Patatja Patatja, kjo perime aq e njohur dhe aq e përhapur, e ka prejardhjen nga Amerika. Ajo hyri dhe filloi të kultivohet në Evropë në shekullin XVI, pak kohë pas zbulimit të Amerikës. Sot në botë kultivohen mbi 22 milionë hektarë me patate dhe prodhohen më tepër se 33 milionë tonë. Kontinenti që prodhon më shumë patate është Evropa. Kokrrat e patates. që zhvillohen nën tokë, janë shumë të pasura me lëndë karbohidrate, me amidon; ato përmbajnë në sasi të mirë edhe vitaminë C. Patatja përmban pak proteina, yndyrna dhe celulozë. Në shumë vende të botës kultivohet edhe një lloj tjetër patateje, që quhet patate e ëmbël. Kjo është bimë e zonave të ngrohta. Atë e solli në Evropë në shekullin XVI, Kristofor Kolombi. Kokrrat e kësaj patateje përmbajnë jo vetëm amidon, por edhe lëndë sheqerore, prandaj janë të ëmbla. Kjo patate zakonisht hahet e zier ose e pjekur në furrë. Me këtë patate gatuhen edhe ëmbëlsira. Krahas kokrrave shfrytëzohen edhe gjethet e patates së ëmbël, të freskëta, për të ushqyer kafshët shtëpiake