Parashtrimi i kërkesave kombëtare të shqiptarëve
Më 22 korrik u formua qeveria e re me kundërshtarë të xhonturqve, e kryesuar nga Ahmet Myftar pasha. Ajo urdhëroi të ndërpriteshin veprimet luftarake në Shqipëri dhe vendosi të dërgonte në Kosovë një komision qeveritar për të biseduar me kryengritësit.
Rretheve atdhetare shqiptare u dolën tani dy detyra të ngutshme për fatet e lëvizjes kombëtare. Detyra e parë ishte të shkëputeshin nga programi itilafist dhe t’i paraqitnin komisionit kërkesat për autonominë territoriale-administrative të Shqipërisë. Detyra tjetër ishte që, në bisedimet me komisionin, të përfaqësoheshin të gjitha krahinat e vendit e që me qeverinë turke të arrihej një marrëveshje për gjithë Shqipërinë dhe në emër të kombit shqiptar.
Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, të cilët ndodheshin në këtë kohë jashtë, u shkruanin ato ditë atdhetarëve të Shqipërisë së Mesme: “ … Të mos gënjehemi edhe njëherë tjetër, por të mbajmë vendet që kemi, të forcohemi e të lidhemi me njëri-tjetrin e të ngulim këmbë, që t’u jepen katër vilajeteve ato 12 pikat që kishim kërkuar vjet nga ana e malësorëve”, më poshtë i porositnin: “…duhet nga të gjitha anët e Shqipërisë të dërgohen njerëz në Kosovë që të rrëfejnë se si me armë, me mendime, si me kërkime jemi të gjithë shqiptarë të pandarë”.
Pas çlirimit të Prishtinës, Hasan Prishtina njoftoi telegrafisht deputetët shqiptarë në Stamboll për këtë sukses të madh të kryengritësve. Ai njoftonte gjithashtu, se atje ishte vendosur pushteti i shqiptarëve dhe shpresonte që së shpejti do të themelohej edhe parlamenti shqiptar. Duke parashikuar pengesat nga qeveritarët e rinj të Stambollit, në të cilat do të ndeshte programi i miratuar në Kuvendin e Junikut, Hasan Prishtina shpejtonte të shpallte synimet politike të kryengritjes shqiptare. Deklarata e tij dëshironte ta vinte qeverinë itilafiste para faktit të kryer.
Por krerët shqiptarë, të grumbulluar në Prishtinë, nuk kishin të njëjtin mendim lidhur me të ardhmen e Shqipërisë. Ata qenë ndarë në dy grupime, njëri nga të cilët përbëhej nga udhëheqësit kryesorë të kryengritjes, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Riza Beu, Jahja Efendiu dhe Musa Efendiu nga Prizreni. Ndërsa grupimi tjetër përbëhej nga përfaqësues të moderuar të Lëvizjes Kombëtare dhe nga disa elementë turkomanë të qyteteve, si edhe nga katër pjesëtarë të kombësisë serbe. Të dy grupimet dolën me kërkesa të veçanta para komisionit qeveritar të ardhur nga Stambolli.
Në muajin korrik iu dërgua nga Prishtina qeverisë osmane platforma e udhëheqësve kryesorë e më të përparuar të lëvizjes shqiptare për t’i njohur Shqipërisë të drejtat e një province autonome. Në këtë platformë parashtroheshin këto kërkesa: kryerja e shërbimit ushtarak në Shqipëri, me përjashtim të rasteve të luftës; arsimi në gjuhën shqipe e përdorimi i alfabetit latin; mosndërhyrja e qeverisë në shkollat private, si dhe masa të nevojshme për përhapjen e arsimit në Shqipëri; vendosja në administratë e nëpunësve që dinin gjuhën e vendit; ligje të posaçme në dobi të krahinave malore për të lehtësuar detyrimet e popullsisë së varfër; zbatimi i vendimeve të marra në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të vilajetit; vendosja e një kontrolli për plotësimin e të gjitha kërkesave të parashtruara.
Përveç këtyre, përfshiheshin edhe masa të tjera, të cilat synonin të plotësonin ato kërkesa që kishin qenë shkak i drejtpërdrejtë i shpërthimit të kryengritjes, siç ishin: kthimi i armëve të marra me forcë, zhdëmtimi i pronarëve të dëmtuar nga operacionet ushtarake, ndërtimi i rrugëve kombëtare e krahinore, mbështetja e zhvillimit të bujqësisë përmes kredive të dhëna nga një bankë bujqësore që do të krijohej, shlyerja e taksave dhe e tatimeve të caktuara nga qeveria deri ditën që gjendja ekonomike e vendit të përmirësohej, si dhe caktimi i një pjese të të ardhurave të buxhetit për nevojat lokale.
Grupi tjetër i udhëheqësve të kryengritjes shtroi këto kërkesa: të shpërndahej parlamenti brenda 48 orëve, përndryshe do të sulmohej Shkupi; të kishte liri për mbajtjen e armëve; shqiptarët ta kryenin shërbimin ushtarak në pjesën evropiane të Perandorisë; të hapeshin shkolla në marrëveshje me organet shtetërore; të emëroheshin brenda mundësive në administratën e këtyre viseve nëpunës shqiptarë; të nxirreshin para gjyqit ministrat xhonturq; të shpallej amnisti për të dënuarit politikë; t’i kushtohej kujdes i madh bujqësisë e komunikacionit; të hidhej poshtë ideja për ndarjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Me gjithë karakterin e moderuar të këtyre kërkesave, që ishin larg programit autonomist të kryengritjes, komisioni qeveritar nuk i pranoi.
Ndërkohë udhëheqësit e kryengritjes në Shqipërinë e Jugut më 23 korrik u mblodhën në Sinjë të Beratit, ku miratuan një memorandum prej 12 pikash, të ngjashëm me atë të Greçës. Memorandumi, i nënshkruar nga dyzet e nëntë drejtues kryesorë të forcave kryengritëse në Jug, iu parashtrua më 29 korrik vezirit të madh. Kryengritësit e Shqipërisë së Jugut kërkonin: njohjen e kombit shqiptar; krijimin e një administrate vendase për të gjithë Shqipërinë, në të cilën sulltani të caktonte një inspektor për të kontrolluar zbatimin e ligjeve; garanci, brenda këtij kuadri, për zbatimin e kushtetutës, të zakoneve dhe të traditave të popullsisë; të drejtën për të mësuar në gjuhën amtare dhe lirinë për të çelur shkolla shqipe; pranimin si gjuhë zyrtare të turqishtes, por krahas saj të përdorej edhe shqipja. Veç këtyre kërkohej të shpërndahej parlamenti, të zhvilloheshin zgjedhje të lira, një pjesë e të ardhurave të përdorej për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, t’i ktheheshin popullsisë armët e konfiskuara e të tjera.
Përkujtesa përmbante në thelb kërkesën e autonomisë së Shqipërisë, e cila, ndonëse nuk ishte shprehur fjalë për fjalë, nënkuptohej me kërkesën e krijimit të një administrate shqiptare (vendase) që do të ishte e njëjtë për gjithë Shqipërinë, që do të përfshinte katër vilajetet shqiptare.
Edhe Komiteti revolucionar i Vlorës parashtroi 13 kërkesa të ngjashme me ato të Memorandumit të Greçës, me të cilat mendonte të shkohej në bisedimet me qeverinë e re. Në to përfshiheshin: liri e plotë për mësimin e gjuhës shqipe dhe për hapjen e shkollave publike e private; të gjitha të drejtat për shqiptarët si ato që kishin siguruar edhe popujt e tjerë; respektimi i të gjitha zakoneve shqiptare, që nuk ishin në kundërshtim me kushtetutën; zgjedhje të lira dhe numri i deputetëve në përpjesëtim me numrin e popullsisë; qeverisja e Shqipërisë sipas parimit të decentralizimit të administratës në shkallë perandorie; emërimi si vali i një njeriu që njihte zakonet e vendit dhe gjuhën shqipe; emërimi në gjyqe e në polici vetëm i shqiptarëve; caktimi i një inspektori për kontrollin e punës së nëpunësve; njohja e gjuhës shqipe në Shqipëri si gjuhë zyrtare; shërbimi ushtarak në vend; shpenzimi i të ardhurave të vendit për nevoja lokale; krijimi nga kuvendi i buxhetit të vilajetit dhe kontrolli nga ai i shpenzimit të mjeteve financiare; dëmshpërblimi për shtëpitë e rrënuara nga ushtria; kthimi i armëve popullsisë.
Këto kërkesa, sipas hartuesve të tyre, do t’u siguronin shqiptarëve “një farë ekzistence si politikisht, ashtu dhe financiarisht” dhe do t’u hapnin “rrugën e përparimit e të qytetërimit”. Autorët e këtyre kërkesave theksonin gjithashtu se ato ishin në pajtim me kushtetutën. Pranimin e tyre atdhetarët vlonjatë e shikonin si kusht që vetë Turqia të shpëtonte ekzistencën e saj, ndërsa Shqipëria të siguronte një jetë të lumtur e të qetë.
Kundërshtimet e Syrja Vlorës ndaj kësaj përkujtese, siç thekson zëvendëskonsulli austro-hungarez në Vlorë, nuk u pranuan nga pjesëmarrësit e tjerë të mbledhjes.
Kërkesat e parashtruara nga përfaqësuesit e viseve të ndryshme të Shqipërisë dëshmonin se shqiptarët, pa dallime krahinore, ishin të bashkuar rreth një programi kombëtar, thelbin e të cilit e përbënte autonomia e Shqipërisë. Këto akte tregojnë gjithashtu se udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e të kryengritjes shqiptare do të shkonin në bisedimet me përfaqësuesit e qeverisë turke duke pasur si bazë programin e autonomisë së Shqipërisë.
Historia shqiptare
Rilindja Kombëtare