Shumimi i bimëve me farë          Pjesa një e madhe e bimëve që kultivohen, shtohen me anën e farave. Faktorët kryesorë që ndikojnë për mbirjen dhe për zhvillimin e bimës së re janë: lagështira dhe ngrohtësia. Fara e çdo bime përmban rezerva ushqimore, që vlejnë për të ushqyer embrionin në periudhën e parë të jetës së tij. Këto lëndë ushqimore embrioni i përdor gjatë gjithë periudhës së mbirjes. Kështu, p.sh., fara e fasules përmban lëndë ushqimore që mjaftojnë për të ushqyer bimën e re, derisa ajo të bëhet 10cm e lartë. Më pas, kur bima lëshon rrënjët, lëndët e nevojshme për jetesën e saj i merr nga toka.         

Farat e bimëve të ndryshme nuk mbillen në të njëjtën thellësi. Zakonisht farat e mëdha mbillen më thellë. Kjo bëhet me qëllim që të mos zbulohen, p.sh., nga ndonjë erë e fortë ose nga shirat e rrëmbyeshme që ndonjëherë shpëlajnë sipërfaqen e tokës. Ndërsa farat që janë shumë të vogla mbillen zakonisht cekët. Këto fara përmbajnë pak lëndë ushqimore për embrionin. Duke u mbjellur cekët, bimës së re i krijohet mundësia që të dalë sa më shpejt në sipërfaqe dhe të rrisë prodhimin e lëndëve të nevojshme me anën e fotosintezës.

 

Në botën e bimëve

[cite]