Bisedimet shqiptaro-turke

Bisedimet shqiptaro-turke

Sukseset e kryengritjes shqiptare e çuan Perandorinë Osmane drejt fundit të saj. Ato shkaktuan shqetësime në qarqet drejtuese politike të vendeve ballkanike dhe të Evropës. Fuqitë e Mëdha i shqetësonte fakti se përmbushja e kërkesave të kryengritësve shqiptarë mund të çonte në prishjen e status quo-së dhe të ekuilibrit të forcave në Ballkan e në Evropë dhe do të përshpejtonte afrimin e një konflikti të armatosur të përmasave botërore. Nga ana tjetër, shtetet ballkanike, e shikonin dobësimin e Perandorisë Osmane si një mundësi për të arritur synimet e tyre të përcaktuara tashmë në marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Aleancës Ballkanike. Në këtë kohë ata po hartonin planet konkrete për fillimin e veprimeve ushtarake kundër Perandorisë Osmane, ndërsa formimin e një Shqipërie autonome e shihnin si pengesë për realizimin e këtyre planeve.Komisioni qeveritar mbërriti në Shkup më 27 korrik. Ai përbëhej nga Sulejman Pasha, Danish Efendiu dhe Avni bej Gjilani. Po në këtë ditë u mblodhën në Prishtinë udhëheqësit e kryengritjes që në fillim kërkuan prej tij shpërndarjen e parlamentit. Komisioni nuk e pranoi këtë kërkesë, duke e quajtur antikushtetuese. Si rrjedhim, bisedimet u ndërprenë dhe më 29 korrik udhëheqësit e kryengritjes i dërguan Stambollit nga Prishtina një ultimatum, ku thuhej: “Në qoftë se shpërndarja e parlamentit nuk bëhet brenda dyzet e tetë orëve, do të vazhdojmë marshimin”. I tronditur nga ky paralajmërim, Veziri i Madh njoftoi krerët shqiptarë që të prisnin për t’i vijuar bashkëfjalimet me Ibrahim Pashën, i cili ishte vënë në krye të delegacionit.

Në këto rrethana u bë edhe më e domosdoshme që të gjitha forcat politike shqiptare dhe udhëheqësit e kryengritjes në Veri e në Jug të dilnin me një qëndrim të përbashkët. Më 30 korrik udhëheqësit radikalë të kryengritjes me Hasan Prishtinën në krye lëshuan thirrjen me titullin “Vllazën të dashtun” dhe të nënshkruar nga “Atdhetarët e vërtetë të Kosovës”. Në këtë dokument u bëhej thirrje qarqeve atdhetare të të katër vilajeteve që të dërgonin përfaqësuesit e tyre, “njërëz atdhetarë e me randësi”, në një mbledhje, ku do të vendosej për të drejtat e kërkesat që do t’i paraqiteshin komisionit qeveritar në emër të të gjithë Shqipërisë.
Thirrja u përkrah nga Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, të cilët porositën menjëherë komitetet e Shqipërisë së Mesme që të nisnin në Kosovë përfaqësues nga të gjitha krahinat. Ata theksonin se shqiptarët duhej të bashkoheshin rreth programit kombëtar për të fituar autonominë territoriale-administrative.

Qeveria e re turke nuk mundte t’i qetësonte me mjete të tjera shqiptarët që ishin ngritur me armë në dorë për të kërkuar lirinë e atdheut, prandaj ishte e detyruar të ulej e të bisedonte me ta.
Në këto rrethana, udhëheqja e kryengritjes në Kosovë, ku parashikoheshin të zhvilloheshin bisedimet, e quajti të nevojshme të shkëputej plotësisht dhe sa më shpejt nga programi i përbashkët itilafist i lëvizjes opozitare dhe të parashtronte zyrtarisht kërkesat e miratuara në Junik për sigurimin e autonomisë territoriale-administrative. Detyrë tjetër e saj ishte të merrte masat që në këto bisedime të përfaqësoheshin të gjitha viset e banuara nga shqiptarët. I ndërgjegjshëm për domosdoshmërinë e plotësimit të tyre, Hasan Prishtina u bëri thirrje komiteteve shqiptare që të përfaqësoheshin në bisedimet shqiptaro-turke.

Më 1 gusht Ibrahim Pasha, që sapo kishte arritur në Prishtinë, rifilloi këtu bisedimet me udhëheqësit e kryengritjes. Në radhët e tyre, krahas krahut radikal, bënin pjesë edhe elementë të moderuar e të lëkundur si edhe elementë me bindje turkomane. Madje, ky grup kishte një peshë jo të vogël midis përfaqësuesve të kryengritjes. Qysh në fillim të bisedimeve Hasan Prishtina në fjalën që mbajti para Komisionit qeveritar dënoi ashpër barbarizmat e xhonturqve dhe parashtroi këto kërkesa: të njiheshin zyrtarisht kufijtë e Shqipërisë; autoritetet civile e ushtarake të ishin të kombësisë shqiptare; ushtria shqiptare të shërbente në vend dhe të komandohej nga oficerë shqiptarë; shqipja të ishte gjuhë zyrtare në Shqipëri.

Ibrahim Pasha i quajti këto kërkesa të papranueshme dhe si një hap për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane. Në këto kushte mbledhja u shpërnda pa arritur ndonjë përfundim. U pranua vetëm shpërndarja e parlamentit, që më parë ishte shpallur si një kërkesë antikushtetuese.

Përpjekjet që Ibrahim Pasha bëri për ta trajtuar Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912 si një lëvizje lokale, që i përkiste vetëm Kosovës, dështoi përballë këmbënguljes së Hasan Prishtinës e Bajram Currit në kërkesat e përgjithshme kombëtare. Megjithatë kjo platformë kombëtare nuk u përkrah nga elementët e lëkundur dhe u kundërshtua hapur nga elementët turkomanë, të Prishtinës. Përfaqësuesit e krahinave të tjera nuk kishin arritur ende. Ndërkaq Ibrahim Pasha punoi për të përçarë udhëheqjen e kryengritjes, për ta bindur atë se kërkesa për autonomi ishte e rrezikshme për fatet e trojeve shqiptare dhe për vetë fatet e kombit shqiptar, në një kohë kur Aleanca Ballkanike po kristalizohej dhe po bëhej gati të fillonte veprimet ushtarake. Një propagandë e tillë i bëri të lëkundet jo vetëm Riza bej Gjakovën, por edhe Isa Boletinin. Për të përçarë udhëheqjen e kryengritësve, punonte në mënyrë të ethshme edhe agjentura serbe.

Për t’iu shmangur ndikimit të elementëve turkomanë të Prishtinës në ecurinë e bisedimeve, udhëheqësit e kryengritjes u zhvendosën më 4 gusht në Ferizaj. Ata deklaruan me këtë rast se qendra e mbledhjeve tradicionale të shqiptarëve nuk është Prishtina, por Ferizaj. Në të njëjtën kohë Hasan Prishtina përsëriti thirrjen që i drejtohej gjithë krahinave të Shqipërisë që të dërgonin përfaqësuesit e tyre në kuvendin mbarëshqiptar që mendohej të mblidhej atje.

Më 5 gusht qeveria e shpërndau parlamentin. Duke u ndodhur në një gjendje të vështirë, veçanërisht për shkak të mungesës së një qëndrimi të njësuar rreth platformës më të përparuar kombëtare, që i ishte paraqitur palës turke, Hasan Prishtina dhe krerë të tjerë të kryengritjes për të mënjanuar përçarjen në udhëheqjen shqiptare, paraqiti një program tjetër kërkesash, më të moderuar, i cili do të ishte më i pranueshëm edhe për Portën e Lartë. Kjo parashtresë, e njohur me emrin “Katërmbëdhjetë pikat e Hasan Prishtinës”, u miratua nga përfaqësuesit e kryengritjes shqiptare në kuvendin e mbajtur në Ferizaj me 6 gusht dhe iu paraqit palës turke.
Në këtë hap të detyruar të udhëheqjes së kryengritjes (që shënonte një tërheqje nga vendimet e Kuvendit të Junikut) ushtroi ndikimin e vet të fuqishëm edhe gjendja e acaruar ndërkombëtare (ishte në përfundim e sipër Aleanca Ballkanike), që po e çonte këtë gadishull drejt një lufte me pasoja të rënda edhe për Shqipërinë. Madje Mali i Zi kishte filluar në këtë kohë veprimet e veçanta luftarake në Veriun e Shqipërisë.

Në këto rrethana udhëheqja e kryengritjes e pa të arsyeshme që të arrihej sa më shpejt një marrëveshje me qeverinë turke, e cila t’i siguronte Shqipërisë të drejta sa më të gjera kombëtare, t’i hapte rrugën kthimit të saj në të ardhmen në një provincë autonome dhe në këtë mënyrë të çliroheshin forcat e saj njerëzore për t’iu kundërvënë agresorëve ballkanas që po përgatisnin sulmin mbi territoret shqiptare.

Në parashtesën prej 14 pikash të Hasan Prishtinës kërkohej t’i njiheshin Shqipërisë të drejta të gjera kombëtare siç ishin: emërimi në Shqipëri i nëpunësve të aftë që njihnin gjuhën dhe zakonet e vendit; kryerja e shërbimit ushtarak në Shqipëri e në Maqedoni, me përjashtim të kohës së luftës; zbatimi i ligjit të maleve për krahina të caktuara; armatosja e shqiptarëve me armë moderne; hapja e shkollave reale e bujqësore, në programet e të cilave do të përfshihej edhe mësimi i gjuhës së vendit; lejimi për hapjen e shkollave private në Shqipëri; hapja e shkollave teologjike moderne në përputhje me nevojat e vendit; mësimi i gjuhës së vendit në shkollat fillore, qytetëse dhe në gjimnazet; zhvillimi i tregtisë, i bujqësisë, i punëve botore dhe ndërtimi i hekurudhave; zbatimi i organizimit të krahinave, ruajtja e zakoneve dhe e traditave të vendit; shpallja e faljes së përgjithshme për të gjithë pjesëmarrësit e lëvizjes kundërqeveritare; zhdëmtimi i shtëpive të djegura e të shkatërruara; nxjerrja në gjyq e pjesëtarëve të kabinetit të Haki e Said Pashës.

Hasan Prishtina e paraqiti këtë program në emër të të gjithë Shqipërisë, duke pasur edhe autorizimet e lëshuara nga komitetet e Shqipërisë së Mesme dhe më pas të Jugut. 14 pikat iu bënë të njohura edhe përfaqësuesve të popullsisë serbe të cilët morën pjesë në këtë kuvend, pavarësisht se ato i nënshtroheshin politikës së Beogradit.
Kërkesat e paraqitura nga udhëheqja shqiptare ishin një hap prapa në krahasim me programin autonomist të Greçës e të Junikut, megjithatë plotësimi i tyre do të shënonte pa dyshim një hap të rëndësishëm drejt autonomisë.
Programi prej 14 pikash iu dorëzua komisionit qeveritar më 9 gusht, duke i deklaruar atij që, në rast se brenda dy ditëve ky program nuk do të pranohej, atëherë forcat kryengritëse do të marshonin drejt qendrës së vilajetit, Shkupit.
Kryengritësit e trevave të tjera dhe komitetet e tyre mbështetën kërkesat e paraqitura nga Hasan Prishtina. Komiteti i Elbasanit deklaroi në emër të njëmijë kryengritësve të mbledhur në Kryezjarr, më 10 gusht, se ata bashkoheshin me kërkesat e paraqitura nga Hasan Prishtina; ai i përcolli udhëheqjes së kryengritjes në Kosovë këtë njoftim telegrafik: “Të drejtat tona kombëtare e të ligjshme ia kena shpjegue shkëlqesis’ së tij Hasan bej Vuçiternit, ish-deputet i Prishtinës dhe e kena autorizue atë me folë ose me shkrue në emën të komitetit t’Elbasanit. Lutemi ta pranoni me këtë cilësi e të na lajmoni”. Ndërsa vendimi i Komitetit të Krujës për zgjedhjen e Abdi bej Toptanit dhe të Mustafa Asimit (Kruja) si përfaqësues të tyre në bisedimet me komisionin qeveritar erdhi me shumë vonesë. Ndërkohë krerët shqiptarë të Shqipërisë së Jugut, pasi morën njoftim me anën e Komitetit të Krujës për thirrjen e kuvendit mbarëshqiptar në Ferizaj, organizuan më 7 gusht mbledhjen e tyre në Fier, ku merrnin pjesë Ismail Qemali, Ymer pashë Vrioni, Aziz pashë Vrioni, kolonel Ismail Haki Tatzati, Izet bej Zavalani dhe të tjerë. Nga mbledhja iu dërgua Hasan Prishtinës një telegram, me të cilin ai autorizohej të fliste e të vendoste edhe në emër të Shqipërisë së Jugut. Meqë mbledhja e quajti të mjaftueshëm këtë telegram, nuk vendosi, siç kishte propozuar Ismail Qemali, të dërgonte dy përfaqësues në Kosovë. Në të njëjtën kohë u vendos që Ismail Qemali të nisej menjëherë në Stamboll për të zhvilluar bisedime me qeverinë.

Ndërkaq, fillimi i bisedimeve shqiptaro-turke dhe mundësia e plotësimit të kërkesave kombëtare të shqiptarëve ngjallën shqetësime në Beograd. Qeveria serbe, nëpërmjet emisarëve të saj dhe personelit të konsullatave në Prishtinë e në Shkup, zhvilloi në këtë kohë një veprimtari të gjerë për të nxitur përçarjen në gjirin e udhëheqjes së kryengritjes dhe për t’i bërë shqiptarët të hiqnin dorë nga kërkesat kombëtare.

Këtij qëllimi i shërbyen takimet e autoriteteve konsullore e ushtarake serbe me Riza bej Kryeziun dhe me Bajram Currin. Në një nga këto takime konsulli serb në Prishtinë, Milojeviç, u tha atyre se udhëheqësit e kryengritjes nuk duhet të merrnin asnjë vendim në bisedimet me komisionin turk dhe asnjë veprim pa u këshilluar më parë me përfaqësuesit e Serbisë. Bajram Curri kërkoi të dinte se deri ku do të shkonte përkrahja ushtarake e Beogradit në mbështetje të kryengritësve shqiptarë në rast se rihapej konflikti i armatosur me Stambollin. Ai kërkoi gjithashtu të dinte nëse do të ishte i mundshëm një takim i përfaqësuesve shqiptarë me Pashiçin për të shqyrtuar me hollësi çështjet e marrëdhënieve serbo-shqiptare.

Konsulli Milojeviç i tha Bajram Currit se shqiptarët mund të ishin të sigurt në përkrahjen e qeverisë së tij, por parapëlqeu të heshtte për kërkesën e tij për t’u takuar me Pashiçin.

 Historia shqiptare
 Rilindja Kombëtare

 

[cite]