Lufta e parisë vendase për pushtet
Fuqizimi ekonomik e politik i shtresës së ajanëve nuk u arrit pa konflikte me pushtetin qendror, që e kishin burimin në mospërfilljen e interesave të tij, pa qëndresën e vazhdueshme e shpeshherë të armatosur të fshatarësisë dhe pa grindje e luftime të ashpra e të gjata në gjirin e vetë parisë vendase. Të gjitha këto u bënë shkak që i gjithë vendi u fut për një kohë të gjatë në një gjendje anarkie gjithnjë e më të rëndë, pasojat negative të së cilës u pasqyruan në përgjithësi në zhvillimin ekonomik e në veçanti në gjendjen ekonomike të popullsisë së thjeshtë të fshatit e të qytetit.
Një nga shkaqet e konflikteve të shpeshta në gjirin e shtresës feudale vendase ishin abuzimet e funksionarëve të mëdhenj në shpërndarjen e timareve. Këta, duke pasur si qëllim të grumbullonin rreth vetes sa më shumë pasues dhe të merrnin tapitë e tokave, të cilat synonin t’i akaparonin, propozonin për zotërim timaresh vakante njerëzit e tyre, pavarësisht nëse këta kishin timare të tjera. Këto shkelje, edhe pse shkaktonin qortime dhe madje ndëshkime nga ana e sulltanit, i cili disave u konfiskoi edhe pasurinë, nxisnin në radhë të parë zemërimin e spahinjve të zhveshur nga timaret. Këta spahinj, tashmë të shpronësuar, formonin zakonisht çeta të armatosura dhe hidheshin në sulm, digjnin e grabisnin prona çifligarësh të mëdhenj, prona shtetërore, qytete, ndërprisnin rrugët etj., dhe s’pyesnin për autoritetet qeveritare. Regjistrat e kadilerëve të qyteteve shqiptare tregojnë se grindjet shkaktoheshin edhe midis çifligarëve e spahinjve për faktin se çifligarët, pasi shtinin në dorë tapitë ose zinin ndonjë ofiq zyrtar me rëndësi, fillonin të mos u njihnin spahinjve të drejtat që u takonin si tapilëshues.
Mosmarrëveshje e konflikte të ashpra shkaktonin sidomos sipërmarrjet e taksave. Heqja e një sipërmarrjeje nga dora e një familjeje dhe dhënia e saj një tjetre, që ofronte më shumë ose kishte miq më të fortë në Stamboll, pasohej zakonisht me turbullira. Nga interesat që kishin familjet e fuqishme me sipërmarrjet, përcaktoheshin edhe aleancat dhe kundërshtinë midis tyre. Të pakënaqurit, duke bashkëpunuar me tarafet e veta, u krijonin rivalëve vështirësi të mëdha. Ato në raste të veçanta, sikurse feudalët e shpronësuar, dërgonin kundër objekteve të sipërmarrjeve shtetërore ose pronave të rivalëve banda të armatosura. Këto formoheshin nga çetat e feudalëve të shpronësuar, nga ato të krerëve ushtarakë malësorë dhe në disa raste nga luftëtarë me rrogë të liruar pas përfundimit të luftërave, të cilëve nuk u ishin dhënë plotësisht pagesat që u takonin. Krerët e Matit, nga familjet e Zogollëve dhe e Çelajve me rreth njëmijë veta, të lidhur fshehurazi me zëvendësin e qeveritarit të sanxhakut të Manastirit, që deshi të diskreditonte eprorin dhe rivalin e vet për postin e mytesarifit të Manastirit, në vitin 1711 sulmuan e plaçkitën dy herë këtë qytet dhe penguan grumbullimin e taksave. Në gusht të vitit 1712 disa feudalë të vegjël peqinas, të cilët kishin tre vjet që cenonin rendin në qytetin e Peqinit, duke prerë rrugën tregtare të Durrësit dhe duke grabitur kripën e shtetit, që shpihej me karvan në Elbasan, dëmtuan rëndë sipërmarrësin e të ardhurave të skelës së Durrësit. Në maj-qershor të vitit 1714, feudalët frashërllinj, përmetarë e kolonjarë dhunuan Voskopojën, Shipskën etj., duke grabitur bagëti e plaçka deri te vathët e grave. Në të njëjtën kohë, çeta prej 200-400 vetash nga Margëllëçi e Kuçi grabitën e dogjën dajlanin e Prevezës dhe shkatërruan çifligjet e fshatrat përreth.
Në disa raste antagonizmi ndërfeudal arrinte deri atje saqë, përfaqësues të feudalëve, përkrahnin lëvizjet fshatare kundër pagimit të taksave për të dëmtuar rivalët, sikurse ndodhi në vitet 1703-1704 dhe në vitet 1714-1715.
Nga të gjitha këto forma të grindjeve feudale përfitonin në fund të fundit familjet më të fuqishme, oxhaqet. Këto shfrytëzonin forcat e feudalëve të vegjël, që i merrnin në mbrojtje kur ua kishin nevojën dhe i futnin nën varësinë e tyre, ose i luftonin ato me anë të forcave ushtarake qeveritare kur nuk ua kishin nevojën. Kështu oxhaqet forcuan pozitat e veta dhe u bënë jo vetëm shtyllat e pushtetit krahinor në sanxhaqe, por edhe mbështetja kryesore e pushtetit qendror, i cili tashmë nuk bënte dot pa ta.
Disa përfaqësues më të fuqishëm oxhaqesh nga radhët e ajanëve të krahinave, Porta e Lartë i ngarkonte me detyrën e qeveritarit të sanxhakut. Por, qoftë për të frenuar fuqizimin e tyre, qoftë për të marrë shpërblime nga ata, qoftë edhe për të ndëshkuar të pabindurit, ajo brenda një ose dy viteve i shkarkonte dhe emëronte rivalët e tyre. Familje të tilla rivale, në gjysmën e parë të shek. XVIII, kishte pothuajse në çdo sanxhak: në sanxhakun e Shkodrës ishin Çaushollajt e Bushatllinjtë; në atë të Dukagjinit ishin Begollajt e Pejës dhe Kryezitë e Gjakovës; në sanxhakun e Elbasanit ishin Vërlacët e Biçakçinjtë; në atë të Beratit ishin Vlorajt, Velabishtajt e Ngurzajt; në sanxhakun e Delvinës ishin Asllanpashallitë e Kokajt; në atë të Janinës ishin gjithashtu Asllanpashallitë e Alizotajt.
Secila nga këto familje feudale, e mbështetur në tarafet e veta e që përbëheshin nga feudalë më të vegjël dhe nga bylykbashë e krerë ushtarakë malësorë të krahinave, si dhe nga udhëheqës esnafesh nëpër qytete, përpiqej të merrte e të ruante pushtetin në vend në kundërshtim me politikën e ekuilibrimit të forcave rivale që ndiqte Porta e Lartë. Si pasojë, konfliktet u shtrinë në gjithë vendin, çrregullimet kapnin gjithë aparatin shtetëror, pasiguria e jetës dhe e pasurisë kërcënonte këdo, zhvillimi ekonomik pengohej për kohë të tëra.
Në sanxhakun e Shkodrës, për shkak të rivalitetit midis familjes së Bushatllinjve dhe asaj të Çaushollajve, në vitet 30 të shek. XVIII mundën të sundonin familjet kryesore të sanxhakut të Dukagjinit, ajo e Begollajve të Pejës dhe ajo e Kryezinjve të Gjakovës. Rivale midis tyre edhe për pushtetin e sanxhakut të Dukagjinit, këto dy familje arritën të qeverisnin në Shkodër duke u mbështetur herë te Bushatllinjtë e herë te Çaushollajt, pa siguruar qetësinë e domosdoshme. Në vitet 40, nevoja për t’i dhënë fund anarkisë i zhvendosi forcat e brendshme, esnafet dhe malësorët, në favor të Çaushollajve, të cilët qeverisën thuajse pesëmbëdhjetë vjet me ndonjë ndërprerje të vogël. Megjithatë, as këta nuk mundën ta shuanin grindjen me Bushatllinjtë derisa këta të fundit arritën të grumbullonin rreth tyre masën kryesore të zejtarëve e të malësorëve dhe, në vitin 1755, i dëbuan përfundimisht Çaushollajt nga Shkodra. Bushatllinjtë, të mbështetur nga shumica e shtresave shoqërore të qytetit dhe të krahinës, jo vetëm nuk e lëshuan më pushtetin nga duart e tyre, por duke e shtrirë atë mbi sanxhakët e Shqipërisë Veriore, u dhanë fund grindjeve të feudalëve lokalë, të cilët i nënshtruan me dhunë ose me marrëveshje.
Në Shqipërinë Jugore, lufta për pushtet vazhdoi më gjatë. Në sanxhakun e Beratit, deri më 1764, ajo u zhvillua kryesisht midis familjes së vjetër të Vlorajve dhe degës së saj në Berat, Velabishtajve, kur atë e mori një familje e tretë, ajo e Ngurzajve që përkrahte Velabishtajt. Por edhe Ngurzajt nuk mundën ta mbanin pushtetin veçse gjer më 1788, kohë në të cilën kundërshtarët e tyre e morën dhe e mbajtën deri në 1810, kur thuajse gjithë Shqipëria Jugore ra nën sundimin e vezirit të Janinës, Ali pashë Tepelenës. Ashtu si Bushatllinjtë, edhe ky pasha i fuqishëm i kishte dhënë fund luftës për pushtet si në sanxhakun e Janinës (1787), ku grindeshin Asllanpashallitë me Alizotajt, ashtu dhe në sanxhakun e Delvinës, ku mosmarrëveshjet midis familjeve rivale vendase nuk reshtën thuajse gjatë gjithë shek. XVIII.
Historia shqiptare
Sundimi Osman