Fuqizimi i pushtetit të feudalëve krahinorë. Oxhaqet shqiptare

Fuqizimi i pushtetit të feudalëve krahinorë. Oxhaqet shqiptare

Procesi i shndërrimit të pronës shtetërore të tokës në pronën feudale private dhe diferencimi i mëtejshëm në gjirin e shtresës feudale vendase shpunë, ashtu si në pjesët e tjera të perandorisë, në fuqizimin politik të çifligarëve nëpër sanxhakët shqiptarë dhe, rrjedhimisht, në dobësimin e pushtetit qendror në to.Duke pasur nevojë për forca ushtarake që të mund të përballonte rreziqet e brendshme e të jashtme, dhe duke qenë e detyruar që të siguronte me anën e feudalëve vendas shuma sa më të mëdha të hollash për të mbuluar shpenzimet gjithnjë në rritje, Porta e Lartë jo vetëm nuk mundi ta ndalte procesin e fuqizimit politik të feudalëve provincialë, por edhe u mbështet kryesisht tek ata më të fuqishmit. Sulltanët qenë të detyruar t’u besonin feudalëve të mëdhenj vendas detyrat më të rëndësishme administrative e ushtarake dhe t’i njihnin ata zyrtarisht si pari (si ajanë). Nga ana tjetër, kjo shtresë, ende e dobët, nuk kishte aspak ndërmend të shkëputej nga Stambolli. Përkundrazi, ajanët mundoheshin të përfitonin sa më shumë nga pushteti qendror për të dalë në krye të pushtetit provincial.

Si rrjedhim, sipas pasurisë dhe forcave të armatosura që dispononte, secili ajan kishte vendosur ndikimin e tij mbi një krahinë më të madhe a më të vogël, ku zakonisht ai kishte edhe çifligjet. Rreth ajanëve ishin grumbulluar çifligarë më të vegjël, kurse jashtë krahinës ata kishin lidhur krushqi e aleancë për ndihmë reciproke me feudalë të tjerë të mëdhenj. E mbështetur kryesisht mbi çifligjet e veta të trashëgueshme, mbi pasurinë monetare dhe mbi aleancat feudale, kjo shtresë e ajanëve e ndiente veten më pak të lidhur me pushtetin qendror sesa feudalët ushtarakë. Familjet e këtyre ajanëve formuan në Shqipëri një elitë aristokrate feudale, oxhaqet.

Nga këto oxhaqe, disa ishin ngritur në këtë pozitë shoqërore pasi u bënë pronarë të mëdhenj çifligjesh dhe sipërmarrës kryesorë të taksave. Ata fituan gjithashtu grada pashallarësh e vezirësh, sipas funksioneve që u detyrua t’u jepte pushteti qendror. Të tilla oxhaqe ishin dyert e Kryezinjve në Gjakovë, të Biçakçinjve në Elbasan etj. Kurse oxhaqet e Begollajve në Pejë, të Bushatllinjve në Shkodër, të Toptanëve në Krujë, të Asllanpashallive në Janinë e në Gjirokastër etj., kishin qenë familje feudale ushtarake të vjetra e me funksione të larta. Duke shfrytëzuar ofiqet e tyre, këto familje u pasuruan, krijuan çifligje dhe, ndryshe nga e kaluara, burimin e fuqisë tashmë e kishin kryesisht te këto prona, dhe jo aq te funksionet e dhuruara nga sulltani.

Nga këto familje Porta detyrohej të zgjidhte funksionarët e vet për qeverisjen e sanxhakëve, sepse vetëm ato ishin në gjendje ta kryenin këtë detyrë në sajë të marrëveshjes me ajanë të tjerë të sanxhakut. Ajani më i fuqishëm, që ngarkohej me detyrën e qeveritarit, që kishte ofiqet administrative nëpër krahinat e sanxhakut, ua ndante komandat e kështjellave dhe sipërmarrjet e dyta të taksave të besuarve të tij nga paria e këtyre krahinave. Kishte ikur tani ajo kohë kur pushteti qendror dërgonte nëpër sanxhakët shqiptarë njerëzit e vet dhe vendasit i bindeshin. Pati raste kur Porta e Lartë emëronte si qeveritarë përfaqësues nga oxhaqet e fuqishme të sanxhakëve fqinjë, por as këta nuk mund ta mbanin pushtetin pa përkrahjen e ajanëve më të fuqishëm vendas.
Shtresa e ajanëve përbënte tani shtyllat e pushtetit nëpër sanxhakët shqiptarë. Kjo ishte shprehje e qartë e dobësimit të pushtetit qendror osman në periudhën para formimit të pashallëqeve të mëdha në vendin tonë.

 Historia shqiptare
 Sundimi Osman

 

[cite]