), një nga djemtë e Gjon Kastriotit, Jakup Beu, i biri i Teodor Muzakës (në fund të viteve 30 të shek. XV qeveritar i Sanxhakut Shqiptar), i vëllai, Kasem Pasha, një nga komandantët më të shquar të Muratit II dhe të Mehmetit II; dy djemtë e Gjin Zenebishit (njëri prej tyre, i quajtur Hasan Beu, në vitin 1455 mbante funksionin e subashit të Tetovës) etj. Islamizimi i një pjese të elitës feudale shqiptare që në dhjetëvjeçarët e parë të sundimit osman formoi kështu kontingjentin fillestar të popullsisë së islamizuar shqiptare.
Dinamika e procesit të islamizimit në hapësirën shqiptare u përshpejtua me vendosjen pas vitit 1402 të një detyrimi të veçantë të quajtur devshirme. Sipas këtij detyrimi, familjet e krishtera të vendeve nën sundimin osman, periodikisht duhet të jepnin djem (devshirë) për të mbushur repartet e jeniçerëve (axhemiogllanë) ose për nevoja të tjera të pallatit sulltanor (içogllanë).
Shqipëria ishte një ndër vendet e pushtuara, ku detyrimi i devshirmesë u zbatua me rigorozitetin më të madh. Detyra e mbledhjes së djemve të krishterë dhe e dërgimit të tyre në Stamboll i ngarkohej njërit prej funksionarëve të korpusit të jeniçerëve, i cili, i pajisur me ferman të sulltanit dhe i shoqëruar edhe nga një sekretar, shkonte në të gjitha krahinat, të cilat fermani në fjalë i ngarkonte me detyrimin e devshirmesë. Në bashkëpunim me kryepleqtë (koxhabashët) i dërguari i Stambollit mblidhte kryefamiljarët e çdo fshati dhe u kërkonte të sillnin pranë tij të gjithë djemtë e moshës 12-15 vjeç. Mes këtyre djemve zgjidheshin më të mirët përsa i përket paraqitjes fizike dhe aftësisë për të përballuar sakrificat. Zakonisht merrej një djalë për çdo familje të krishterë, qoftë kur familjet kishin disa, qoftë kur kishin edhe një djalë të vetëm. Djemtë e përzgjedhur, pasi visheshin me një livre cohe të gjatë deri në tokë dhe u vendosej një kësulë me pupël në kokë, dërgoheshin në kryeqytetin e perandorisë. Ditën që arrinin këtu, shpërndaheshin dy nga dy nëpër familjet e atjeshme dhe pastaj, të prirë prej agait (komandantit) të jeniçerëve, kalonin për shikim përpara sulltanit, i cili më të përshtatshmit i mbante në sarajet e veta, ndërsa një pjesë tjetër ua kalonte për stërvitje instruktorëve të posaçëm. Teprica u jepej familjeve osmane në Rumeli dhe Anadoll, ku mësonin turqishten, kryenin punë të ndryshme bujqësore etj. Edhe këta të fundit, sipas nevojave të pallatit të sulltanit dhe të korpusit të jeniçerëve, nëse kishin mësuar mirë gjuhën, brenda 2-3 vjetësh mund të merreshin nga familjet për t’u përfshirë me shërbim pranë institucioneve të mësipërme.
Një sasi jo e vogël djemsh nga familjet e krishtera, pasi ktheheshin në myslimanë, dërgoheshin me shërbim edhe pranë pallateve të sanxhakbejlerëve ose bejlerbejlerëve. Këta të fundit quheshin gulamë dhe shfaqen dendur në defterët osmanë të shek. XV si zotërues timaresh.
Praktika e devshirmesë, e cila vijoi deri nga fundi i shek. XVII, luajti rolin kryesor në krijimin e shtresës ushtarake shqiptare si pjesë përbërëse e klasës ushtarake osmane. Elementët e islamizuar nga trevat shqiptare, të cilët u edukuan pranë pallatit sulltanor ose pranë sarajeve të qeveritarëve osmanë të provincave, përgjithësisht, ose mbushën korpusin e jeniçerëve (ushtrisë osmane), ose formuan aparatin qeverisës të shtetit osman në Shqipëri. Duke qenë e inkuadruar në hierarkinë osmane, kjo pjesë e popullsisë shqiptare u bë zotëruese e timareve, zeameteve dhe haseve, dhe luajti kështu një rol të madh për shtrirjen e islamizmit edhe në pjesën tjetër të popullsisë.
Një pjesë e fisnikërisë shqiptare deri në fillimet e shek. XVI mundi ta ruante identitetin e vet fetar të krishterë, edhe pse ishte zotëruese e timareve. Zotëruesit e krishterë të timareve të quajtur ndryshe “timariotë të krishterë” ekzistuan vetëm përkohësisht si kategori shoqërore. Lejimi i ekzistencës së përkohshme të timariotëve të krishterë nga ana e shtetit osman ishte jo vetëm shenjë e demonstrimit të një farë tolerance fetare, por edhe një rrugë për integrimin gradual në sistemin e timarit të kësaj kategorie shoqërore, me qëllim islamizimin dhe osmanizimin e ardhshëm të saj. Burimet dokumentare të shek. XV shënojnë mjaft raste të kalimit të timareve nga duart e timariotëve të krishterë në zotërim të pasardhësve të tyre të islamizuar.
Timariorët e krishterë formonin një pakicë në krahasim me timariotët shqiptarë të islamizuar. Kjo duket qartë jo vetëm në sasinë e timareve që zotëronin, por edhe në sasinë e taksave që ata merrnin nga këto timare. Kështu, p.sh., në Sanxhakun Shqiptar, në vitet 1431-1432, nga 335 timare që numëroheshin gjithsej, vetëm 56 syresh u përkisnin zotëruesve të krishterë, ndërsa nga 107 zotërues timaresh të regjistruar më 1485 në sanxhakun e Shkodrës, vetëm 16 syresh ishin të krishterë. Megjithatë, kishte krahina ku gjatë shek. XV numri i timariotëve të krishterë ishte relativisht i madh. Në viset e Krujës dhe të Dibrës në vitin 1467, nga 40 zotërues timaresh gjithsej, vetëm 16 syresh ishin myslimanë, ndërsa pjesa tjetër ishin timariotë të krishterë. Përgjithësisht procesi i kalimit në islamizëm të timariotëve të krishterë nuk zgjati më shumë se dy breza që prej momentit të përfshirjes së tyre në sistemin e timarit, gjë që flet për atë se fisnikëria shqiptare u islamizua relativisht shpejt. Me shuarjen e kategorisë së timariotëve të krishterë në fillimet e shek. XVI ishte arritur islamizimi tërësor i klasës feudale shqiptare. Edhe përfaqësuesit më të shquar të familjeve feudale shqiptare të Arianitëve, Dukagjinëve, Muzakajve etj., pas shtypjes së qëndresës antiosmane të shek. XV ose u larguan nga Shqipëria, ose u bënë pjesë e popullsisë së islamizuar, duke krijuar kështu bazën e nevojshme për fillimin e depërtimit masiv të islamit në shtresat e tjera të popullsisë shqiptare. Kjo lidhej jo me peshën numerike që feudalët zinin në tërësinë e shoqërisë shqiptare të kohës, por me ndikimin e fuqishëm shoqëror dhe politik që ata kishin në mesin e popullsisë.
Depërtimi në shkallë të gjerë i fesë islame në radhët e popullit shqiptar gjeti shprehje pikësëpari në qytete. Me vendosjen e sundimit osman, qytetet shqiptare filluan të funksionojnë si qendra administrative, ekonomike dhe kulturore të sistemit të ri politik. Në përshtatje me rolin e tyre ekonomik e shoqëror, në qytete u përqendrua jo vetëm shumica e personelit administrativ e ushtarak osman, por edhe kleri islamik bashkë me institucionet e kultit që u shumuan me shpejtësi.
Qytetet kryesore shqiptare, si Elbasani, Berati, Prizreni, Shkodra, Vuçiterna (sot: Vushtria) etj., u bënë seli e dinjitarëve kryesorë të pushtetit provincial osman, si e sanxhakbejlerëve, allajbejlerëve, kadilerëve etj. Qytete të tjera më të vogla u shndërruan në qendra të kazave apo të nahijeve. Nga ana tjetër, degët kryesore të veprimtarisë ekonomike në qytete, zejtaria dhe tregtia, filluan të modelohen në përputhje me kërkesat e ushtrisë dhe të funksionarëve të pushtetit osman në provinca dhe në qendër. Në këto rrethana, fillimi i rimëkëmbjes ekonomike dhe shoqërore të qyteteve shqiptare në fund të shek. XV dhe në fillim të shek. XVI përkon në kohë edhe me fillimet e depërtimit të islamit në masën e gjerë të popullsisë qytetare. Ndërsa për mjaft qendra qytetare fillimet e këtij procesi vërehen vetëm në vitet 20-30 të shek. XVI, për disa të tjera duket se feja e re ka nisur të “zbresë” nga parësia e islamizuar në masën e popullsisë qytetare të krishterë, të paktën që nga vitet 80 të shek. XV.
Kështu, p.sh., qytetet e Vlorës, Gjirokastrës dhe Beratit ende në fillim të shek. XVI nuk kishin të regjistruar asnjë shtëpi myslimane (këtu përjashtohet klasa ushtarako-administrative dhe klerikët myslimanë, të cilët nuk regjistroheshin në defterët osmanë, sepse nuk bënin pjesë në popullsinë taksapaguese). Ndryshe nga qytetet e lartpërmendura, që në vitin 1485 qyteti i Shkodrës numëronte 26 shtëpi myslimane, ndërsa qyteti i Pejës 23 syresh. Për më tej, në qytetin e Vuçiternës më 1487 ekzistonte bashkësia e myslimanëve me 33 shtëpi nga 107 shtëpi që kishte gjithsej qyteti; po këtë vit, në qytetin e Prishtinës numëroheshin 51 shtëpi të islamizuara nga 299 shtëpi që kishte gjithsej qyteti; ndërsa qyteti i Tetovës që më 1468, kishte të regjistruara 41 shtëpi të kthyera në islame nga 264 shtëpi që numëronte gjithsej ky qytet.
Islamizimi i popullsisë së qyteteve shqiptare kryhej përmes dy rrugëve: e para, nëpërmjet kalimit në islam të vetë popullsisë banuese nëpër qytete dhe, e dyta, përmes lëvizjes mekanike të popullsisë fshatare drejt qyteteve. Veçanërisht për disa qytete rruga e dytë, d.m.th., ardhja në qytet e elementëve të sapoislamizuar nga rrethinat fshatare, evidentohet qartë në dokumentacionin historik të kohës. Gjallërimi i veprimtarisë ekonomike në qytete krijoi mundësi për ardhjen dhe punësimin këtu të zejtarëve të specialiteteve të ndryshme nga fshatrat përreth. Mirëpo për personat e ardhur nga fshati përqafimi paraprak i islamit donte të thoshte lehtësim i hyrjes së tyre në qytet, pas së cilës ata fitonin edhe statusin e qytetarit (shehirliut).
Shembullin më të qartë të shtimit të popullsisë qytetare me kontingjente njerëzish të islamizuar me prejardhje nga fshati, rrjedhimisht të përparimit të procesit të islamizimit në qytetet shqiptare, e japin qyteti i Beratit dhe ai i Elbasanit. Në vitin 1583 në të parin janë regjistruar 185 zejtarë myslimanë të ardhur nga fshatra të ndryshme, si Fratar, Gjerbës, Tozhar, Dobronik, Gjeqar etj., ndërsa në Elbasan janë regjistruar 39 zejtarë të tillë (hajmanagân).
Edhe pse zhvendosja e mjaft elementëve zejtarë nga rrethinat fshatare drejt qyteteve luajti rol jo të paktë në formimin e popullsisë myslimane të qyteteve, vendin kryesor në këtë proces e zinte islamizimi gradual i vetë popullsisë qytetare. Këtë e tregon më së miri shtesa natyrore e popullsisë së krishterë, e cila sa vinte e pakësohej, pasi një pjesë e rëndësishme e kësaj popullsie del të jetë kthyer në besimin islam. Një karakteristikë e dukshme e pamjes fetare të popullsisë qytetare gjatë shek. XVI-XVII ishte edhe fakti se zejtarët formonin përqindjen kryesore të popullsisë së islamizuar, gjë që flet për rolin e rëndësishëm të zejtarisë në jetën ekonomike të qyteteve shqiptare pas vendosjes së sundimit osman. Kjo pjesë e popullsisë dallohet qartë në regjistrimet osmane, sepse pas ose përpara emrave të banorëve myslimanë të regjistruar, shënohen emrat e zejeve përkatëse.
Pavarësisht nga dallimet që vihen re në intensitetin e islamizimit të popullsisë së qyteteve shqiptare, diagrama e këtij procesi gjatë shek. XVI ishte në ngjitje të pandërprerë. Në dhjetëvjeçarët e fundit të këtij shekulli një pjesë e rëndësishme e kësaj popullsie kishte kaluar në islamizëm. Feja e re kishte shënuar sukses të madh në qytete të tilla të rëndësishme, si Shkodra (në këtë kohë ishte islamizuar 100%), Peja (90%), Vuçiterna (80%), Elbasani (79%), Tetova (71%), Kërçova (65,5%), Kruja (63%), Berati dhe Prishtina (me nga 60%), Prizreni (55,9%), Dibra (51%), Tepelena (50%), Përmeti (41%), Novobërda (37%), Struga (24%), Vlora (23%), Korça dhe Trepça (me nga 21%), Janieva (14%), Delvina (4%) etj.
Nga shqyrtimi i ritmeve të procesit të islamizimit të popullsisë qytetare gjatë shek. XV-XVI, del se dinamika e këtij procesi paraqitej veçanërisht e shpejtë në qytetet e Kosovës. Një gjë e tillë shpjegohet, midis të tjerash, me rrethanat politike të veçanta që ekzistonin në Kosovë në momentet e vendosjes së sundimit osman. Popullsia shqiptare e Kosovës ndodhej kësaj kohe nën sundimin politik të shtetit serb, ndërsa pushtetin fetar këtu e ushtronte kryesisht Patrikana Serbe e Pejës. Për rrjedhojë, likuidimi i sundimit serb dhe dobësimi i pozitave të kishës serbe me vendosjen e sundimit osman, u dha rast banorëve të krahinës që t’i shpëtonin ndikimit të kishës së lartpërmendur, duke përqafuar fenë islame si një nga mjetet e shprehjes së dallimit të tyre etnik nga serbët. Nga ana tjetër, shkalla e lartë e islamizimit të hershëm (shek. XV-XVI) të qyteteve shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoni (për këtë të fundit mund të përmenden Tetova dhe Kërçova) është fakt mjaft domethënës për të treguar pavërtetësinë e tezës së historiografisë serbe dhe joserbe, sipas së cilës rajoni i Kosovës dhe ai i Maqedonisë Perëndimore u janë nënshtruar ndryshimeve etnofetare në dobi të “shqiptarizimit” dhe “islamizimit”, si pasojë e “shpërnguljeve” të popullsisë sllave (desllavizimit) pas ngjarjeve të fundit të shek. XVII dhe dyndjes drejt këtyre rajoneve të popullsisë shqiptare të malësive veriore e lindore.
Ndërsa në pjesën qytetare të popullsisë shqiptare feja islame u përhap me ritme relativisht të shpejta, veçanërisht gjatë gjysmës së dytë të shek. XVI, dukuria e apostazisë (lëshimit të fesë) ende kësaj kohe nuk ishte karakteristike për popullsinë fshatare. Dallimet e mëdha midis popullsisë qytetare dhe asaj fshatare përsa i përket shkallës së islamizimit, duken në faktin se në fundin e shek. XVI përqindja e islamizimit të së parës kapte shifrën 49% në një kohë që e dyta ishte islamizuar vetëm në rreth 17% të saj. Megjithatë, kalimi tërësisht në islam i parisë shqiptare, konsolidimi i pozitave të fesë islame në qytete nëpërmjet depërtimit masiv të saj në radhët e popullsisë qytetare, ishin premisa të fuqishme për shpejtimin e ritmeve të islamizimit edhe në pjesën fshatare të popullsisë.
Është për këtë arsye që, duke filluar nga shek. XVII, burimet historike flasin për braktisje masive të fesë së krishterë dhe përqafimit të islamit edhe nga popullsia fshatare. Gjatë kësaj kohe fshatra të tëra kaluan në fenë islame. Në mjaft fshatra të tjera vërehet rënie e dukshme në numrin e shtëpive të krishtera nga njëra anë, dhe shtim i shtëpive myslimane, nga ana tjetër. Kështu, p.sh., në vilajetin e Prishtinës numri i shtëpive të krishtera në vitin 1688 ishte pakësuar 49% në krahasim me numrin e shtëpive të regjistruara në vitet 1551-1555, ndërsa në vilajetin e Novobërdës kjo shifër shkonte deri në 73%. Vetëm brenda viteve 1620-1624 në 200 fshatra të rrethit të Prizrenit ishin islamizuar 3 000 banorë.
Në vitin 1624 në tërë dioqezën katolike të Tivarit nuk numëroheshin më shumë se 2 000 banorë të besimit katolik, ndërkohë që në qytetin me të njëjtin emër, kishte mbetur vetëm një kishë e ritit të lartpërmendur, e cila mundi të shërbente si e tillë deri në fund të shek. XVII. Feja islame kishte bërë për vete më shumë besimtarë meshkuj sesa femra. Aty nga mesi i shek.XVII ky tipar i procesit të islamizimit dukej mjaft qartë, po të mbahet parasysh se shumicën e bashkësisë së krishterë shqiptare në këtë kohë e formonin femrat, ngaqë popullsia mashkullore kishte përqafuar më masivisht fenë e re. Sipas një relacioni të kreut të Arkipeshkvisë së Tivarit V. Zmajeviç, përpiluar më 1703, procesi i islamizimit në dioqezat e përfshira brenda juridiksionit të Arkipeshkvisë së lartpërmendur (Shkodra, Pulti, Zadrima, Lezha dhe Durrësi) kishte arritur në kuota të konsiderueshme. Kështu në 109 fshatra të dioqezës së Shkodrës mesatarisht ishte islamizuar 51% e popullsisë, në 52 fshatra të Zadrimës (Sapës) 20%, në 69 fshatra të Lezhës 11%, ndërsa në 114 fshatra të Durrësit 49%. Në vitet 20 të shek. XVIII, në nahijet dhe në kazatë e Shqipërisë së Mesme popullsia, pothuajse tërësisht, kishte përqafuar besimin islam. Gjatë shek. XVIII edhe popullsia e krahinave të Shqipërisë Jugore u fut në rrugën e islamizimit masiv. Në vitet 1735-1740 pjesa dërrmuese e banorëve të Vlorës, Beratit dhe të krahinave përreth lëshoi fenë ortodokse dhe kaloi në fenë islame.
Vrojtimi i dinamikës së procesit të islamizimit tregon se rreth mesit të shek. XVIII struktura e re fetare e popullit shqiptar, d.m.th. përpjesëtimet sasiore midis popullsisë së krishterë dhe asaj të islamizuar, kishin arritur pak a shumë në nivele të qëndrueshme, të cilat, me ndryshime të pakta, do të ruhen deri në ditët tona. Kalimet e mëvonshme në islam, nga ana numerike nuk ishin të asaj shkalle sa të kishin ndikime të ndjeshme në strukturën konfesionale të popullit shqiptar.
Pranimi i islamit nga një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së krishtere shqiptare ishte një proces që nuk u zhvillua gjithnjë e gjithkund pa reagime. Një nga format e qëndresës ndaj depërtimit të fesë së re ishte krishterimi i fshehtë (kriptokristianizmi). Krishterimi i fshehtë përfaqësonte një gjendje kalimtare dybesimi, përmes së cilës individë të krishterë e pranonin islamin vetëm formalisht, me qëllim që të shmangnin pagesën e taksës së xhizjes (haraçit) dhe të gëzonin barazinë me popullsinë myslimane në jetën shoqërore. Ndërsa në publik këta individë paraqiteshin si myslimanë që mbanin emra të sferës islamike, shkonin në xhami etj., në familje, fshehtas, ata ushtronin ritin e krishterë.
Në shumë raste, nga një familje e pranonte fenë islame vetëm kryetari i saj, përfaqësues i familjes në marrëdhëniet me pushtetin osman, ndërsa pjesëtarët e tjerë të familjes mbeteshin të krishterë. Në këtë mënyrë, në disa krahina popullsia e të cilave në dukje ishte islamizuar, në të vërtetë për një farë kohe vijoi të ruhej fshehtas feja e krishterë.
Krishterimi i fshehtë ishte një dukuri e pranishme si në mesin e popullsisë katolike, ashtu edhe të asaj ortodokse. Veçanërisht gjatë shek. XVI-XVIII gjendja e krishterimit të fshehtë iu imponua popullsisë katolike shqiptare. Duke bashkëpunuar më ngushtë me fuqitë katolike të Perëndimit për t’u çliruar nga sundimi osman, sidomos me rastin e luftërave veneto-austro-osmane të vitit 1683-1690 etj., mjaft individë të besimit katolik, për t’i shpëtuar ndëshkimit të pushtetit osman pas mbarimit të luftërave në fjalë, pranonin publikisht fenë islame duke ruajtur fshehtas besimin e krishterë.
Numri i katolikëve të fshehtë (laramanëve) u shtua sidomos pas luftës midis Austrisë dhe Perandorisë Osmane të viteve 1737-1739. Pas tërheqjes së forcave austriake drejt veriut, kryengritësit shqiptarë të udhëhequr nga arkipeshkvi Mihal Suma mbetën të vetmuar përballë ndëshkimit të pushtetit osman. Për t’u shpëtuar masave ndëshkuese të autoriteteve osmane, një pjesë e banorëve katolikë të Shqipërisë Veriore pranoi formalisht fenë islame, duke praktikuar fshehurazi besimin e krishterë.
Ekzistenca e dukurisë së krishterimit të fshehtë në radhët e popullsisë katolike herë pas here shkaktonte debate dhe pështjellim në mesin e klerit katolik kur ishte fjala për administrimin e shërbesave fetare për individët që ndiqnin fshehurazi ritin katolik. Vëmendje të veçantë kësaj çështjeje i kushtoi edhe Koncili i Arbënit (Kuvendi Kishtar Shqiptar), i mbledhur në afërsi të Lezhës më 1703, me nxitjen e drejtpërdrejtë të papa Klementit XI. Ky forum, që u kryesua nga arkipeshkvi i Tivarit V. Zmajeviç, vendosi që t’u jepej fund dilemave për këtë çështje, duke urdhëruar që në të ardhmen individët, të cilët publikisht silleshin si myslimanë dhe privatisht i përmbaheshin fesë së të parëve të vet, të braktisnin islamin dhe publikisht të ushtronin krishterimin, në mënyrë që kështu ata të gëzonin të drejtën e shërbesave të shenjta (sakramenteve). Për të krishterët katolikë, që kishin lëshuar besimin dhe kishin përqafuar islamin në momente të veçanta dëshpërimi, u vendos që shërbesat e shenjta t’u jepeshin vetëm pasi ata të deklaroheshin hapur si përpara kishës, ashtu dhe autoriteteve osmane për kthimin në besimin e mëparshëm. Klerikëve katolikë u ndalohej që të kryenin shërbesat për gratë katolike të martuara me burra të islamizuar, si dhe për gratë, burrat e të cilave ishin islamizuar pas martesës. Megjithatë, në praktikë kryerja e shërbesave të shenjta edhe për këto kategori personash në përgjithësi vijoi të zbatohej deri në vitin 1744, kur për këtë qëllim doli një dekret i veçantë papal. Dekreti në fjalë lejonte vetëm pagëzimet e fëmijëve të kriptokristianëve në momentet kur këta të fundit ishin duke vdekur.
Qëndrimi i Kishës Ortodokse ndaj kriptokristianëve ishte më i butë sesa ai i Kishës Katolike. Gjatë procesit të islamizimit në rrjedhën e shekujve edhe në mesin e popullsisë ortodokse shqiptare kishte me shumicë individë të islamizuar, të cilët fshehurazi ndiqnin ritin e krishterë. Mirëpo këta individë nuk u privuan nga shërbesat kishtare të klerit ortodoks.
Krishterimi i fshehtë përfaqësonte një situatë kalimtare në jetën e një pjese të popullsisë së islamizuar shqiptare, situatë e cila pas një kohe merrte fund me triumfin e besimit islam ose të atij të krishterë. Në përgjithësi kjo kategori njerëzish mbeti në besimin islam, por pati raste kur ajo iu rikthye krejtësisht krishterimit. Kështu ndodhi, p.sh., me popullsinë e krahinës së Shpatit në sanxhakun e Elbasanit. Banorët e kësaj krahine edhe pse fshehurazi mbanin emra të sferës së krishterë dhe vijonin të ndiqnin ritin ortodoks, në publik paraqiteshin me emra myslimanë dhe si të tillë njiheshin edhe nga autoritetet osmane. Kështu në dokumentet osmane të viteve 20 të shek. XVIII popullsia e krahinës së Shpatit përgjithësisht është regjistruar si popullsi e islamizuar. Vetëm në vitin 1832, kur qeveria osmane i thirri nën armë duke i konsideruar shtetas myslimanë, shpatarakët e deklaruan veten publikisht të krishterë, duke marrë përsipër të gjitha detyrimet që rridhnin nga një status i tillë.
Historia shqiptare
Sundimi Osman