Vezët e kuqe
Të Enjten e Madhe në darkë, zonjat e shtëpisë lyejnë vezët e kuqe të Pashkës. Tradita e ngjyerjes së vezëve me bojë të kuqe për Pashkë e ka zanafillën nga vitet apostolike. Menjëherë pas ngjalljes së Krishtit, njera nga gratë miroprurëse Maria Magdalena vajti tek Pilati që ta njoftonte se Krishti u ngjall. Ajo i shpuri si dhuratë një shportë me vezë. Pilati nuk e besoi që Krishti ishte ngjallur dhe iu përgjigj duke thënë: “Sa mund të bëhen të kuqe këto vezë, aq mundet që Krishti të jetë ngjallur me të vërtetë”. Si për çudinë e Pilatit, pas pak çastesh vezët qenë bërë të kuqe. Pikërisht që nga ajo kohë ngeli tradita e lyerjes së vezëve me bojë të kuqe për Pashkë. Në ditën e ngjalljes së Krishtit të krishterët i çukisin vezët duke thënë: “Krishti u Ngjall”, “Me të vërtetë u Ngjall”. Zgjedhja e vezës si simbol i Pashkës është edhe për një arrësye tjetër sepse ajo është simboli i jetës. Ashtu si zogu qëndron brenda lëvozhgës dhe kur vjen momenti e shpërthen atë, kështu edhe Krishti qëndroi tre ditë në varr dhe më pas i shkatërroi vargonjtë e vdekjes duke u ngjallur, për të vërtetuar se është Perëndi i vërtetë. Vezët lyhen me bojë të kuqe me qëllim që të na kujtojnë gjakun e Krishtit, i cili u sakrifikua për shpëtimin e njerëzimit.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Dhimitër Beduli, Pashka dhe vezët e kuqe, Ngjallja, prill 1995, faqe 12.