Demonstrata navale (gusht-tetor 1880)
Mali i Zi e pranoi propozimin që bënë ambasadorët e Fuqive të Mëdha në Stamboll, më 26 qershor 1880, për të zëvendësuar krahinat e Hotit e të Grudës me qytetin dhe rrethinat e Ulqinit. Por Porta e Lartë, megjithëse zyrtarisht nuk e kundërshtoi, nxori përsëri në shesh pengesën që do të ndeshte në dorëzimin e tij nga ana e shqiptarëve. Në të vërtetë, jo vetëm qyteti bregdetar i Ulqinit, por edhe hinterlandi i tij fshatar banohej krejtësisht nga popullsi shqiptare. Përveçse pjesë e pandarë e truallit kombëtar të Shqipërisë, Ulqini ishte skela kryesore e Shkodrës dhe e pellgut të saj në detin Adriatik. Ai ishte njëkohësisht edhe pika më e rëndësishme bregdetare që lidhte tregtinë e jashtme të Kosovës me skelat e ndryshme të Mesdheut.Si edhe më parë, shqiptarët protestuan menjëherë për këtë padrejtësi të re që Fuqitë e Mëdha po bënin në dëm të interesave të tyre kombëtarë. Në të njëjtën kohë ata ia përsëritën Portës së Lartë vendosmërinë për ta mbrojtur me çdo kusht Ulqinin dhe gatishmërinë për të hyrë në luftë edhe kundër saj. Por këtë radhë Fuqitë e Mëdha ishin të vendosura për të mos i marrë në asnjë mënyrë parasysh justifikimet e qeverisë osmane. Me një notë kolektive, që i drejtuan më 3 gusht 1880 Stambollit, ato e ftonin Portën e Lartë ta thyente qëndresën e shqiptarëve dhe t’ia dorëzonte Ulqinin Malit të Zi.
Në fillim qeveria osmane përsëri ngurroi të përdorte forcën ushtarake kundër Lidhjes Shqiptare. Ajo u përpoq më shumë se kurdoherë me anë të kërcënimeve për t’i bindur udhëheqësit e saj të hiqnin dorë nga qëndresa, por orvatjet nuk patën sukses. Vullnetarët shqiptarë nën komandën e Isuf Sokolit, të Haxhi Mehmet Becit, të Mehmet Gjylit etj., e rrethuan Ulqinin dhe u përgatitën për ta shtënë në dorë, sapo të largoheshin ushtritë turke nga qyteti.
Për ta zgjidhur çështjen e dorëzimit të Ulqinit, Fuqitë e Mëdha e kërcënuan Turqinë se do të zhvillonin një demonstratë navale në bregdetin shqiptar, madje më vonë se do të zbarkonin trupat e tyre në skelën turke të Izmirit. E tmerruar nga demonstrata navale dhe për të shmangur ndërlikimet ndërkombëtare, Porta e Lartë dërgoi në gusht 1880 në Shkodër gjeneral Riza Pashën me 3 000 ushtarë, me detyrën që ta dorëzonte Ulqinin pa konflikte të armatosura. Riza Pasha, që mbërriti në Shkodër më 19 gusht, u përpoq t’i bindte krerët e Lidhjes me të holla e me premtime që të hiqnin dorë nga mbrojtja e Ulqinit. Në një takim të veçantë që pati më 22 gusht me anëtarët e Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës, ai u deklaroi se do të përdorte dhunën ushtarake kundër të gjithë atyre që do të pengonin dorëzimin e Ulqinit. Me 24 gusht 1880 Riza Pasha shpalli në Shkodër shtetrrethimin e ndalimin e qarkullimit dhe të lidhjeve me Ulqinin nga mbrëmja në agim. Por orvatjet e tij nuk dhanë rezultat. As letrat personale që sulltani u drejtoi krerëve të Lidhjes, as ndërhyrjet e ministrave të tij nuk i prapsën vullnetarët nga vendimi për mbrojtjen e Ulqinit. Për këtë 2 000 luftëtarë shqiptarë (ndër të cilët 600 ishin shkodranë), të komanduar nga Muftar agë Reçi, zunë pozita midis Midës së Krajës dhe Malit të Mozhurës për të penguar kalimin e forcave të Riza Pashës në Ulqin. Forca të tjera ulqinake, nën komandën e Haxhi Mehmet Becit, qëndronin në gatishmëri kundër marshimit të mundshëm të forcave malazeze.
Më 1 shtator Fuqitë e Mëdha vendosën të ndërmerrnin demonstratën navale para ujërave të Ulqinit dhe më 4 shtator 1880 rreth 20 korracata me shumë anije të vogla angleze, franceze, gjermane, ruse, italiane dhe austro-hungareze hodhën spirancat në ujërat e Raguzës.
Por edhe pas kësaj as popullsia e Shkodrës dhe e Ulqinit, as edhe Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes për Shkodrën nuk u nënshtruan; ata u treguan të vendosur të mbronin Ulqinin. Për mbrojtjen e Ulqinit u shpreh edhe Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes që u mblodh në Prizren në fillim të shtatorit. Ndërkaq, më 7 dhe 8 shtator 17 batalione osmane, të komanduara nga Riza Pasha, rrethuan qytetin e Shkodrës dhe u drejtuan për në Ulqin. Forcat vullnetare shqiptare, që ndodheshin në Ulqin e në Mozhurë, u dolën përpara forcave osmane dhe ndalën marshimin e tyre për në Ulqin. Më 15 shtator dega e Lidhjes Shqiptare për Ulqinin u dërgoi Fuqive të Mëdha, nëpërmjet konsujve të tyre në Shkodër, një memorandum ku protestonte në mënyrë kategorike kundër lëshimit të Ulqinit dhe shprehte gatishmërinë e popullsisë së tij për të qëndruar deri në fund.
Më 17 shtator komandanti i flotës ushtarake të Gjashtë Fuqive të Mëdha i dërgoi Riza Pashës një ultimatum, me të cilin i jepte 3 ditë afat për dorëzimin e Ulqinit. Më 17 shtator ushtritë e Lidhjes, të përbëra nga 6 mijë ushtarë që deri atëherë e mbanin të rrethuar Ulqinin, sapo morën lajmin për demonstratën navale, sulmuan ushtritë osmane dhe e shtinë në dorë qytetin. Ushtria turke u mbyll në kazerma dhe më pas u largua fshehurazi nga qyteti.
Më 20 shtator flota e gjashtë Fuqive të Mëdha la Raguzën dhe u drejtua për në jug, por nuk hyri në ujërat e Ulqinit. Megjithatë, ushtritë e Lidhjes Shqiptare, të cilat tani qëndronin përballë flotës ndërkombëtare, nuk u bindën. Më 25 shtator Riza Pasha shpalli shtetrrethimin në Shkodër, bllokoi rrugën e Ulqinit për të ndaluar furnizimin e vullnetarëve, çarmatosi forcat e armatosura të qytetit që vareshin nga Lidhja, ndaloi mbledhjet dhe shpalli shpërndarjen e Degës së Lidhjes. Njëkohësisht bëri arrestime. Më 29 shtator Riza Pasha urdhëroi shpërndarjen e Komitetit Ndërkrahinor të Lidhjes dhe e kërcënoi se do të merrte masa ushtarake kundër tij, nëse nuk shpërndahej. Dega e Lidhjes të nesërmen u përgjigj se ajo tashmë nuk e njihte Riza Pashën si komandant ushtarak të vilajetit dhe e kërcënonte se do ta dëbonte atë së bashku me garnizonin e tij nga Shkodra.
Pikërisht në këto ditë, kur acarimi i marrëdhënieve ndërmjet Lidhjes së Prizrenit dhe Portës së Lartë po çonte drejt konfliktit të armatosur, Anglia dhe Austro-Hungaria ndërhynë për të penguar mbrojtjen me armë të Ulqinit. Duke parë se as demonstrata detare e flotës ndërkombëtare, as masat ushtarake të qeverisë osmane nuk po jepnin rezultat, konsujt britanikë dhe austro-hungarezë u përpoqën të bindnin krerët e degëve të Lidhjes së Prizrenit e në mënyrë të veçantë anëtarët e Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës se Fuqitë e Mëdha ishin të prirura t’u jepnin shqiptarëve të drejta autonomiste, por kërkonin si kusht që këta të mos e kundërshtonin dorëzimin e Ulqinit dhe të mos shkaktonin konflikt të armatosur me Portën e Lartë. Edhe pse premtimi i tyre qe një mashtrim, si edhe presionet e dhunshme të Stambollit nuk mbetën pa efekt. U lëkundën sidomos qarqet e moderuara, të cilat menduan se ia vlente të sakrifikohej Ulqini për të siguruar të drejtat autonomiste pa hyrë në konflikt me Portën e Lartë. Si rrjedhim, disa nga anëtarët e Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës, ndërmjet të cilëve edhe Hodo Sokoli, përkrahës i njohur i lëvizjes autonomiste, tani hoqën dorë nga lufta për mbrojtjen e Ulqinit.
Kjo rrethanë e vështirësoi më shumë detyrën e atdhetarëve për të mbrojtur me armë Ulqinin dhe për të siguruar autonominë e Shqipërisë. Megjithatë, ata nuk hoqën dorë nga qëndrimi i tyre, por u përpoqën të mbanin gjallë frymën luftarake në të katër vilajetet. Veç kësaj, ata vendosën të ndërmerrnin përçapjen e fundit për të tërhequr në programin e tyre qarqet e moderuara, në mënyrë të veçantë forcat luftarake që ishin ende të lidhura pas tyre. Për këtë qëllim u thirr një kuvend i jashtëzakonshëm i Lidhjes Shqiptare në qytetin e Dibrës.
Historia shqiptare
Rilindja Kombëtare