Sami Frashëri (1850-1904)
Një kontribut të madh në përpunimin e në zhvillimin e mëtejshëm të mendimit politiko-shoqëror e filozofik shqiptar dha ideologu i shquar i Rilindjes Kombëtare Sami Frashëri.
Mësimet e para Samiu i mori në fshatin e lindjes, në Frashër, kurse ato të mesme i kreu në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Më 1871 u vendos në Stamboll, ku filloi punën krijuese letraro-shkencore dhe veprimtarinë në të mirë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në të njëjtën kohë ai u lidh edhe me lëvizjen përparimtare politiko-shoqërore turke.
Gjatë kësaj kohe e veçanërisht në vitet e Lidhjes së Prizrenit e më vonë, Samiu u dallua edhe si mbrojtës i vendosur i të drejtave të popullit shqiptar, si një organizator e udhëheqës i shquar i lëvizjes politike e kulturore kombëtare shqiptare.
Samiu ishte një nga themeluesit e kulturës në gjuhën shqipe që lulëzoi në gjysmën e dytë të shek. XIX. Ai shkroi 5 tekste për shkollën e parë shqipe, më të mirat ndër ato që ishin botuar deri atëherë. Një vlerë të veçantë ka “Shkronjëtorja e gjuhësë shqip” (1886), një nga gramatikat më të mira, hartuar në të kaluarën. Në të Samiu dha sistemin gramatikor të gjuhës shqipe, përpunoi kategoritë e saj themelore dhe formuloi terminologjinë përkatëse, një pjesë e së cilës i ka qëndruar me sukses kohës.
Ai u dallua si një punonjës i palodhur në fushën e letërsisë e të shkencës. Rezultatet e studimeve të tij i botoi turqisht me emrin Shemsettin Sami ose Sh. Sami Frashëri. I dha kulturës turke mbi 40 vepra, shumica orgjinale, disa përkthime, një pjesë të të cilave mbetën të pabotuara. Në listën e gjatë të veprave të Samiut ka shkrime letrare, novela e drama, fjalorë e tekste shkollore, broshura për popullarizimin e njohurive shkencore, studime mbi gjuhësinë e letërsinë turke e arabe. Samiu i dha popullit turk të parin fjalor normativ dhe etimologjik të turqishtes (Kamus-i-Turki) dhe të parën enciklopedi të historisë e të gjeografisë të botuar në 6 vëllime (Kamus-ul-alam). Ai drejtoi gjithashtu disa organe shtypi, gazeta e revista, si “Feneri” (1873), “Kopështi” (1873), “Mëngjesi” (1876), “Zëdhënësi i Lindjes” (1878) dhe “Java” (1881).
Në gjithë pasurinë letrare e publicistike dallohet kryevepra e tij në gjuhën shqipe “Shqipëria ç’ka qënë ç’është e ç’do të bëhetë?” (1899), e cila me të drejtë është çmuar edhe si manifesti politik i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Idetë e orientimet e kësaj vepre, së bashku me ato të fjalëve të urta të botuara në turqisht dhe të të gjithë veprës së tij të gjerë shkencore, e bëjnë Samiun një nga dijetarët më në zë që ka nxjerrë historia e popullit shqiptar, atdhetarin e madh dhe humanistin e shquar të kulturës kombëtare shqiptare.
Në veprat shqipe mbizotëron motivi i luftës çlirimtare kundër sundimtarit osman, kurse veprat turqisht i përshkon fryma e luftës kundër absolutizmit despotik dhe dogmatizmit klerikal të Perandorisë Osmane. Ato synojnë të shembin të njëjtën kështjellë, pushtetin shtypës e feudal të sulltanëve për të çliruar njëkohësisht si popullin shqiptar, ashtu edhe atë turk.
Përballë despotizmit të sulltanëve osmanë Samiu vinte demokracinë dhe lirinë. Liria për Samiun ishte gjëja më e shtrenjtë që i ka dhënë njeriut natyra dhe që askush nuk ka të drejtë t’ia shkelë. Gëzimi më i madh, që mund të ndiejë njeriu në jetën e vet, shkruante Samiu, është çasti kur rifiton lirinë e humbur.
Përballë obskurantizmit mesjetar Samiu vinte dituritë të mbështetura në shkencat, të cilat kanë që të gjitha një vegël, një mjet, mendjen, inteligjencën njerëzore. Dituria ishte për Samiun rruga e lirisë. Prej diturisë rrjedhin mirëqenia dhe të gjitha të mirat e kësaj bote; “njerëzit, – shkruante ai, – kanë një detyrë të madhe: të njohin natyrën dhe të vërtetën e materjeve që gjenden në botë veçanërisht mbi lëmsh të Dheut tonë, të dinë të përfitojnë nga cilësitë e atyre materjeve dhe t’i shtien ato në punë për mirëqenien e mbarë rruzullimit”.
Prandaj gjëja më e mirë për njeriun është të përpiqet të fitojë dituri, “argëtimi më i mirë për njeriun është studimi dhe shoku më i mirë, libri”. Të gjitha këto pikëpamje të Samiut dhe e gjithë puna që ai ka bërë për përhapjen e diturive në masat popullore e bëjnë atë një nga iluministët më të mëdhenj të asaj kohe në Shqipëri dhe në tërë Perandorinë Osmane.
Si iluminist, si mbrojtës i diturisë dhe i shkencës, Samiu ishte kundër obskurantizmit mesjetar të monarkisë teokratike, që mbisundonte në atë kohë në Perandorinë Osmane dhe shfrytëzonte për të ruajtur pushtetin e saj edhe fanatizmin e qarqeve të caktuara konservatore klerikale, të kryesuara nga Shejhylslami. Por kritika ndaj obskurantizmit e fanatizmit fetar të mbjellë nga kleri i lartë dhe sulltani Kalif, nuk e bëri Samiun të vinte në dyshim vlerën e përgjithshme të fesë e të besimit fetar.
Në planin fetar ai mbeti në kuadrin e deizmit, d.m.th. në kuadrin e pranimit të zotit si fuqi e mbinatyrshme që krijoi gjithësinë dhe tokën tonë, të cilat, me t’u krijuar, ekzistojnë e zhvillohen në bazë të ligjeve të tyre. “Çdo gjë që ekziston në natyrë, – shkruante ai, – gjithë trupat qiellorë u shtrohen një ligji dhe një rregulli”.
Në qoftë se në rrjedhjen e ngjarjeve nuk ndërhyn vullneti i zotit, në qoftë se ato ecin sipas ligjeve të tyre të brendshme, atëherë, sipas Samiut, forca vendimtare është “mendja”, “inteligjenca” e njeriut, që e lejon të zbulojë të fshehtat e botës dhe të ecë përpara. Me anën e “mendjes”, të “inteligjencës”, njeriu, shkruante Samiu, “u largua gjithnjë e më tepër nga kafsha dhe u bë përherë e më tepër një levë e fortë që e shpuri lart e më lart qytetërimin”.
Samiu vinte në bazë të zhvillimit shoqëror mendjen dhe inteligjencën. Po të merren parasysh kushtet historike në të cilat jetoi e punoi, botëkuptimi filozofik i Samiut duhet vlerësuar si botëkuptimi më i përparuar i asaj kohe në Shqipëri dhe në Perandorinë Osmane. Në emër “të arsyes”, Samiu u ngrit kundër rendit të paarsyeshëm feudalo-despotik, si edhe kundër paditurisë e obskurantizmit, kërkoi lirinë për popullin e vet, barazinë dhe mirëqenien të mbështetur në punën për të gjithë.
Samiu kishte besim në forcat potenciale të njeriut për t’u përsosur materialisht e moralisht dhe për të ecur gjithnjë përpara në rrugën e qytetërimit. Po kështu, ai kishte besim të plotë në të ardhmen e ndritur të shoqërisë njerëzore, në mundësinë e saj për të kapërcyer çdo pengesë drejt progresit shoqëror. Historia, vinte ai në dukje, nuk njeh ndërprerje, shoqëria njerëzore ka qenë dhe është një entitet që zhvillohet vazhdimisht, nga një shkallë më e ulët në një shkallë më të lartë të qytetërimit. Arsyeja më e thellë e këtij progresi historik, ajo që e bën qytetërimin e mëvonshëm më të përsosur se atë më të hershmin, shpjegonte Samiu, është fakti se “një komb i qytetëruar bën për vete veprat e një kombi tjetër të qytetëruar, bile u shton atyre veprave prodhimet e fuqisë së tij intelektuale, i përsos dhe i shton më tej ato vepra”. Në këtë kuptim çdo popull ka meritat e tij para historisë, sepse çdo popull, kush më shumë e kush më pak, me veprat e veta ka kontribuar në thesarin e përgjithshëm të qytetërimit botëror.
Me vlerësimin e lartë që i bënte çdo kombi, Samiu mbronte një të vërtetë historike, nga e cila dilte vetvetiu përfundimi se edhe populli shqiptar, ndonëse i vogël, kishte vlerat e tij, të drejtën e ekzistencës dhe kishte dhënë kontributin e tij në kulturën botërore. Vetë veprimtaria e pasur krijuese e Samiut, i cili, si edhe rilindësit e tjerë të shquar shqiptarë, kishte studiuar e kishte përvetësuar thellë idetë demokratike të kohës e veçanërisht të filozofëve e të mendimtarëve të Revolucionit francez, si të Dideroit, të D’Alamberit, të Volterit, të Rusoit etj., duke i vënë ato në shërbim të lëvizjes kombëtare të popullit shqiptar, e pasuroi më tej mendimin e përparuar politiko-shoqëror të Rilindjes Shqiptare.
Me vlerësimin që i bënte qytetërimit të ri evropian, si një shkallë më e përparuar e zhvillimit shoqëror në krahasim me qytetërimin osman të lidhur me sistemin feudal, që mbizotëronte në Perandorinë Osmane, Samiu mbronte një të vërtetë tjetër historike, nga e cila dilte vetvetiu përfundimi se Perandoria Osmane, që ngrihej mbi themelet e sistemit feudal, duhej të shembej dhe mbi gërmadhat e saj duhej të ndërtohej një shoqëri e re në një Shqipëri të pavarur dhe në një Turqi të re.
Idetë më të afërta për Samiun, ato që ndeshen më shpesh në veprën e tij dhe që shprehen më me forcë, janë ato që kanë të bëjnë me kombin, me tiparet e tij, me rrugën e çlirimit kombëtar, me të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë. “Sendet më të shtrenjtë në botë, – shkruante Samiu, – janë nderi dhe atdheu. Ata që për dobi personale shkelin dashurinë e atdheut, ata shkelin njëkohësisht edhe nderin e tyre”. Atdhedashurinë ai e shihte si një ndjenjë të tillë, së cilës “asnjë nuk mund t’i bëjë ballë”. “Topi që shemb kështjellat më të fuqishme është atdhedashuria”, thoshte Samiu.
Një problem i lidhur ngushtë me kombin është ai i gjuhës. “Shenja e kombësisë është gjuha, – shkruante Samiu, – çdo komb mbahet nga gjuhët”. Kur një komb e humb gjuhën, humb dhe veten. Me ç’gëzim të madh shkruanin Samiu e Naimi në një letër dërguar një mikut të tyre për arritjet në shkrimin e në lëvrimin e gjuhës shqipe: “Armiqtë e kombit tonë, – thoshin ata, – donin të na gënjenin ç’prej kohe se gjoja gjuha shqipe është një gjuhë e prishur dhe trashamane, se nuk mund të shkruhet, se s’ka gramatikë, se me të nuk mësohen shkencat e tjera. Por në fund panë se shqipja u bë, u shkrua, u krijua alfabeti i saj, u hartua gramatika, u shtypën librat e shkencës, u përkthyen poezi të bukura prej çdo gjuhe të huaj. Me një fjalë u kuptua se ç’gjuhë e përsosur dhe e rregullt është shqipja”.
Në luftën për çlirimin e atdheut nga robëria një rol të madh, sipas mendimit të drejtë të Samiut, do të luante bashkimi i popullit shqiptar. Ai fliste me admirim për forcën e bashkimit dhe për dëmin e grindjes dhe të përçarjes. “Bashkimi, – shkruante ai, – bën të mundura sendet e pamundshme, kurse grindja bën të pamundura sendet e mundshme”. Një pengesë e madhe në rrugën e bashkimit politik ishte përçarja fetare, e mbajtur gjallë dhe e nxitur nga pushtuesit osmanë dhe qarqet politike shoviniste të shteteve fqinje. Samiu me gëzim bënte një konstatim që ishte në të njëjtën kohë edhe një dëshirë e tij: “Shqiptari nuk njeh grindjet e fesë dhe luftërat e përgjakshme fetare, që kanë njohur popujt e Lindjes dhe të Perëndimit. Bashkimi i vërtetë dhe i fortë është ai që mbështetet mbi një themel parimor, mbi bindje të përbashkëta”. “Bashkimi i ideve dhe i parimeve, – shkruante ai, – është më i fortë se bashkimi i shteteve”. Një bazë e tillë parimore për Samiun ishte dashuria për Shqipërinë, së cilës duhej t’i nënshtrohej çdo lloj ndjenje e vlere tjetër. “Shqiptari është shqiptar para se të jetë mysliman apo i krishterë”, shpallte ai, duke ngritur kështu idenë e kombësisë mbi idenë e fesë.
Samiu i bëri një luftë të ashpër shoqërisë feudale dhe shfaqjes më të shëmtuar të saj, shtypjes së popullit e sidomos të fshatarësisë nga çifligarët feudalë e nga fajdexhinjtë. “Nëse ka njeri më të dëmshëm për shoqërinë njerëzore, – shkruante Samiu, – është ai i cili jeton me të ardhurat e një çifligu, që nuk punon vetë ose me kamatën e të hollave që i ka dhënë me fajde”. I frymëzuar nga kjo ide ai doli me kërkesën demokratike që pronarët e tokave t’i qeverisnin vetë tokat e tyre, të ktheheshin, pra, në çifligarë kapitalistë.
Samiu ishte një luftëtar i të drejtave njerëzore, një paralajmëtar i një bote tjetër pa despotizëm dhe pa shtypjen e dinjitetit të njeriut. Dëshmi për këtë, ndoshta më kuptimplotja, është qëndrimi i Samiut ndaj gruas. Problemit të gruas, të vendit të saj në shoqëri, të rrugëve të emancipimit të saj, Samiu i kushtoi një libër të tërë. Gruas ai i njihte një rol shoqëror, atë të edukimit të brezit të ri dhe, nëpërmjet tij, të konsolidimit të vetë shoqërisë. “Një shtet i qytetëruar, – shkruante Samiu, – mbështetet në edukatën e gruas”. Gjithashtu ai i njihte gruas të drejta të barabarta me burrin në familje.
Shkrimet e Samiut, e gjithë vepra e tij në shqip dhe në turqisht është e mbushur me një besim të madh në çlirimin e afërt të Shqipërisë, në një të ardhme më të mirë të saj. Këtë besim ai e mbështeste në një varg faktorësh historiko-politikë e psikologjikë. Të tillë faktorë për Samiun ishin lashtësia e popullit shqiptar, trimëria e tij, talenti dhe zgjuarsia, dashuria për punë e mbi të gjitha atdhedashuria. Atdhedashuria e popullit shqiptar, e bashkuar me trimërinë e tij, ishin për Samiun ajo forcë, të cilën s’mund ta ndalte asgjë në rrugën e saj drejt qëllimit të caktuar.
Besimin për çlirimin e afërt të Shqipërisë Samiu e gjente edhe në bindjen që ai kishte se Perandoria Osmane ishte në kalbëzim e sipër, se koha e despotizmit politik dhe e shtypjes kombëtare ishte duke perënduar dhe, si rrjedhim, vitet e sundimit osman në Ballkan ishin të numëruara. Samiu priste çdo ditë të dëgjonte lajmin e gëzuar të shembjes së despotizmit anakronik të sulltanit. Ai punoi për ta përgatitur popullin për këtë të ardhme të lirë e të pavarur dhe me idetë e veprat e tij, si edhe me veprimtarinë politiko-shoqërore, i frymëzoi shqiptarët të luftonin për sigurimin e saj.
Historia shqiptare
Rilindja Kombëtare