Myqet  Nga qeliza të vogla kërpudhore janë të përbëra edhe myqet. Por qeliza e mykut e ka trupin më të madh se ajo e baktereve dhe e sakaromiceteve. Pjesa kryesore e mykut përbëhet nga miceli, që është një grumbull fijezash të formuara nga qeliza shumë të degëzuara. Miceli, pas njëfarë kohe, nxjerr disa bishta shumë të hollë, që përfundojnë me një skaj të fryrë, i cili përmban sporet. Këto spore, më pas, shkëputen dhe, në sajë të tyre, riprodhohet e shtohet myku. Sporet e mykut kanë ngjyra të ndryshme: të zezë, të gjelbër, të murrme ose edhe të kaltër. Është ngjyra e këtyre sporeve që u jep ngjyrën edhe myqeve, që shpesh i shohim mbi lëndët e ndryshme ushqimore. Myku zhvillohet mbi lëndët ushqimore, si p.sh. mbi bukën, mbi mishin, mbi frutat etj. Në sajë të proceseve të fermentimit myku i shpërbën këto lëndë dhe i dëmton, e ndonjëherë i dëmton aq shumë, saqë ato nuk mund të përdoren më për t’u ngrënë. Përveç lëndëve ushqimore, myqet dëmtojnë edhe produkte të tjera si p.sh. shuallin, letrën, stofat e ndryshëm etj. Njeriu sot ka filluar të shfrytëzojë disa lloje myqesh dhe, me metoda të ndryshme, ka arritur të prodhojë prej tyre lëndë antibiotike, si p.sh. penicilinën, sintomicinën, aureomicinën e shumë të tjera, të cilat përdoren me efektivitet të lartë për luftimin e shumë sëmundjeve dhe infeksioneve.

Në botën e bimëve

[cite]