Përpjekjet për organizimin e shoqërisë kulturore dhe çështja e alfabetit të gjuhës shqipe (vitet 1850-1871)
Qysh në vitet 50, jo vetëm në Shqipëri e Vllahi, ku vazhdonte punën Naum Veqilharxhi, por edhe në Stamboll, ku ishin grumbulluar shumë shqiptarë, tregtarë, nëpunës, intelektualë, të ardhur nga krahina të ndryshme të vendit, vijuan përpjekjet për lëvrimin e shqipes dhe për hapjen e shkollave kombëtare. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim u bë në vitet 50 me themelimin e një shoqërie kulturore në Stamboll, qëllimi i së cilës ishte të grumbullonte mjetet e nevojshme për shtypjen e librave dhe për mbajtjen e shkollave. Shoqëria i vinte vetes si detyrë të përfshinte në gjirin e saj përfaqësues të të gjitha krahinave dhe feve. Vetëm kështu, siç deklaronte më 1857 një nga anëtarët e saj, Thimi Mitkoja, do të mund të sigurohej qëllimi i shoqërisë, “ringjallja e përgjithshme kombëtare”.
Themelimi i shoqërisë kulturore të Stambollit qe hapi i parë që bënë aktivistët e lëvizjes shqiptare për të dalë nga faza e veprimeve të veçuara, për të krijuar një bërthamë organizative e përfaqësuese të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Anëtarët e shoqërisë bënë përpjekje brenda dhe jashtë Shqipërisë për të siguruar përkrahje për realizimin e qëllimeve të saj.
Por veprimi i patriotëve shqiptarë nuk dha fryte, sepse u prit me armiqësi nga Porta e Lartë dhe nga qarqet panheleniste me Patrikanën greke të Stambollit në krye.
Situata e krijuar veçanërisht me krizën e viteve 60, e cila u hapi popujve të robëruar të Perandorisë perspektivën e çlirimit, i nxiti patriotët që të rifillonin përpjekjet për organizimin e lëvizjes kulturore kombëtare. Nismën për këtë e mori Kostandin Kristoforidhi (1830-1895) nga Elbasani.
Kostandin Kristoforidhi i kishte kryer studimet e larta në Maltë dhe në Angli. Nga albanologu i njohur J. G. Han ai kishte marrë nxitjen e parë për t’iu kushtuar studimeve shqiptare dhe shumë shpejt u bë një njohës i thellë i gjuhës shqipe.
Si Naum Veqilharxhi, edhe Kostandin Kristoforidhi kishte arritur në përfundimin se mësimi i shqipes kishte një rëndësi të jashtëzakonshme si shprehje e ekzistencës së kombit shqiptar dhe e të drejtave të tij, si mjet vëllazërimi ndërmjet shqiptarëve të feve e të krahinave të ndryshme. Ai e shprehte këtë më vonë me fjalët: “Ndë mos u shkroftë gjuha shqipe, nuk do të shkojnë shumë vjet dhe nuk do të ketë Shqipëri në faqe të dheut, as nuk do të shënohet më emri shqiptar në hartë të botës”.
Qysh në vitin 1864, sapo kishte vajtur në Stamboll, në bashkëpunim me bashkatdhetarë të tjerë që ndodheshin atje, si Pashko Vasa nga Shkodra, Ismail Qemali nga Vlora, Hasan Tahsini nga Filati i Çamërisë, Kostandin Kristoforidhi kishte organizuar një varg mbledhjesh për ringjalljen e shoqërisë kombëtare. Në këto mbledhje morën pjesë shumë shqiptarë që ndodheshin në Stamboll, që biseduan përsëri për nevojën e sigurimit të mjeteve financiare për “shkronja dhe për shkolla shqipe”. Por kusht i domosdoshëm për hapjen e shkollave dhe për shtypjen e librave shqip ishte caktimi i një alfabeti të vetëm të shqipes, që të njihej dhe të përdorej nga të gjithë shqiptarët si alfabeti i tyre kombëtar në vend të alfabeteve të shumta që ishin në përdorim dhe pengonin mësimin e gjuhës amtare (alfabeti latin në Shkodër, alfabeti grek ndër ortodoksët e jugut, alfabeti arab midis myslimanëve, alfabeti i Dhaskal Todrit ose i Naum Veqilharxhit në disa krahina të veçanta).
Por që në mbledhjet e para u dukën shenja moskuptimi ndërmjet pjesëmarrësve në lidhje me caktimin e alfabetit. Mosmarrëveshjet nxiteshin edhe nga Porta e Lartë, e cila ia arriti qëllimit që mbledhja të shpërndahej pa dhënë fryte.
Më 1867 këto përpjekje u përsëritën. Kostandin Kristoforidhi, Pashko Vasa, Hasan Tahsini, Ismail Qemali, me të cilët u bashkuan edhe shqiptarë të tjerë, si bankieri Kristaq Zografi, funksionarë shqiptarë të Portës, si Mustafa pashë Gjiriti, Rustem pashë Leskoviku etj., si përfaqësues të një komisioni nismëtar për themelimin e një shoqërie kulturore shqiptare, iu drejtuan kryeministrit, Ali Pashës, me lutje që të lejonte formimin e një shoqërie shqiptare me karakter kulturor.
Gjendja e nderë në Ballkan i kishte bindur Ali Pashën dhe disa përfaqësues të qarqeve qeveritare osmane se vazhdimi i politikës së forcës ndaj shqiptarëve dhe pengimi i çdo përpjekjeje të tyre për përparim do ta thellonte armiqësinë ndaj Portës jo vetëm të të krishterëve, por edhe të myslimanëve shqiptarë dhe do të bënte që shqiptarët të merrnin të gjithë anën e armiqve të Perandorisë. Përkundrazi, liria e mësimit të gjuhës, sipas tyre, do t’i lidhte myslimanët shqiptarë më ngushtë me Portën, ndërsa të krishterët do t’i neutralizonte. Për këtë arsye Ali Pasha autorizoi dhe inkurajoi komisionin të vijonte mbledhjet e tij.
Anëtarët e komisionit iu përveshën përsëri punës për ringjalljen e shoqërisë kulturore. Mirëpo hovi që po merrte lëvizja patriotike në radhët e shqiptarëve ortodoksë e shqetësoi Patrikanën greke, e cila ushtroi trysni mbi ta për t’i larguar nga rruga e lëvizjes kombëtare. Në të njëjtën kohë filloi të ndryshonte edhe qëndrimi i kryeministrit turk ndaj nismës shqiptare. Qarqet konservatore në Portën e Lartë “kursin e butë” të Ali Pashës ndaj çështjes shqiptare e shikonin si të rrezikshëm për unitetin e islamizmit dhe të Perandorisë, meqenëse u hapte shtegun edhe kërkesave të kombësive të tjera myslimane. Nën trysninë e tyre Ali Pasha filloi t’i nxirrte pengesa komisionit nismëtar e pak më vonë e ndaloi krejtësisht veprimtarinë e tij.
Me gjithë dështimin që pësoi më 1867, grupi i atdhetarëve të Stambollit nuk hoqi dorë nga përpjekjet për të krijuar një qendër të lëvizjes kombëtare. Kjo mbetej një detyrë e përhershme veçanërisht në kushtet e zgjerimit të luftës që i bënin lëvizjes shqiptare Patrikana dhe Porta. Në vitin 1867 nën hijen e Patrikanës ishte themeluar organizata me emrin “Vëllazëria qendrore kulturore” dhe më 1871 “Silogu (klubi – shën. i aut.) kulturor epiriot”, president nderi i të cilit u zgjodh renegati i çështjes shqiptare, bankieri Kristaq Zografi. Synimet e vërteta të Silogut shiheshin qartë në statutin e tij, ku gjente shprehje shqetësimi që kishte kapur Patrikanën e qarqet shoviniste greke për përparimin që po bënte Lëvizja Kombëtare Shqiptare dhe për rritjen e ndikimit të saj në popullsinë e krishtere shqiptare. Duke vënë në dukje se edhe në vise të largëta malore, siç ishte krahina e Shpatit të Elbasanit, kishte filluar të mësohej fshehurazi gjuha shqipe, statuti theksonte nevojën për të shtuar përpjekjet për përhapjen e arsimit grek në Shqipëri. Nën kujdesin e Silogut e me lejen e qeverisë osmane në Shqipërinë e Jugut e të Mesme u hapën dhjetëra shkolla greqisht krahas atyre turqisht.
Kjo veprimtari e qarqeve shoviniste greke bashkërendohej me politikën thellësisht antishqiptare të Portës së Lartë, e cila ua mohonte shqiptarëve të drejtën për të mësuar gjuhën amtare. Edhe gazeta zyrtare, që filloi të dilte më 1871 në Prizren, botohej turqisht e serbisht, ndërsa ajo e Janinës turqisht e greqisht.
Në këto kushte, në vitin 1871 patriotët shqiptarë të Stambollit i rifilluan përpjekjet për krijimin e një organizate patriotike shqiptare. Një rol të rëndësishëm në këto përpjekje, krahas Kostandin Kristoforidhit, luajti Hasan Tahsini (1811-1884), i cili i kishte bërë studimet në Francë dhe ishte një figurë e shquar e shkencës. Hasan Tahsini nuk reshti së predikuari se mësimi i gjuhës shqipe, edhe me shkronja joarabe, nuk ishte aspak në kundërshtim me frymën e kuranit. Rreth tij u bashkuan jo vetëm personalitete që ishin aktivizuar qysh në përpjekjet e para, por edhe intelektualë të rinj, si Sami Frashëri, Jani Vretoja etj., që rimëkëmbën komisionin nismëtar. Por Porta e Lartë edhe kësaj here i nxori pengesa komisionit nismëtar duke ngulur këmbë që puna e tij të kufizohej vetëm me të krishterët shqiptarë, kurse myslimanët s’duhej të kishin asnjë lidhje me këtë çështje.
Kundërshtime u shfaqën edhe në vetë gjirin e komisionit. Disa pashallarë, të nxitur nga Porta, kërkonin që gjuha shqipe të shkruhej me alfabetin arab. Kundër kësaj zgjidhjeje doli shumica e anëtarëve të komisionit, të cilët vinin në dukje se jo vetëm për arsye shkencore, por edhe politike, shqiptarët, si anëtarë të familjes evropiane, nuk duhej të përdornin një alfabet oriental, por evropian.
Një grup tjetër, me Jani Vreton në krye, duke iu mbajtur tezës mbi origjinën e përbashkët pellazgjike të popullit shqiptar e grek dhe të lidhjeve kulturore ndërmjet tyre, u shprehën për alfabetin grek. Për alfabetin latin ishte më në fund një grup i tretë, me Pashko Vasën, Ismail Qemalin dhe Kostandin Kristoforidhin, të cilët mbështeteshin jo vetëm në argumente historiko-politike, por edhe në ato praktike (siç ishte fakti që shkronjat latine nuk duheshin derdhur veçanërisht, por gjendeshin të gatshme në çdo shtypshkronjë).
Një zgjidhje tjetër propozonte Hasan Tahsini, i cili, ashtu si Naum Veqilharxhi, mendonte se në kushtet e Shqipërisë duhej përdorur një alfabet i ri, krejt i veçantë, për të cilin shkronjat i kishte shpikur vetë.
Komisioni arriti më në fund në marrëveshjen për të hartuar alfabetin duke u mbështetur në parimin themelor: “për secilin tingull një shkronjë”. Ky parim përjashtonte pranimin e pandryshuar të një alfabeti latin, ashtu edhe të alfabetit grek, të cilët tingujt e veçantë të shqipes nuk mund t’i jepnin pa dyzime shkronjash. Por çështja e alfabetit dhe formimi i shoqërisë kulturore shqiptare nuk mundën të zgjidheshin përfundimisht. Porta mbajti një qëndrim kërcënues dhe pashallarët shqiptarë u larguan menjëherë nga komisioni. Në të njëjtën kohë edhe Patrikana i shtoi intrigat e saj kundër lëvizjes patriotike shqiptare. Në këto kushte komisioni u detyrua të ndërpriste edhe këtë herë punën pa arritur ndonjë përfundim konkret.
Me gjithë vështirësitë që hasën, atdhetarët nuk hoqën dorë nga qëllimet e tyre. Por, duke mos pasur lejen dhe mundësitë që të vepronin haptazi për lëvrimin e mësimin e gjuhës amtare, ata përpiqeshin të punonin fshehurazi, duke bërë çdo gjë fli. Koto Hoxhi nga Qestorati i Gjirokastrës (1824-1895), i cili ishte emëruar më 1873 mësues në normalen e Qestoratit, në orët e lira u mësonte fshehurazi nxënësve shqipen dhe u ngjallte atyre dashurinë për gjuhën, për atdheun, për bashkatdhetarët e feve të tjera. Kjo veprimtari patriotike e futi Koto Hoxhin në grindje me konsullin grek dhe me peshkopin e Gjirokastrës. Peshkopi e shkishëroi dhe njëkohësisht vuri njerëz ta sulmonin. Por ky nuk u tërhoq para vështirësive. Kështu, nga shkolla e Qestoratit nuk dolën vetëm mësues fanatikë të helenizmit, por edhe atdhetarë si Pandeli Sotiri e Petro Nini Luarasi, të cilët ndoqën rrugën e Koto Hoxhit.
Historia shqiptare
Rilindja Kombëtare