Arsimi dhe kultura në qytetin e Voskopojës

Arsimi dhe kultura në qytetin e Voskopojës

Në shek. XVIII, një sërë qytetesh shqiptare, si Shkodra, Prizreni, Prishtina, Elbasani, Berati njohën një zhvillim kulturor të dukshëm për kohën e pushtimit osman, u pajisën me shkolla dhe me vepra të arkitekturës artistike. Ky zhvillim qe më i theksuar në qytetin malor të Voskopojës, një nga më të rëndësishmit e vendit në atë kohë.
Voskopoja, sot fshat në jugperëndim të Korçës, në saje të zejtarisë dhe të tregtisë, që nga fundi i shek. XVII kishte marrë trajtën e një qyteti që po ecte shpejt përpara. Në fillimin e shek. XVIII ka pasur rreth 25 000-30 000 banorë. Si qendër e një krahine etnikisht shqiptare, Voskopoja banohej në shumicë nga shqiptarët, por kishte edhe popullsi vllahe (arumune).Kulmin e lulëzimit ky qytet e arriti në vitet 1720-1769. Ndryshe nga qytetet e tjera që administroheshin e shfrytëzoheshin nga ajanët feudalë, Voskopoja gëzonte një farë autonomie: ajo administrohej nga koxhobashët e vet, të cilët vareshin nga organet e pushtetit qendror osman. Një rrethanë e tillë lejoi që të ardhurat e realizuara të shkonin, në pjesën më të madhe, në dobi të zhvillimit zejtar e tregtar të qytetit. Nga ana tjetër, duke reshperuar dendur me vendet e Ballkanit e të Evropës Perëndimore dhe Qendrore, voskopojarët patën krijuar atje agjenci të tyre, më pas edhe disa koloni, si në Vjenë e Budapest, në Mishkolc etj., të Perandorisë Austro-Hungareze. Prej këtyre kolonive, që mbanin lidhje të vijueshme me vendlindjen, Voskopojën, po dhe me qendra të tjera në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, depërtuan ndikime të ndryshme kulturore-mendore të Evropës së përparuar.

Voskopoja u bë një nga qendrat kulturore më të përparuara të Shqipërisë dhe të Ballkanit në tërësi në shek. XVIII. Por, sulmet e përsëritura grabitqare të feudalëve përreth, në gjysmën e dytë të shek. XVIII, në kohën e anarkisë feudale, shkaktuan rrënimin katastrofal të qytetit aq të zhvilluar, duke e kthyer atë në gjendjen e një fshati me 1 000 banorë. Sulmi më i rëndë ka qenë ai i vitit 1769. Shumica dërrmuese e voskopojarëve morën atëherë arratinë, u përndanë dhe u vendosën në qytetet e tjera të Shqipërisë, në vendet e Ballkanit, në Greqi dhe në Maqedoni po sidomos në viset danubiane, ato austro-hungareze dhe rumune.

Në fillim të shek. XVIII, në qendrat e Shqipërisë Jugore, për shkak se osmanët ndalonin mësimin e shqipes, nisi të përhapet më shumë se në të kaluarën arsimi në gjuhën greke. Në Voskopojë shkolla greqisht u çel më 1710. Këtu mësonin jo vetëm fëmijët e qytetit, por edhe nga krahinat përreth, disa edhe nga viset më të largëta. Shkollën e drejtonte kleri dhe mbahej me mjetet financiare të esnafeve dhe të tregtarëve të qytetit. Për t`iu përgjigjur nevojave në rritje të zhvillimit ekonomik të banorëve, shkolla fillore e Voskopojës u ngrit më 1740 në shkallën e një gjimnazi dhe u quajt Akademia e Re, duke marrë tiparet e një shkolle laike.
Më 1720, qyteti ishte pajisur edhe me një shtypshkronjë, ku u shtypën libra fetare-kishtare dhe ndonjë libër mësimi.
Zhvillimi i arsimit dhe i kulturës në Voskopojë ndodhi nën ndikimin e lëvizjes iluministe të Evropës Perëndimore, ku prinin mendimtarë si Volteri, Rusoi, Didroi etj. Megjithatë, në rrethanat e sundimit të feudalizmit, kjo lëvizje e përparuar nuk gjeti kushte të favorshme zhvillimi në Shqipëri.

Lëvizja mendore në Voskopojë shënoi një hap me rëndësi në krahasim me misticizmin si dhe me skolastikën aristoteliane mesjetare, që deri atëherë kishte zotëruar në Kishën e Lindjes. Ndër përhapësit e ideve të reja në Ballkan ishin mendimtarët e kohës, si grekët Metod Antrakiti, Evgjen Bullgari e të tjerë, që u luftuan nga Patriarkana greke e Fanarit. Rektori i parë i Akademisë së Re në Voskopojë ishte Sevast Leontiadhi, kosturiot. Pasues të tyre kanë qenë vendësit, voskopojarët Theodhor Kavaljoti, që drejtoi Akademinë pas Leontiadhit, Grigor Voskopojari, që ishte zëvendësrektor, si dhe autor e redaktor i librave që botonte shtypshkronja e qytetit, dijetari Mihal Gorari e të tjerë.

Bartësit e ideve iluministe të Akademisë së Re të Voskopojës ranë ndesh me Patriarkanën e Stambollit dhe me Malin e Shenjtë, që ngulmonin në paprekshmërinë e traditave dogmatike të kishës në fushën e arsimit e të kulturës. Por idetë e reja përparimtare depërtonin megjithatë në shkollat që u shtuan ndër të krishterët e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut, edhe pse këto qenë nën drejtimin e klerit. Ato ide i bëri të veta edhe një pjesë e avancuar e klerit, që luftoi dhe u rrezikua për to nga kisha. Megjithëse si gjuhë mësimi ishte greqishtja në shkollat e Voskopojës mësohej edhe gjuha shqipe e pas saj vllahishtja.
Zhvillimi i kulturës në Voskopojë shënoi një hap me rëndësi në përparimin e përgjithshëm kulturor të vendit. Duke futur shkencën pozitive në programet mësimore, dijetarët voskopojarë i dhanë një goditje konservatorizmit të kulturës feudale dhe kontribuan në lindjen e iluminizmit shqiptar. Voskopoja u bë një qendër ndikuese edhe për viset përqark, por edhe më larg, në Greqi e Maqedoni. Në Voskopojë vinin të mësonin djem nga Vithkuqi, Berati, Elbasani dhe qendra të tjera të Shqipërisë, shumica e të cilëve bëheshin mësues në vendlindjet e tyre. Të tillë kanë qenë Theodhor Haxhifilipi ose Dhaskal Todri i Elbasanit, Kostë Ikonomi i Beratit, Evstrat Vithkuqari me shokë, që vepruan në shek. XVIII-XIX.

Disa prej tyre qenë ndër veprimtarët dhe personalitetet më të njohur në atë qytet dhe në mbarë vendin. Një ndër ta ishte edhe Theodhor Kavaljoti, filozof që jetoi në vitet 1728-1789. Shkroi traktate si “Logjika” (1749), “Frika” (1752) dhe “Metafizika”. Siç tregon emri i tij, por edhe shqipja me të cilën ai shkroi (me elementë të dialektit verior), i përkiste një familjeje me origjinë nga Shqipëria e Mesme, nga Kavaja. Në veprën e tij “Protopiria” (Libër fillestar mësimi, Venedik 1770), Kavaljoti botoi edhe një fjalor tri gjuhësh, me mbi një mijë fjalë greqishte, shqipe dhe vllahishte të krahasuara. Edhe voskopojari Dhanil Adam Haxhi (rreth 1754-1825), në “Isagogjinë” e tij (“Mësime fillestare”, Venedik 1802), rreshton bisedime të krahasuara në po ato tri gjuhë.

Në vitin 1762, Grigor Voskopojari (fundi i shek. XVII-1772), të cilin e hasim në fillim të shek. XVIII në Berat, ku me sa duket kishte origjinën e tij, kishte përfunduar shqipërimin e të dyja Dhiatave (të së Vjetrës e të së Resë). Ishte ky një aksion shumë i madh, që kishte të bënte me përkthimin në gjuhën e vendit të librave bazë të kishës. Liturgjia në kisha pjesërisht thuhej me kohë edhe në shqip. Kjo vazhdoi edhe në shek. XVIII, edhe më pas. Në procesin mësimor të shkollës së drejtuar nga kleri hynte dhe shqipja, së pari përmes teksteve fetare, që zinin vendin më të madh në programet, por edhe përmes lëndëve të tjera. Në tekstin e Theodhor Bogomilit (njohur më shumë si Anonimi i Elbasanit), i shek. XVII, përfshihet edhe një predikim i lirë fetar. Dhaskal Todri na ka lënë edhe një fabul të shqipëruar të Ezopit. Edhe Kostë Ikonomi hartoi tekste tri gjuhësh (në greqishte të vjetër, në atë të re dhe në shqip). Këto tekste i ka përdorur edhe mësuesi vithkuqar Kostë Cepi (shek. XVIII-XIX), prej të cilit i njohim të kopjuara. Ai ka dhënë mësim jo vetëm në vendlindje, por edhe në Elbasan e gjetiu.
Grigor Voskopojari shkruante me një alfabet origjinal, si edhe Bogomili, që e kishte shpikur vetë për shqipen që shkroi. Të njëjtën gjë bëri edhe Dhaskal Todri, ndofta nën ndikimin e Bogomilit, por edhe të Grigorit, të cilin e pati mësues në Voskopojë. Edhe ky përdori një alfabet origjinal, që e shpiku vetë e që u përhap edhe në njerëz të tjerë në Elbasan. Njihen edhe të tjera alfabete origjinale të shqipes në Shqipërinë e Jugut, si në Gjirokastër, Janinë etj. Këto përbëjnë fakte me rëndësi për lëvrimin e shqipes si gjuhë më vete, që kërkonte edhe një alfabet më vete. Grigori u bë kryepeshkop i Durrësit dhe u njoh edhe si Grigori i Durrësit, por ai ka jetuar edhe në Elbasan.
Kështu, Voskopoja ishte edhe qendër e lëvrimit të shqipes. Këtë gjuhë nuk e shkruanin vetëm Kavaljoti, Adam Haxhiu dhe Grigori, por edhe të tjerë, duke arritur të shqipëroheshin Dhiatat në atë qytet, të përdorej jo vetëm alfabeti grek, por edhe një alfabet i krijuar posaçërisht për shqipen.

 Historia shqiptare
 Sundimi Osman

 

[cite]