Viti liturgjik

Viti liturgjik

Viti liturgjik kishtar fillon më 1 shtator dhe mbaron më 31 gusht të vitit që vjen. Qëllimi i vitit kishtar është që tu kujtojë besimtarëve mësimet e Ungjillit dhe ngjarjet kryesore të Historisë së Krishtërimit. Përse vallë na duhet të kujtojmë vit pas viti të njënjtat ngjarje dhe të njënjtët shenjtorë? Kjo bëhet, sepse çdo e kremte e vitit kishtar aktualizon ngjarjen që përkujtohet. Ne jo vetëm i kujtojmë ngjarjet e së kaluarës, por i përjetojmë ato. Gjatë vitit kishtar jemi të thirrur të rijetojmë tërë jetën e Krishtit, që nga Ungjillëzimi dhe Krishtlindja e deri tek Pësimet dhe Ngjallja. Ne ecim bashkë me Krishtin nëpër rrugët e Judesë duke dëgjuar mësimet e Tij, bëhemi dëshmitarë të mrekullive të Tij, vuajmë bashkë me të gjatë pësimeve dhe festojmë me gëzim në ditën e Ngjalljes. Viti liturgjik bëhet mjeti më i fuqishëm i kishës, për t’u takuar ballë për ballë me Krishtin, duke e njohur atë me gjithë madhështinë e Tij. Kisha ortodokse ka kalendarin e saj për llogaritjen e kohës. Përmes këtij kalendari i drejton besimtarët në ciklin e lutjeve dhe të përkujtimit të shenjtit që cakton viti liturgjik kishtar.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

Besimi — Ortodoks

[cite]