Kuvendi i Beratit (nëntor 1828)

Kuvendi i Beratit (nëntor 1828)

Gjatë përgatitjeve që Porta e Lartë po bënte për të përballuar presionin e Fuqive të Mëdha në favor të çështjes greke, sulltani, ashtu si gjithë myslimanëve të perandorisë, edhe myslimanëve shqiptarë u bëri thirrje të rrëmbenin armët për të mbrojtur “fenë e shtetin”.
Mehmet Reshid pasha urdhëroi krerët feudalë të Shqipërisë Jugore të paraqiteshin në Janinë bashkë me luftëtarët e tyre. Këtij urdhri nuk iu bind së pari Iljaz Poda, megjithëse veziri anadollak i kishte dërguar njoftime se e kishte falur për qëndrimet e kaluara. Për ta bindur Iljaz Podën, ndërhyri edhe Porta e Lartë, e cila, në të njëjtën kohë, e kërcënoi se do ta ndëshkonte po të mos bindej. Iljazi nuk iu bind as Portës dhe, bashkë me krerët e tjerë që ndoqën shembullin e tij, filloi punën për t’i dëbuar Mehmet Reshid pashën dhe funksionarët e tjerë nga Shqipëria Jugore.
Ndërkohë kryengritja greke, që ishte çoroditur nga goditjet e forta të ushtrive osmane-egjiptiane, me përkrahjen e Fuqive të Mëdha filloi të ringjallej. Meqë në këtë kohë dhe ushtritë e Portës ishin larguar nga Moreja, ndërsa forcat e tjera osmane duke përfshirë edhe ato të Omer pashë Vrionit e të Ismail pashë Plasës ishin përqendruar në luftën me rusët, Stambolli urdhëroi Valiun e Rumelisë të organizonte një ekspeditë të re kundër grekëve. Por edhe kjo ekspeditë mund të ndërmerrej vetëm me ndihmën e feudalëve shqiptarë.
Feudalët shqiptarë, jo vetëm pse ushqenin simpati për çështjen greke, por edhe sepse ishin të bindur se ajo do të triumfonte, dhe pse e quanin me rrezik për interesat e tyre dhe për vendin, pjesëmarrjen në ekspeditë, nuk pranuan të angazhohen në luftën kundër Greqisë. Ata e shihnin këtë veprim si një nga rrugët për të dëbuar Mehmet Pashën dhe funksionarët e tjerë osmanë nga Shqipëria Jugore. Iljaz Poda, Ismail bej Vlora dhe Shahin bej Delvina, vendosën që për këtë çështje të thirrej një kuvend i gjerë i përfaqësuesve të krerëve shqiptarë. Ndërkaq, para se të mblidhej kuvendi, ata hynë në bisedime me qeverinë greke për të përcaktuar qëndrimin që do të mbanin të dyja palët në konfliktin që kishte shpërthyer. Gjatë bisedimeve të dyja palët u zotuan të mos sulmonin trojet e njëri-tjetrit.

Pas kësaj marrëveshjeje, në javën e parë të muajit nëntor 1828, u mblodh në Berat kuvendi i krerëve shqiptarë. Kuvendi i zhvilloi punimet e veta në mbledhje të fshehta, që zgjatën nga 6 deri më 8 të atij muaji dhe u mbajtën nën kryesinë e Ismail bej Vlorës, Iljaz Podës dhe Shahin bej Delvinës. Në kuvend u diskutua kryesisht për çështjen e qeverisjes dhe u theksua se funksionarët osmanë kishin përqendruar në duart e tyre të gjitha privilegjet, duke dëbuar vendasit. Prandaj u vendos që të thyhej autoriteti i vezirit nga Kytahijaja e Anadollit, ta largonin atë nga qeverisja e Shqipërisë dhe nëse ai do të zëvendësohej me të tjerë, edhe këta të dëboheshin duke u krijuar pengesa, derisa pushteti i vendit të përqendrohej në dorën e shqiptarëve. Mendohej që ky synim të arrihej para se Stambolli të zgjidhte mosmarrëveshjet e veta me Fuqitë e Mëdha, sepse kur Mehmet Reshid pashës t’i liroheshin duart, u tha në kuvend, ai do të hakmerrej ashpërsisht ndaj tyre dhe do ta nënshtronte vendin duke përdorur shqiptarët kundër shqiptarëve.

Më 9 nëntor, të dërguar nga Mehmet Reshid pasha, mbërritën në Berat, Sulejman bej Konica dhe Tahir aga Abazi, që kërkuan përgjigjen e shqiptarëve ndaj thirrjes së vezirit. Krerët e kuvendit i kthyen prapa duke u kumtuar se përgjigjen do t’ia jepnin vezirit me gojë në Zicë, ku do të paraqiteshin me forcat e tyre. Ata mendonin t’i njoftonin Mehmet Reshid pashës se pranonin të merrnin përsipër mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë Jugore me forcat e tyre, por me kusht që, përveç sigurimit të ushqimit dhe municioneve, t’i jepej sanxhaku i Vlorës për qeverisje Ismail bej Vlorës, sanxhaku i Delvinës Shahin bej Delvinës dhe derbendët e sanxhaku i Tërhallës, Iljaz bej Podës. Ndërsa për trupat që do të nevojiteshin për t’u përdorur jashtë kufijve të Shqipërisë Jugore, kundër trupave franceze ose greke, kërkonin sigurimin e pagave të ushtarëve. Kërkesat e krerëve të kuvendit synonin në të vërtetë dëbimin e Mehmet Reshid pashës dhe të funksionarëve osmanë nga Shqipëria Jugore.
Mehmet Reshid pasha, që u informua mbi vendimet e kuvendit nga një agjent i tij i fshehur në radhët e pjesëmarrësve të kuvendit, nuk u paraqit në Zicë, por dërgoi tre përfaqësues të tij. Krerët e kuvendit të Beratit e kuptuan këtë shmangie të vezirit, ndaj u larguan dhe nuk morën pjesë në ekspeditë, që nuk u arrit të ndërmerrej. Sipas shembullit të tyre edhe feudalët çamë, që kishin pranuar në një farë mënyre të shkonin nën urdhrat e Mehmet Reshid pashës, jo vetëm hoqën dorë, por dëbuan forcat dhe përfaqësuesit e tij nga Paramithia. Ky veprim shënoi fillimin e lëvizjes feudale shqiptare për vetëqeverisjen e vendit si në kohën e Ali pashë Tepelenës.

I demoralizuar nga dështimi që pësoi dhe i shqetësuar se mos dëbohej me forcë, Mehmet Reshid pasha edhe këtë herë kërkoi të hiqej nga postet që mbante. Mirëpo Porta e Lartë nuk e pranoi këtë kërkesë dhe, meqenëse feudalët shqiptarë u mjaftuan vetëm me këto akte dhe nuk ndërmorën veprime për të pastruar sanxhakun e tyre nga funksionarët osmanë, Stambolli hartoi një plan tjetër, për të vrarë krerët kryesorë shqiptarë – Ismail bej Vlorën dhe Iljaz Podën, dhe të shpërndante kështu besëlidhjen e Beratit, ta shtypte atë ose ta detyronte t’u bindej urdhrave të pushtetit qendror. Për t’ia arritur këtij qëllimi, u përhap fjala se Mehmet Reshid pasha do të hiqej nga detyra e vet për shkak se u tregua i pazoti për ta bërë Besëlidhjen Shqiptare një mbështetje të perandorisë në periudhën e krizës së asaj kohe. Njëkohësisht iu dërguan Ismail bej Vlorës fermani i emërimit të tij si qeveritar i sanxhakut të Vlorës me gradën pashë me dy tuja dhe Iljaz bej Podës, fermani i emërimit të tij si komandant i përkohshëm i Janinës derisa të mbërrinte aty Ismail bej Tepelena.

Ismail bej Vlora ra në kurthin e kurdisur dhe shkoi në Janinë, ku më 5 janar 1829, kur po ngjiste shkallët e sarajit, u vra nga njerëzit e Mehmet Reshid pashës. Ndërsa Iljaz Poda shpëtoi, sepse nuk shkoi në Janinë. Por vrasja e Ismail bej Vlorës nuk i vërtetoi shpresat e Portës së Lartë për të nënshtruar shqiptarët. Përkundrazi, lëvizja mori karakterin e një revolte të vërtetë, që u shoqërua me dëbimin e funksionarëve osmanë dhe me vendosjen e pushtetit të parisë shqiptare në krahinat përreth Janinës, në Zagori, Konicë, Mecovë. Qëllimi ishte që Mehmet Reshid pasha të largohej. Ky i fundit, pasi i kumtoi Portës se për të nënshtruar shqiptarët duheshin përdorur forca të mëdha ushtarake, u përgatit të largohej nga Shqipëria. Ndërkohë, sulltani e ngarkoi me detyrën e Vezirit të Madh dhe të kryekomandantit të ushtrisë në luftën kundër Rusisë. Ky vendim u shpall në Janinë më 6 shkurt 1829.

 Historia shqiptare
 Sundimi Osman

 

[cite]