Lufta për pushtet në Shqipërinë Jugore
Ashtu si në Shqipërinë Veriore, edhe në atë Jugore, anarkia nxiti veprimtarinë politike të familjeve të vjetra feudale, të cilat ishin nga më të fuqishmet. Në sanxhakun e Vlorës familjet rivale për pushtetin lokal ishin ajo e pashallarëve të Vlorës dhe dega e tyre, familja e Velabishtajve, që ishte vendosur në fshatin Velabisht, afër Beratit. Që të dyja përpiqeshin të shtinin në dorë jo vetëm pushtetin e sanxhakut të Vlorës, por edhe atë të sanxhakut të Delvinës. Në gjysmën e parë të shek. XVIII më shpesh sunduan pashallarët e Vlorës, por, me lidhjet që krijoi Mahmud pashë Velabishti me feudalët e vegjël të Tepelenës, të Përmetit, të Skraparit etj., edhe ky nuk mbeti pa e marrë pushtetin kohë mbas kohe. Që nga viti 1751 e gjer nga vjeshta e vitit 1759 sanxhakun e Vlorës dhe, shpeshherë, edhe atë të Delvinës, i qeverisi i biri i Mahmud pashë Velabishtit, Ismail Pasha, i cili përkrahej nga një shtëpi tjetër feudale, ajo e Ngurzajve, përfaqësuesit e së cilës ishin nga ajanët kryesorë në Myzeqe. Në vitin 1754 Porta i dha Ismail Pashës gradën e vezirit bashkë me qeverisjen e sanxhakut të Ohrit dhe me komandën e derbendëve. Ajo synonte që, duke bashkuar nën urdhrat e tij sa më shumë forca feudale vendase, të nënshtronte popullsinë e Shqipërisë Jugore, dhe kështu të mund të kryhej vjelja e taksave shtetërore, sepse banorët e disa zonave malore kishin vite të tëra pa paguar taksat. Ismail Pasha, sikurse edhe i ati, përveç lidhjeve me feudalët beratas e myzeqarë, ruajti edhe lidhjet që vazhdimisht kishte pasur familja e tij me feudalët e vegjël të zonave malore, shumica e të cilëve komandonte reparte ushtarësh me rrogë, aq të nevojshëm për të ruajtur grykat dhe rrugët.
Më 1758 sulltani urdhëroi vezirin e Beratit të nisej vetë në krye të një ekspedite për të vjelë taksat në sanxhakët e Vlorës dhe të Delvinës dhe “për të nënshtruar rebelët, duke vendosur kështu rendin e qetësinë”, por në të njëjtën kohë, kinse për t’i lënë vezirit duart e lira, e shkarkoi atë nga komanda e derbendëve, që e bënte shumë të fuqishëm dhe të rrezikshëm. Meqë ky urdhër çonte në shkatërrimin e mbështetjes së vezirit të Beratit në zonat malore të dy sanxhakëve dhe u jepte dorë Vlorajve që të bënin për vete malësorët derbendxhinj, Ismail Pasha nuk iu bind atij. Valiu i Rumelisë, më 1759, dërgoi kundër tij zëvendësin e vet. Atëherë Ismail Pasha u arratis bashkë me tre besnikë, ndër të cilët ishte i kunati, Ahmet Kurt beu i Ngurzajve.
Meqenëse familja e Vlorajve e përfaqësuesit e Stambollit nuk gjenin mbështetje nga ajanët vendas, Porta e Lartë u detyrua ta falte Ismail Pashën në vjeshtën e vitit 1761 dhe t’i njihte atij privilegjet që gëzonte dy vjet më parë. Edhe ky, meqë nuk ishte në gjendje t’u imponohej feudalëve beratas e myzeqarë, e pranoi faljen. Por Ismail Pasha nuk e la pa shfrytëzuar këtë dobësi të pushtetit qendror për të nënshtruar krahinën e Vlorës bashkë me pinjollët e familjes së Vlorajve, që ishin të mitur dhe nën tutelën e nënës së tyre, të vesë së Kapllan pashë Vlorës, kushëririt të tij. Në fillim të gushtit, Ismail Pasha u nis nga Berati me forcat e veta dhe hyri në qytetin e Vlorës pa luftë. Për t’ia arritur qëllimit, kërkoi dorën e vejushës së të kushëririt. Kjo e la me shpresën se pranonte të martohej me të, por ndërkohë përgatiti kurthin për ta vrarë. Kështu Ismail Pasha u rrethua prej forcave të saj në shtëpinë ku u vendos dhe, në luftim e sipër, u vra.
Vezir Ismail pashë Velabishtin e zëvendësoi i kunati, Ahmet Kurt pasha, që qeverisi sanxhakun për njëzet vjet rresht. Duke ruajtur pushtetin e vet, ky feudal ndoqi në përgjithësi një politikë bindjeje ndaj Stambollit dhe një politikë paqësore me oxhakun e Vlorajve. Ahmet Kurt pasha si derbend-pashë mbrojti interesat e feudalëve çifligarë dhe ndoqi pa mëshirë feudalët e vegjël, si dhe lëvizjet e tyre rebele kundër qyteteve, mukatave dhe pronave të çifligarëve të mëdhenj. Një nga viktimat e sulmeve grabitqare të tyre, gjatë luftës ruso-turke të viteve 1768-1774, u bë qyteti tregtar i Voskopojës.
Edhe në sanxhakët e Delvinës e të Janinës u zhvillua një luftë e gjatë dhe e ashpër për pushtet midis familjeve të mëdha vendase, e cila e futi Shqipërinë Jugore në një anarki të rëndë me rrjedhoja shkatërrimtare, veçanërisht për zhvillimin ekonomik. Kjo gjendje u dha mundësi disa familjeve më të vogla feudale të përfitonin për t’u fuqizuar dhe, duke marrë pjesë në grupet rivale, të krijonin tarafet e veta dhe të pretendonin për marrjen e pushtetit krahinor në duart e tyre. Një nga këto familje u bë ajo e Hysove të Tepelenës, e cila i përkiste shtresës së komandantëve ushtarakë apo të bylykbashëve, d.m.th. shtresës së atyre shtëpive feudale të zonave malore që nuk kishin prona të shumta tokësore. Këto mbaheshin e pasuroheshin kryesisht duke pajtuar e drejtuar njerëz me rrogë në shërbim të forcave të armatosura perandorake dhe të qeveritarëve të sanxhakëve brenda apo jashtë Shqipërisë, ose duke marrë nën mbrojtje fshatra e krahina kundrejt shpërblimesh. Ndryshe nga ç’pretendohet në disa gojëdhëna që i paraqisin me prejardhje anadollake, meqenëse i pari i tyre paska qenë një dervish i arratisur për krime nga rajoni i Anadollit, Hysot vinin nga një shtëpi e vjetër labe, të parët e së cilës kishin qenë të krishterë, por që u islamizuan pas pushtimit osman. Me rrënjë të vjetra në krahinën e Tepelenës, Hysot u dalluan si shtëpi bylykbashësh në fundin e shek. XVII, pikërisht kur Perandoria Osmane filloi të mbushte radhët e forcave të armatosura të saj me ushtarë me pagesë. Përfaqësuesi i saj në mbarim të shek. XVII deri në mesin e dhjetëvjetorit të dytë të shek. XVIII ishte Mustafa agë Hysoja ose Muço Hysoja. Në dokumentacionin e kohës ai përmendet herë si çaush jeniçerësh e herë si dizdar i kështjellës së Tepelenës, por kryesisht përmendet si një aga i pasur e i fuqishëm që ndiqej prej disa qindra trimash luftëtarë. Ai njihej gjithashtu si rebel dhe si një nga krerët e kryengritjes së Labërisë në vitet 1704-1714 për të mos paguar xhizjen, ndërsa djemtë e tij dalin si sipërmarrës të kësaj takse të rëndësishme shtetërore në krahinën e Myzeqesë dhe të Mallakastrës, të cilën mund ta vilnin, sidomos në periudhën e anarkisë feudale, vetëm feudalët më të fuqishëm. Muço Hysoja ishte një nga krerët labë më në zë dhe shtëpia e tij, njëra nga më të shquarat e Labërisë, që kishte filluar të ngjiste shkallët e hierarkisë së lartë administrative dhe të rivalizonte me oxhaqet kryesore të Shqipërisë Jugore në luftën për pushtetin politik.
Pjesëmarrja e Myftar bej Hysos si komandant ushtarak me rrogë në luftën veneto-osmane të viteve 1714-1718 dhe vrasja e tij në rrethimin e kështjellës së Korfuzit në vitin 1716 e rritën rolin e të birit, Veli Beut, si pretendent për kreun e sanxhakut të Delvinës. Ky pinjoll i Hysove, që kishte hyrë dhëndër në oxhakun e Mahmud pashë Konicës, arriti të ngrihej në radhët e mirmiranëve dhe në mesin e shek. XVIII u emërua qeveritar i sanxhakut të Delvinës me gradën pashë. Por grindjet për pushtet vijuan dhe u acaruan më tej, prandaj Veli pashë Hysoja nuk qëndroi gjatë në pushtet. Pas vdekjes së tij, rivalët mundën të kapnin edhe të venë e tij që e burgosën për disa muaj në qytetin e fortifikuar të Kardhiqit, për ta liruar pastaj kundrejt një shpërblimi e garancish të miqve të shtëpisë së Hysove. Sidoqoftë kjo shtëpi tashmë ishte në radhët e oxhaqeve shqiptare. Nën drejtimin e Ali Beut, djalit të Veli Pashës, ajo do të bëhej shtëpia më e fuqishme e Shqipërisë Jugore dhe e gjithë Shqipërisë.
Stërnipi i Muço Hysos dhe djali i Veli Pashës, Ali Beu, nuk e filloi karrierën e tij si hajdut rrugësh, sikurse mëtohet në gojëdhënat që janë pasqyruar në shumicën e literaturës së shkruar për jetën e Ali pashë Tepelenës (1740-1822), e sidomos për dyzetë vitet e para të jetës së tij. Përkundrazi, ai u rrit e u edukua si të gjithë djemtë e tjerë të oxhaqeve feudale të kohës së vet. Ali Beu u arsimua si një bir pashai dhe, duke u ndihmuar nga të afërmit dhe sidomos nga miqtë e shtëpisë së vet, që e kishin lidhur të ardhmen e tyre me atë të kësaj shtëpie të dëgjuar, u vu shpejt në krye të formacioneve ushtarake me pagesë të krahinës së vet aq të kërkuara nga qeveritarët e ndryshëm të sanxhakëve e sidomos nga valiu i Rumelisë. Si i tillë, ai u lidh me krushqi dyfishe me oxhakun feudal të Asllanpashallive të Gjirokastrës më 1768 dhe u bë një nga prijësit ushtarakë më të dëgjuar. Pa arritur moshën 40 vjeç, ai fitoi më 1784 gradën pashë në rreshtat e ushtrisë perandorake të Rumelisë. Po atë vit, për shkak se Selim pashë Koka kishte uzurpuar pushtetin e sanxhakut të Delvinës duke vrarë tre vjet më parë Mustafa Pashën e Delvinës, Porta e Lartë e emëroi mytesarif të këtij sanxhaku. Me këtë rast ai u urdhërua nga sulltani që, pasi të shtinte në dorë pushtetin, të ndëshkonte me vdekje fermanliun Selim pashë Kokën e përkrahësit e tij kryesorë dhe të vilte me forcë xhizjen e papaguar nga krahinat malore. Në krye të një fuqie ushtarake të madhe, me luftë dhe aspak me pabesi, pashai i ri zbatoi urdhrat e Portës së Lartë dhe në fundin e vitit 1784 mori në dorë pushtetin e sanxhakut të Delvinës. Pas të atit ai u bë pashai i dytë i familjes së Hysove që qeverisi këtë sanxhak. Edhe Aliu, që i përkrahu djemtë e Selim Pashës, nuk lejoi t’u konfiskoheshin çifligjet dhe nuk i arrestoi e i burgosi ata, siç pretendojnë, pa asnjë bazë, gojëdhënat, nuk u kufizua vetëm me sundimin në këtë sanxhak. Të ardhurat e atij sanxhaku të vogël nuk mjaftonin për të përballuar shpenzimet e ushtrisë së tij mjaft të madhe, prandaj Aliu synonte të shtinte në dorë sanxhakët më të rëndësishëm. Qysh në fillim të vitit 1785 kërkoi qeverisjen e sanxhakut të Tërhallës ose atë të Janinës. Më 1786 atij iu dha qeverisja e sanxhakut të Tërhallës dhe detyra e zëvendëskomandantit të derbendëve, kurse në mars të vitit 1787, kur vezir Ahmet Kurt pasha i Beratit vdiq i helmuar si aleat i Mahmud pashë Bushatlliut, atij iu besua detyra e komandantit të derbendëve. As i biri i vezirit të helmuar, Mehmet Pasha i Ngurzajve, dhe as kunati i këtij, Ibrahim Pasha i Vlorajve, që hynë në grindje midis tyre për punën e trashëgimit të pushtetit në sanxhakun e Vlorës, nuk ishin në gjendje të kryenin atë detyrë. Por Ibrahim Pasha, i cili arriti të merrte pushtetin në Berat, nuk mungoi ta kërkonte postin e derbend-pashës dhe të rivalizonte me Ali Pashën për një kohë të gjatë.
Duke përfituar nga mungesa e mytesarifit të sanxhakut të Janinës, Alizoi Pashës, që ishte larguar nga Shqipëria dhe ishte dërguar në frontin e luftës me Rusinë, pasi u mor vesh me Tahir Pashën e Asllanpashallive (që i kishte dhënë Aliut vajzën e vet për grua të dytë) dhe, duke pasur përkrahjen e shtresave të pasura të qytetit e të rrethit të Janinës që shihnin tek ai të vetmin qeveritar, që mund të vendoste e të ruante qetësinë, ashtu siç kishte bërë në Thesali, Ali Pasha i Tepelenës hyri në Janinë dhe vendosi sundimin e vet në fund të vitit 1787. Ai e vlerësonte drejt Janinën kur e quante “kyç të Shqipërisë”. Janina prej kohësh priste një qeveritar si ai për t’u bërë me të vërtetë kyç jo vetëm nga pikëpamja strategjike e administrative, por edhe nga ana ekonomike, duke u shndërruar në qendër e tregut ndërkrahinor të Shqipërisë Jugore.
Historia shqiptare
Sundimi Osman