Fosilet udhërrëfyese për të përcaktuar moshën
Megjithatë, rindërtimi i së kaluarës përmes shtresave shkëmbore shpeshherë është tepër i vështirë. Asnjë zonë nuk përmban në shkëmbinjtë e saj një regjistrim të plotë të historisë së të kaluarës. Shpesh erozioni ka formuar pjesërisht ose plotësisht disa shtresa, të cilat, në zonat malore mund të jenë copëtuar, përdredhur, palosur, zhytur, ngritur e ngatërruar. Disa formacione janë kaq të thella sa është e pamundur ti studiosh. Disa të tjera janë mbuluar nga dheu e nga lava. Në çdo vend shtresat fundërresore gjenden në sasira të ndryshme dhe kapë pamje të ndryshme.
Ti futesh studimit të tyre, kjo për gjeologun do të thotë tu futesh një vargu problemesh nga më të vështirat. Zgjidhja e kësaj është ajo që thotë edhe gjeologu M. Smith që gjeologu duhet të njohë fosilet. Në çdo shtresë që përmban fosile gjeologu do të gjejë medoemos disa që i njeh; këto do ti tregojnë atij atë periudhë të historisë së Tokës, së cilës i përket shtresa në fjalë. Le të mendojmë sikur shkëmbi ranor i një kodrine përmban të njëjtat specie trilobitesh që gjenden në një shtresë të caktuar të shkëmbinjve ranorë të një vargu malor, që ndodhet në një largësi prej më se një mijë kilometrash. Në këtë rast mund të mendohet se të dy këta ranorë janë depozituar gjatë së njëjtës periudhë gjeologjike. Dhe kjo do të jetë e vërtetë edhe sikur shtresat që vijnë sipër dhe poshtë shtresës ranore të kodrinës të kenë fosile të ndryshme nga ato që mund të gjenden në shtresat që vijnë sipër dhe poshtë shtresës ranore të . vargmalit që është marrë në shqyrtim. Mbasi përcaktohet mosha e një shtrese, ajo mund të shërbejë edhe për të përcaktuar moshën relative të shkëmbinjve fqinjë. Le të mendojmë se një gjeolog ka gjetur një mbulojë të vjetër lave, të mbuluar nga ana e saj pjesërisht me shtresa fundërresore, dhe vëren se shtresat e sipërme janë formuar përsipër lavës pasi ajo është ngurtësuar. Që këtej mund të mendojmë se shtresa e lavës është formuar më parë se shtresa që gjenden sipër saj dhe më vonë se shtresa që gjendet përfund saj. Nga ana tjetër, mbuloja prej lave mund të na tregojë edhe moshën relative të shkëmbinjve fundërresorë që në një farë mënyre janë në kontakt me të. Kështu punon gjeologu në një zonë të caktuar, duke vërejtur renditjen e shtresave si dhe fosilet që përmbahen në to. Pak nga pak ai zbulon kronologjinë e asaj zone, ose të paktën përcakton historinë e një pjese të saj. Duke njohur edhe historinë e disa zonave të tjera, ai plotëson pak nga pak edhe boshllëqet në historinë e zonave të përafërta. Në këtë mënyrë, dalëngadalë por me siguri, fillon të marrë trajtë e kaluara gjeologjike e një kontinenti të tërë. Historia e Tokës është e shkruar në faqe të panumërta të përbëra prej shkëmbinjsh të shpërndarë në tërë botën. Faqet nuk kanë numër, disa prej tyre nuk janë të plota dhe disa të tjera mungojnë fare. Është detyra e gjeologut dhe në të njëjtën kohë edhe kënaqësia e tij që ti vërë ato në renditjen e duhur dhe të arrijë ti lexojë.