Voskopoja
Voskopoja shtrihet në një trevë malore midis Gorës dhe Oparit, rreth 1200 metra mbi nivelin e detit, e rrethuar nga tri anë me male, kodra dhe brigje. Emërtimin dhe themelimin e Voskopojës studiues të ndryshëm e përcaktojnë me datime të ndryshme, më i besueshëm është ai që daton në shekullin XIV. Historia e themelimit të Voskopojës e ka zanafillën që në vitin 1330. Hani i cili ka vizituar disa krahina të Shqipërisë në vitin 1843, duke u mbështetur në një kodik të vjetër që kishte Voskopoja, të vitit 1765, shkruan se Voskopoja është ndërtuar në vitin 1383 prej një prijësi nga dera e Muzakajve. Hani lë të kuptohet se Voskopoja është ndërtuar pas rënies së Kostandinopojës më 1453, pasi shumë refugjatë u larguan dhe u vendosën në jug të Shqipërisë. Emërtimi i saj në shkrime të ndryshme ka dhe trajta të ndryshme, si Vokopolis, Moskopolis, Moskopole, Voskopojë dhe Vockopojë. Ka të ngjarë që prapashtesa -pol greqisht qytet apo sllavisht pole-fushë) të ketë çuar në emrin e sotëm. Ndërsa në popull quhej edhe Voskopop apo edhe Vockop. Banorët e parë mendohen të jenë banorët e shpërngulur fillimisht nga qyteti Voskop i vendosur në rrëzën e poshtme të fushës së Korçës, i rrënuar nga dyndjet osmane të shekullit XIV. Ishin këta që prenë shkurret e para dhe ndërtuan kishën e parë të Shën e Premtes. Shtimi më pas i kësaj popullsie u bë me njerëz të tjerë që donin t‘i shpëtonin islamizimit. Të ardhurit ishin nga Korça, Myzeqeja, Berati etj. Por ka edhe grupe etnike që endeshin në malet e Gramozit dhe të Pindit, si dhe në viset e tjera të Ballkanit me tufat e tyre të bagëtive, të cilët sollën edhe zanatet e leshpunuesve, të endjes së qilimave etj. Në shekullin e XVIII-të Voskopoja pati lulëzimin e saj më të madh me rreth 60000 banorë. Në një dokument tjetër të shkruar në Budapest në vitin 1905 përmendet se qyteti ka pasur 12000 shtëpi. Numri i madh i bazilikave, të cilat mund të merrnin deri në 1000 veta brenda, dëshmon për një bashkësi të madhe të krishterësh.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Rezarta Delisula, Voskopojë, mes shenjtorëve me sy të nxjerrë, Gazeta Shqiptare, 9 tetor 2001, faqe 11.
2-Dhori Falo, Tragjedia e një qyteti, Kotti, Korçë 1998.