Drunakuqi

Drunakuqi

(latinisht: Rhamnus frangula, Frangula alnus Miller, familja Rhamnaceae)

Përdorimi:
Droga përbëhet nga lëvoret e thata të degëve të drunakuqit (emra të tjerë janë zogia, tulkuqi, i cili është një dru i vogël, i rrallë, në pyje me lagështi, në toka argjilore silicore etj. Në kapsllëkun e shkaktuar nga pamjaftueshmëria e lëngut të tëmthit këshillohet përdorimi i drunakuqit me droga të tjera siç janë rrënjët e çikores, gjethet e senës dhe të radhiqes, gjethet e angjinares etj., rezultate të mira ato japin edhe kundër majmërisë.

Përgatitja:
Një lugë gjelle me drogë të grimcuar hidhen në një enë ku shtohet një gotë me ujë, përmbajtja lihet në qetësi 15 minuta dhe pastaj zihet për 10 minuta. Lëngu lihet të ftohet dhe kullohet. Pihet i ngrohur në mbrëmje para gjumit. Në kapsllëkun e fortë doza e mësipërme përsëritet edhe në mëngjes esëll.
Droga përdoret edhe në formë pluhuri; në këtë rast merren 1-3 gr në ditë. Lëvoret e drunakuqit duhet të përdoren të paktën 1 vit pas mbledhjes. Të ngjashme nga përmbajtja, veprimi e përdorimi me lëvoret e drunakuqit janë ato të arrçit (Rhamnus fallax), i cili është mjaft I përhapur. Në vende të freskëta dhe të thata droga e ruan veprimin për 4-5 vjet.

Burime, referenca dhe shënime:
Lista e bimëve mjekësore
Fotografia
✤ Frank Vincentz – Own work, CC BY-SA 3.0, https://commons.wikimedia.org/w/index.php?curid=3414955

[cite]