Shartimi               Shartimi është një metodë e vjetër, e njohur shekuj e shekuj më parë, por që’ përdoret edhe sot e kësaj dite për të krijuar varietete të reja pemësh. Të shartosh do të thotë që mbi trungun e njomë të një bime të vendosësh, me një teknikë të posaçme, degën e një bime tjetër. Në këtë mënyrë bima, e shartuar është e formuar nga dy bimë të ndryshme: pjesa e poshtme e saj është njëlloj bime, ndërsa pjesa e sipërme një lloj bime tjetër.            

Me anën e shartimit krijohen varietete të reja bimësh që janë të qëndrueshme ndaj sëmundjeve, që u përshtaten kushteve të ndryshme të mjedisit etj. Kështu, p.sh., duke shartuar lloje të hardhive tona mbi hardhinë amerikane, rritet qëndrueshmëria e tyre ndaj një sëmundjeje që quhet filokserë. Shartime bëhen edhe për të ndryshuar kohën e zhvillimit të bimëve. Për këtë qëllim, p.sh., shartohet dardha mbi  ftoin, për të krijuar dardhën dimërore, ose pjeshka mbi bajamen, për të krijuar pjeshkën e hershme etj. Shartimet bëhen edhe me qëllim që disa bimë t’u  përshtaten edhe mjediseve të ndryshme si, p.sh., tokave gjysmë të thata ose tokave gëlqerore etj.

 

Në botën e bimëve

[cite]