Sotir Xhaferi

Sotir Xhaferi

shqiptar ortodoks Sotir Xhaferi ka lindur në Kamenicë të Korçës, më 22 maj të vitit 1964. Pasi mbaroi arsimin e mesëm për pikturë, ka punuar si përgjegjës i vatrës së kulturës së fshatit Kamenicë në rrethin e Korçës. Në vitet e fëmijërisë dhe rinisë së tij iu privua edukata fetare, por megjithatë, ai e kërkoi Krishtin me durim e këmbëngulje. Sotir Xhaferi kishte miqësi me Sotir Bambulin, prej të cilit u konvertua në besimin e krishterë. Në shkurt të vitit 1992 filloi Seminarin Teologjik në Durrës. Më 1 mars 1992 Sotir Xhaferi filloi mësimet e katekizmit në Katedralen e Ungjillëzimit në Tiranë. Ndonëse njohuritë e tij në besimin orthodhoks qenë të pakta, sepse kishte vetëm disa muaj që studionte në Seminar, megjithatë atë që i mësonin profesorët ua transmetonte fëmijëve. Pas vitit të parë të seminarit më 9 gusht të vitit 1992, u dorëzua në dhjak në kishën e Shën Nikollës në Kavajë nga Fortlumturia e Tij Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi. Sotiri ka qenë për tre vjet dhjaku i Kryepiskopit, detyrë të cilën e ka kryer me përkushtim dhe devotshmëri. Më 22 tetor 1995 u dorëzua prift në Katedralen e Ungjillëzimit në Tiranë. At Sotir Xhaferi ka përfaqësuar me dinjitet Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë pranë TVSH, duke pasqyruar kronikat dhe ceremonitë fetare. At Sotiri ishte i pajisur me mjaft dhunti. Me shprestarinë dhe zërin melodik, me sjelljen e gadishmërinë e tij fitoi simpatinë e besimtarëve anembanë Shqipërisë. Në ato vite TVSH ishte i vetmi televizion në Shqipëri dhe kronika fetare që transmetohej çdo të dielë në orën 12.00 kishte një audiencë të madhe. Qenë vitet e para të lirisë fetare dhe njerëzit qenë si tokë e etur për të dëgjuar rreth të vërtetave të besimit orthodhoks. At Sotir Xhaferi emisionet i përgatiste me ndihmën e teologut Dhimitër Beduli dhe pasi i mësonte përmendësh, lirshmërinë e tij në të folur ngjallte emocione tek teleshikuesit. Drejtuesi i emisionit gazetari Ferdinat Samarxhi dhe mjeshtrja e montazhit Fedra Rama kanë përshtypjet më të mira nga bashkëpunimi që kanë pasur me At Sotirin, gjatë kohës që përgatisnin emisionet fetare. Gjithashtu, si dhjakoni i parë i Kryepiskopit, At Sotiri ka pasur privilegjin e madh që të marrë pjesë në shumë aktivitete jashtë vendit. Nga datat 21 deri më 24 korrik të vitit 1995 At Sotir Xhaferi ka qenë në përbërje të delegacionit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në Patriakanën Ekumenike të Kostandinopojës. Delegacioni kryesohej prej Fortlumturisë së Tij, Anastasit, i cili shoqërohej nga përfaqësuesi i përgjithshëm arkieratik At Jani Trebicka, At Efthim Kallama, dhiakon Sotir Xhaferi dhe teologu Dhimitër Beduli. Humbja e At Sotirit dhe e priftëreshës Marjana i tronditi të gjithë besimtarët orthodhoksë. Në shërbesat e përmortshme shikoje edhe shumë njerëz të thjeshtë, që i kishin njohur e vlerësuar ata për thjeshtësinë, dashurinë dhe gadishmërinë për të ndihmuar këdo që ishte në nevojë. Gjithashtu, në këtë humbje tepër të rëndë, familjes iu gjendën pranë dhe e ngushëlluan njerëz e institucione me të cilët At Sotiri kishte bashkëpunuar në këto vite, si punonjësit e TV Shqiptar, apo të komuniteteve të tjera fetare, që ishin prezentë në ceremoninë e përmortshme.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]