Pema e bushit Në grupin e bimëve dythelbore përfshihen edhe shumë pemë që dallohen për drurin e çmueshëm që kanë. Ndër to mund të përmendim edhe pemën e bushit. Kjo pemë rritet në lartësi 5-6 metra dhe jeton 200-300 vjet. Druri i saj, që ka një ngjyrë të verdhë në të çelët, ka cilësi të larta fizike e mekanike. Ai është një dru i ngjeshur, i ngurtë dhe i rëndë. Pema e bushit në vendin tonë rritet në Qafën e Shtamës, në Llogara, në luginën e lumenjve të Devollit dhe të Osumit, në një lartësi që shkon deri në 1200 metra mbi nivelin e detit Për vetitë e tij të larta, druri i bushit përdoret në industri për të përgatitur objekte speciale si p.sh. boshte, pajisje që kërkojnë qëndrueshmëri të mirë, si edhe çibukë, kuti etj. Me dru prej bushi bëhen edhe disa vegla muzikore, si p.sh. flaute, fyej etj. Pema e bushit, për bukurinë e kurorës së saj, është përdorur që në lashtësi edhe si pemë zbukurimi.