Kuvendi i Gjirokastrës (23 korrik 1880)
Sukseset që u arritën gjatë pranverës kundër administratës osmane të vilajeteve, paaftësia e Portës së Lartë për ta ndaluar vrullin e luftës së masave shqiptare dhe jehona që patën këto suksese në arenën ndërkombëtare i dhanë një shtytje të mëtejshme lëvizjes autonomiste në Shqipëri. Por vendimi që morën Fuqitë e Mëdha brenda e jashtë Konferencës së Berlinit, për ta detyruar Portën e Lartë që t’i kënaqte Athinën dhe Cetinën me lëshime territoriale në Çamëri e në Ulqin, krijoi një rrethanë thellësisht të ndërlikuar për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.Qarqet atdhetare të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, duke qenë të bindura se Porta e Lartë në gjendje paqeje nuk do t’i jepte asnjë të drejtë kombëtare Shqipërisë dhe se këto mund të siguroheshin vetëm nëse asaj i krijohej një gjendje pa rrugëdalje, këmbëngulën që lufta për autonominë e vendit të vijonte edhe në këto kushte. Sipas pikëpamjes së tyre, ishte e nevojshme që lufta kundër copëtimit të trojeve shqiptare të shkrihej me luftën për të drejtat autonomiste të Shqipërisë. Në një rast të tillë, mendonin ato, Porta e Lartë do të ngurronte të hapte një luftë frontale kundër gjithë Shqipërisë, aq më tepër që fuqitë perëndimore, në radhë të parë Britania e Madhe dhe Austro-Hungaria, do ta detyronin Perandorinë Osmane ta shmangte me çdo kusht këtë konflikt me shqiptarët për të mos përfituar prej tij Rusia cariste. Këto çështje pritej të diskutoheshin në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare që u mbajt në Prizren në dhjetëditëshin e fundit të korrikut të vitit 1880. Këshilli do të vendoste rreth masave që duheshin marrë për të pranuar lëshimin e territoreve që Konferenca e Berlinit ia kishte dhënë Greqisë, si edhe për të kundërshtuar vendimin e Konferencës së Stambollit për Ulqinin. Mbledhja e korrikut e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes kishte një përbërje mjaft të gjerë, megjithatë burimet dokumentare të njohura deri më sot heshtin rreth vendimeve të tij.
Në të njëjtën kohë Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes për Shqipërinë e Jugut, sapo mori njoftim për rezolutën e 1 korrikut të Konferencës së Berlinit për ratifikimin në favor të Greqisë të kufirit greko-turk, vendosi të mbledhë në Gjirokastër një kuvend tjetër të Lidhjes Shqiptare. Ndryshe nga sa ishte menduar në fillim, Kuvendi i Gjirokastrës nuk pati karakter ndërkrahinor, por mbarëshqiptar. Sipas njoftimit që jep konsulli rus, Trojanski, Kuvendi u vendos të mblidhej në Gjirokastër për të qenë më afër qendrës së trojeve shqiptare, më larg presionit të qendrës së vilajetit dhe ndërhyrjes së agjentëve të huaj që ndodheshin në Janinë.
Kuvendi u mblodh më 23 korrik 1880. Aty morën pjesë kryesisht krerët shqiptarë myslimanë e të krishterë të Beratit, të Përmetit, të Vlorës, të Labërisë dhe të Çamërisë. Por, sipas të dhënave të konsullatës austro-hungareze në Prevezë, në këtë Kuvend kanë marrë pjesë përfaqësues nga e gjithë Shqipëria, jo vetëm nga jugu, por edhe nga Gegëria, ndërsa krahinat që nuk dërguan dot përfaqësuesit e tyre, i miratuan vendimet e tij me shkrim.
Punimet e Kuvendit i drejtoi Abdyl Frashëri. Çështja themelore që u trajtua aty ishte: autonomia e Shqipërisë, koha e shpalljes dhe mënyra e realizimit të saj. Kuvendi i Gjirokastrës vendosi që, në rast se qeveria e Stambollit do të shtrëngohej të zbatonte rezolutën e Konferencës së Berlinit ose në rast se Greqia do të orvatej t’i merrte me dhunë tokat shqiptare që asaj i qenë premtuar, Lidhja Shqiptare do të shpallte menjëherë një qeveri të përkohshme kombëtare. Me formimin e saj do të merrte fund sundimi osman në Shqipëri. Sapo të shpallej qeveria e përkohshme shqiptare, do të pushoheshin nëpunësit turq dhe do të zëvendësoheshin nga nëpunës shqiptarë pa dallim feje. Të ardhurat shtetërore do të administroheshin nga qeveria e përkohshme për nevojat e Lidhjes Shqiptare. Menjëherë do të hartohej një kushtetutë, e cila do të garantonte sigurinë e personit, të pasurisë dhe ushtrimin e lirë të fesë. Qeveria e përkohshme do të merrte të gjitha masat për të vendosur rendin dhe qetësinë shembullore në mbarë vendin. Për këtë qëllim do të dënoheshin me rreptësi jo vetëm autorët e krimeve, por edhe tradhtarët e vendit. Në të njëjtën kohë do t’i kushtohej një kujdes i veçantë ushtrisë kombëtare, në radhët e së cilës do të inkuadroheshin të gjithë nizamët, rezervistët dhe oficerët shqiptarë që shërbenin në ushtrinë osmane.
Kuvendi i Gjirokastrës vendosi që Shqipëria të mos kalonte përtej caqeve të një shteti autonom nën sovranitetin e sulltanit. Megjithatë, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë autonome dhe Perandorisë Osmane do të kufizoheshin në minimum. Sulltani do të kishte vetëm një të drejtë: të emëronte guvernatorin e përgjithshëm të Shqipërisë, kurse Shqipëria detyrohej t’i paguante Portës së Lartë një tribut vjetor në të holla dhe të ndihmonte me një kontigjent të caktuar ushtarësh shqiptarë në rast lufte me shtetet e huaja. Për kompensim Perandoria Osmane do të detyrohej ta mbronte ushtarakisht Shqipërinë nga çdo agresion i jashtëm.
Lidhur me rezolutën e Konferencës së Berlinit të 1 korrikut 1880 Kuvendi i Gjirokastrës mbajti të njëjtin qëndrim që kishte përcaktuar më parë Lidhja. Shpalli se shqiptarët nuk kishin punë me Thesalinë, por ishin të vendosur të kundërshtonin me çdo kusht një copëtim të Shqipërisë së Jugut (të Epirit). Kuvendi shprehu gatishmërinë e shqiptarëve për t’u hedhur menjëherë në front, në qoftë se ushtritë greke do të shkelnin kufirin. Kuvendi vendosi të merrte edhe masa konkrete ushtarake për mbrojtjen e tërësisë së Shqipërisë, duke ngritur për këtë qëllim ushtrinë kombëtare.
Për ta detyruar Perandorinë Osmane që ta njihte de jure autonominë e Shqipërisë, udhëheqësit mendonin të tërhiqnin në veprime luftarake shtresat e gjera popullore dhe ta vinin Portën e Lartë para faktit të kryer. Sipas tyre, fakti i kryer do të siguronte në të njëjtën kohë edhe mbështetjen e atyre Fuqive të Mëdha, të cilat nuk dëshironin trazira të brendshme, që do ta dobësonin më shumë Perandorinë Osmane. Ata mendonin të siguronin mbështetjen e tyre duke tërhequr simpatinë e opinionit botëror në favor të kryengritjes çlirimtare dhe duke dhënë prova se shqiptarët ishin të përgatitur për të organizuar shtetin e tyre kombëtar.
Kuvendi zë një vend të rëndësishëm në historinë e Lidhjes Shqiptare. Ai shënoi një shkallëzim të mëtejshëm të luftës për autonominë e Shqipërisë dhe shtroi për herë të parë, në shkallë kombëtare, krijimin e një qeverie të përkohshme shqiptare. Me vendimet e tij Kuvendi i Gjirokastrës ua parashtroi edhe njëherë Fuqive të Mëdha përgjigjen kategorike se shqiptarët nuk do të lejonin në asnjë mënyrë copëtimin e territoreve të atdheut të tyre.
Fill pas mbylljes së Kuvendit të Gjirokastrës pjesëmarrësit u shpërndanë përsëri në viset e tyre, me qëllim që të mobilizonin forcat ushtarake për të mbrojtur tërësinë e trojeve shqiptare dhe për të siguruar të drejtat kombëtare.
Tërheqja e shtresave të gjera të popullsisë në platformën atdhetare të krahut radikal të Lidhjes i dha shtytje lëvizjes autonomiste. Fill pas mbylljes së Kuvendit të Gjirokastrës në mjaft krahina të Jugut u rritën veprimet e popullsisë për dëbimin e nëpunësve turq nga administrata lokale dhe për kthimin e saj në administratë shqiptare. Një muaj më vonë, në gusht 1880, konsulli rus në Janinë, Trojanski, raportonte në lidhje me gjendjen në Çamëri: “Qeverisja e vilajetit tani po kalon dalëngadalë në duart e shqiptarëve, të cilët përpiqen të largojnë që këtej të gjithë nëpunësit me origjinë joshqiptare dhe kanë pasur aq sukses në këtë punë, saqë në rrethet e Epirit Veriperëndimor Lidhja Shqiptare vepron pothuajse në mënyrë të pavarur”. Dëshmi e rritjes së autoritetit të Lidhjes Shqiptare ishte vendosja e qetësisë së plotë jo vetëm në Shqipërinë e Jugut, por në mbarë vendin. Lidhja arriti të vendoste qetësinë e rendin edhe në vilajetin e Manastirit e të Kosovës. Me vendimet e Kuvendit të Gjirokastrës u solidarizua edhe opinioni publik i vilajetit të Kosovës e të Shkodrës, veçse në këto treva shqiptarët mbetën të gozhduar për shkak të shqetësimit që vijoi të shkaktonte çështja e Ulqinit.
Vendimet e Kuvendit të Gjirokastrës shkaktuan shqetësim në Stamboll. Porta e Lartë mori masa për ta shtypur lëvizjen autonomiste me anë të përçarjes ose të dhunës në rast se acarohej situata në sektorin e Ulqinit. Për çështjen e Çamërisë ajo vendosi të fitonte kohë duke e vazhduar kundërshtimin ndaj Protokollit nr. 13 dhe duke i zvarritur përsëri bisedimet me palën greke.
Historia shqiptare
Rilindja Kombëtare