Mbrojtja e Hotit dhe e Grudës (pranverë 1880)

Mbrojtja e Hotit dhe e Grudës (pranverë 1880)

Fitoret e shqiptarëve kundër ushtrive malazeze dhe jehona e tyre në arenën ndërkombëtare patën pasoja të thella në Shqipëri. Ato e përforcuan më tej bindjen e shqiptarëve se tashmë ishin në gjendje t’i mbronin trojet e tyre jo vetëm pa ndihmën e ushtrive osmane, por edhe kundër vullnetit të Portës së Lartë. Besimi që fituan te forca e tyre e armatosur, e ngriti në një shkallë më të lartë vendosmërinë për të kundërshtuar me armë çdo ndërhyrje të re të Fuqive të Mëdha ose çdo orvatje të re të qeverisë së Stambollit në dëm të trojeve të tyre amtare.Pas disfatës që pësoi në Velikë e në Pepaj, knjaz Nikolla iu drejtua përsëri Fuqive të Mëdha dhe këto, nga ana e tyre, i bënë përsëri presion Perandorisë Osmane për ta çuar deri në fund dorëzimin e Plavës e të Gucisë. Porta e Lartë u përgjigj se ishte e gatshme ta kënaqte Malin e Zi, por jo në Plavë e në Guci. Duke parë vendosmërinë luftarake të shqiptarëve dhe paaftësinë ushtarake të Malit të Zi, Fuqitë e Mëdha pranuan në parim ta rishikonin vendimin që kishin marrë në Kongresin e Berlinit. Me këtë rast u bënë disa propozime për ta kënaqur Cetinën me vise sllave në veri ose në jug të Malit të Zi, por nuk u pranuan. Më në fund ndërhyri Italia, e cila, nëpërmjet ambasadorit të saj në Stamboll, kontit Korti (Corti), sugjeroi që t’i jepeshin Malit të Zi viset e Hotit e të Grudës së bashku me një pjesë të Kelmendit, të cilat banoheshin gjithashtu nga popullsi shqiptare. Fuqitë e Mëdha menduan se popullsia e këtyre viseve, duke qenë katolike dhe jo myslimane, nuk do ta kundërshtonte bashkimin e saj me Malin e Zi të krishterë. Porta e Lartë nuk solli ndonjë pengesë. Vetëm knjaz Nikolla, i bindur se do të kishte përsëri telashe me shqiptarët, protestoi rreptësisht. Por më në fund, duke parë këmbënguljen e të gjitha Fuqive të Mëdha, u detyrua të përulej. Kështu, më 18 prill 1880, ambasadorët e Fuqive të Mëdha miratuan propozimin italian, që njihet me emrin “vija Korti”, për t’i dhënë Malit të Zi, në vend të Plavës e Gucisë, viset e Hotit e të Grudës. Dorëzimi i këtyre viseve u vendos të bëhej pas 4 ditësh, më 22 prill 1880.

Fakti që Fuqitë e Mëdha, Perandoria Osmane dhe Mali i Zi u detyruan, pas 20 muaj përpjekjesh pa rezultat, të hiqnin dorë nga vendimi i Kongresit të Berlinit në lidhje me Plavën e Gucinë, shënonte një fitore të re diplomatike që arritën shqiptarët në arenën ndërkombëtare. Protokolli i Stambollit, i nënshkruar nga ambasadorët e tyre më 18 prill 1880 për Hotin e Grudën, ishte po aq i padrejtë sa edhe neni i Traktatit të Berlinit për Plavën e Gucinë. Viset e Hotit e të Grudës, së bashku me ato të Kelmendit e të Kastratit, ishin pjesë e pandarë e Malësisë së Madhe, kurse nga ana administrative vareshin nga vilajeti i Shkodrës. Banorët e tyre, krejtësisht shqiptarë dhe me tradita të lashta luftarake liridashëse, ishin bashkuar me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit qysh me themelimin e saj. Për këtë arsye, më 1 mars 1880, sapo arritën lajmet e para rreth propozimit italian, pra një muaj para se të nënshkruhej Protokolli i Stambollit, krerët e tyre, të mbështetur nga banorët e krejt Malësisë së Madhe, zbritën në Shkodër dhe shpallën se ishin të vendosur të kundërshtonin çdo vendim që do të merrej në dëm të viseve të tyre. Në mbledhjen e përbashkët që bënë në Shkodër, më 1 mars 1880, krerët e Hotit, të Grudës, të Kelmendit e të Kastratit miratuan një peticion drejtuar Fuqive të Mëdha, në të cilin deklaronin se do të rrëmbenin armët për të mbrojtur trojet e tyre, në rast se Fuqitë e Mëdha do ta miratonin projektin “Korti”.
Kushtrimi që lëshuan banorët e Malësisë së Madhe vuri në lëvizje popullsinë e të gjitha krahinave të vendit. Gjatë atyre ditëve shqiptarët, myslimanë e të krishterë, u lidhën më shumë se kurrë me njëri-tjetrin. Kudo u shpreh vendosmëria për të mbrojtur Hotin e Grudën deri në pikën e fundit të gjakut. Shqipëria u përgatit kështu përsëri për luftë.

Meqenëse Hoti, Gruda, Kelmendi e Kastrati bënin pjesë në vilajetin e Shkodrës, barra e organizimit të luftës mbrojtëse i takonte Komitetit Ndërkrahinor të këtij vilajeti. Qysh nga 25 marsi 1880, Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes Shqiptare në Shkodër ishte në mbledhje të vazhdueshme dhe filloi të merrte masat e nevojshme ushtarake për mbrojtjen e Hotit e të Grudës. Më 3 prill 1880 u zhvillua në Shkodër një kuvend krahinor, ku morën pjesë përfaqësues të popullsisë së qytetit e të Malësisë. Kuvendi vendosi të kundërshtohej me çdo kusht lëshimi i Hotit e i Grudës. Ai u dërgoi një peticion Fuqive të Mëdha, në të cilin thuhej, ndër të tjera: “Kemi vendosur që të derdhim pikën e fundit të gjakut para se të hynim nën zgjedhën e një qeverie të huaj. Ideja kombëtare na bashkon në mbrojtjen e atdheut tonë”. Më 11 prill 1880 Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës, ashtu siç kishin vepruar edhe dy komitetet e tjera ndërkrahinore, formoi menjëherë Shtabin Ushtarak të vilajetit me detyrë që të merrte masat e duhura për mbrojtjen e Hotit e të Grudës. Në krye të Shtabit Ushtarak u vu Hodo Sokoli, një kolonel i karrierës. Midis anëtarëve të tij bënin pjesë jo vetëm përfaqësues nga qyteti, si Selim Çoba, Filip Çeka, Shaban Bushati, Zef Simoni, Selim Gjyrezi etj., por edhe mjaft krerë malësorë të regjur në luftëra, si Dedë Gjoni dhe Ismail Marku nga Hoti, Ismail Martini dhe Bazo Kurti nga Gruda, Nikë Gila dhe Nikë Leka nga Kelmendi, Shaban Elezi dhe Gjon Deda nga Kastrati etj. Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës i bëri thirrje të veçantë Preng pashë Bibë Dodës, i cili deri atëherë nuk kishte marrë pjesë në mbrojtjen e trojeve shqiptare, duke e emëruar, në rast se do të ishte i gatshëm, nënkryetar të Shtabit Ushtarak.

Formimi i Shtabit Ushtarak u pasua nga gatishmëria që treguan krahinat e ndryshme të vendit për të dërguar vullnetarë sipas zakonit nga një burrë për shtëpi, kurse viset e Malësisë së Madhe u zotuan të mobilizonin të gjithë burrat e aftë për armë. Shtabet ushtarake, të formuara në vilajetet e Kosovës dhe të Janinës, njoftuan se ishin gati të dërgonin forcat e tyre vullnetare sapo të ndihej nevoja. Por Shtabi Ushtarak i Shkodrës, duke parë gatishmërinë e masave popullore, i konsideroi të mjaftueshme forcat luftarake të mobilizuara vullnetarisht në vilajetin e vet. Në të njëjtën kohë, Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës lëshoi një shpallje, me anën e së cilës, pasi vinte në dukje vendosmërinë e mbarë vendit për të mbrojtur trojet e atdheut, u kërkonte vullnetarëve të qëndronin në gatishmëri, në pritje të zhvillimit të ngjarjeve.

Zemërimi e vendosmëria e shqiptarëve arriti kulmin pasi u nënshkrua nga ambasadorët e Fuqive të Mëdha Protokolli i Stambollit, më 18 prill 1880, me emrin “Protokolli mbi kufijtë e Turqisë dhe të Malit të Zi”. Me këtë rast u përsëritën protestat telegrafike drejtuar Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë. Në të njëjtën kohë filluan përgatitjet ushtarake. Më 19 prill u zhvillua në Shkodër një miting i madh popullor, një nga manifestimet më masive që kishte parë qyteti deri atëherë. Në miting, midis entuziazmit popullor, Hodo Sokoli, në një fjalim të zjarrtë që mbajti para mijëra qytetarëve dhe malësorëve, deklaroi ndër të tjera, se përballë veprimeve që po kryente Porta e Lartë në dëm të tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe për të shpëtuar atdheun nga fatkeqësi të tjera që do të sillte sundimi i mëtejshëm i saj, shqiptarët duhej t’i këpusnin lidhjet me Perandorinë Osmane dhe ta merrnin vetë në dorë fatin e atdheut të tyre. Hodo bej Sokoli dhe pas tij 1 500 veta që ndodheshin në miting, hoqën publikisht spaletat e uniformës ushtarake e dekoratat e sulltanit dhe deklaruan se nuk do ta njihnin as atë, as Stambollin. Po atë ditë u nisën për në vijën e kufirit vullnetarët e parë qytetarë, rreth 1 500 veta, të cilët u bashkuan me mijëra vullnetarë malësorë që kishin vrapuar nga malësitë e Veriut.

Në mbrëmjen e 21 prillit u nisën nga Shkodra, duke lundruar në liqen, disa dhjetëra anije me vullnetarë shkodranë, rreth 3 mijë veta, të cilët, së bashku me Shtabin Ushtarak dhe komandantin e tij Hodo Sokolin, u vendosën në Tuz. Në 22 prill 1880, sipas Protokollit të Stambollit, trupat turke u larguan nga kalaja e Tuzit dhe nga pikat e tjera që i takonin Malit të Zi. Por, ashtu siç ndodhi në Plavë e Guci, edhe në Hot e Grudë forcat shqiptare i zunë këto pika para se të afroheshin ushtritë malazeze. Gjatë gjithë vijës mbrojtëse qenë rreshtuar rreth 8 mijë vullnetarë shqiptarë, në gatishmëri për të kundërshtuar përparimin e ushtrive malazeze.
Pak më vonë, ushtritë malazeze, me rreth 10 mijë veta, arritën tek Ura e Rzhanicës, pika më e përparuar e kufirit të vjetër. Aty u ndeshën me pararojat e ushtrisë së Lidhjes Shqiptare, të përbëra nga disa qindra qytetarë e malësorë, të cilët u bënë thirrje të ndaleshin, pasi banorët e këtyre vendeve nuk i njihnin vendimet e Fuqive të Mëdha. Ushtritë malazeze nuk u bindën, por kërkuan të marshonin për të marrë në dorëzim kalanë e Tuzit. Atëherë pararojat shqiptare hapën zjarr kundër pararojave malazeze. Kështu, tek Ura e Rzhanicës filloi më 22 prill përleshja e armatosur ndërmjet tyre.

Sapo shpërthyen krismat e para, forcat vullnetare të Malësisë së Madhe, nën drejtimin e Ismail Markut e Baca Kurtit, u hodhën në sulm të furishëm kundër forcave kryesore malazeze që ndodheshin në Helm, në breg të lumit Cem. Të dyja palët luftuan me vendosmëri për disa orë rresht. Më në fund ushtritë malazeze u thyen dhe u tërhoqën për në Podgoricë, duke lënë disa të vrarë e të plagosur.
Fitorja e Rzhanicës dhe e Helmit ngjalli entuziazëm në mbarë Shqipërinë. Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës, duke parashikuar një sulm të ri nga ana malazeze, vendosi t’i mbante forcat luftarake në kufi dhe të siguronte armë martina për vullnetarët shqiptarë të pajisur pjesërisht me huta dhe pjesërisht me jataganë. Për këtë qëllim u ftuan krahinat e vilajetit që të shtonin ndihmat financiare. Mbi shtresat e pasura të Shkodrës u shpall një tatim i jashtëzakonshëm në të holla e në drithë. Në këto rrethana Preng pashë Bibë Doda, duke parë se me qëndrimin e vet të lëkundur po cilësohej nga opinioni publik si bashkëpunëtor i Cetinës, pranoi ftesën e Komitetit Ndërkrahinor për të mobilizuar mirditorët dhe për t’i sjellë në Tuz.

Pas luftës së Rzhanicës, viset e Hotit e të Grudës, të liruara nga ushtritë osmane, por të papushtuara nga ato malazeze, mbetën de facto nën sovranitetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për 8 muaj, nga 22 prilli 1880 deri më 28 dhjetor 1880, kur në Tuz u rivendos administrata osmane. Me qeverisjen e tyre merrej Komiteti i Lidhjes Shqiptare për Shkodrën, që kishte ngarkuar në Tuz një Komision të kryesuar nga Hodo Sokoli, i cili ushtronte pushtetin ekzekutiv si një institucion shtetëror i Lidhjes Shqiptare.
Menjëherë pas disfatës që pësoi më 22 prill 1880, knjaz Nikolla protestoi pranë Fuqive të Mëdha dhe këto më 24 prill i drejtuan qeverisë osmane një notë kolektive, me të cilën e shtrëngonin që t’i dëbonte forcat shqiptare nga kufiri për t’u hapur rrugën forcave malazeze. Por Porta e Lartë nuk e kishte më situatën në dorë. Përveçse nuk donte të hapte konflikt me shqiptarët, ajo nuk kishte as forca të mjaftueshme në Shkodër për të zbatuar kërkesën e Fuqive të Mëdha.

Në fillim të muajit maj, pas ardhjes së forcave mirditore, në vijën kufitare numri i vullnetarëve u rrit në rreth 9 mijë veta, përveç 7 mijë të tjerëve që qëndronin në gatishmëri në shtëpitë e tyre për t’u nisur në luftë sapo të lëshohej kushtrimi. Sipas njoftimeve që kishte Shtabi Ushtarak, përtej kufirit qëndronin rreth 20 batalione malazeze me afërsisht 9 mijë veta të armatosur me martina dhe të pajisura me topa e artileri. Morali i vullnetarëve shqiptarë ishte aq i lartë, sa nga radhët e tyre doli propozimi që të ndërmerrej një mësymje kundër ushtrive malazeze për ta detyruar knjaz Nikollën që të hiqte dorë një herë e përgjithmonë nga lakmia e tij për trojet shqiptare. Këtë ide e përqafoi jo vetëm Hodo Sokoli, kryetari i Shtabit Ushtarak të Shkodrës, por edhe Ali pashë Gucia, kryetari i Shtabit Ushtarak të Kosovës, i cili për më tepër u zotua ta fillonte mësymjen me forcat e veta nga Plava e Gucia, në thellësi të territoreve malazeze. Nuk pritej veçse miratimi nga Komiteti Kombëtar i Lidhjes Shqiptare. Por udhëheqësit e tij, për t’iu shmangur ndërlikimeve ndërkombëtare që do të shkaktonte mësymja shqiptare, nuk e pranuan propozimin e dy shtabeve ushtarake. Sipas tyre, presioni, që ushtronte përqendrimi i forcave kufitare në Hot e Grudë, ishte i mjaftueshëm për t’i detyruar Fuqitë e Mëdha të rishikonin Protokollin e Stambollit.

Në fakt lufta për mbrojtjen e Hotit e të Grudës pati jehonë të thellë jashtë Shqipërisë. Interesimi i publikut evropian për konfliktin shqiptaro-malazez u rrit më shumë. Pothuajse të gjitha gazetat kryesore të Evropës Perëndimore dërguan ato javë korrespondentët e tyre të posaçëm në Shkodër, shumica e të cilëve u detyruan të vinin në dukje atdhetarinë e lartë që frymëzonte qëndresën shqiptare. Fuqitë e Mëdha u bindën përfundimisht se as Protokolli i Stambollit nuk mund të zbatohej me anën e presionit diplomatik. Anglia me Rusinë propozuan një ndërhyrje ushtarake të përbashkët të Fuqive të Mëdha kundër shqiptarëve të përqendruar në kufi, por Austro-Hungaria me Gjermaninë kundërshtuan. Më në fund fitoi qëndresa shqiptare. Pasi pranuan në parim të hiqnin dorë edhe nga Protokolli i Stambollit, Fuqitë e Mëdha miratuan më 15 qershor 1880 propozimin e Anglisë e të Austro-Hungarisë për t’i dhënë Malit të Zi, në vend të Hotit e të Grudës, qytetin bregdetar të Ulqinit së bashku me rrethinat e tij. Heqja dorë e Fuqive të Mëdha nga vendimi që kishin marrë më 18 prill 1880 ishte fitorja e tretë diplomatike që korrën shqiptarët, brenda 6 muajve, në arenën ndërkombëtare. Por vendimi i Fuqive të Mëdha për t’i lëshuar Malit të Zi Ulqinin me rrethinat e tij shtroi përsëri detyrën e ngutshme të mbrojtjes së tërësisë së atdheut, të cilit po i shkëputej tani një pjesë më e rëndësishme dhe jetike.

 Historia shqiptare
 Rilindja Kombëtare

 

[cite]