Vlera ushqimore e perimeve     Perimet janë një burim i madh lëndësh ushqyese. Pjesa më e madhe e perimeve grumbullojnë në organet e tyre lëndë të ndryshme ushqimore, si p.sh. amidon (niseshte), sheqer, vitamina e kripëra minerale të ndryshme. Perimet e gjelbra, p.sh., përmbajnë në sasi të konsiderueshme vitamina C; ato që kanë ngjyrë të verdhë, si p.sh. karrota dhe kungujt, përmbajnë karotinë; perimet që u hahen gjethet, si p.sh. spinaqi, përmbajnë hekur etj. Shumë perime, sidomos perimet bishtajore, si p.sh. fasulja dhe bizelja, janë të pasura në proteina dhe mund të zëvendësojnë fare mirë mishin.                Në perimet, lëndët ushqimore grumbullohen në organet e tyre të ndryshme. Kështu disa bimë, si p.sh. karrota, panxhari etj., i grumbullojnë lëndët ushqimore te rrënjët e tyre; disa të tjera, si p.sh. asparagu, selinoja dhe majdanozi te lastarët dhe te gjethet; ka perime, si p.sh. fasulja ë bizelja, që kanë të pasura me lëndë ushqyese farat, ndërsa disa perime të tjera, si p.sh. pjepri, kungulli etj., frutet e tyre. Por nëse pjesët kryesore të lëndëve ushqyese perimet i grumbullojnë kryesisht te një nga organet e tyre, kjo nuk do të thotë se pjesët e tjera janë të papërdorshme, sepse edhe ato përmbajnë lëndë ushqyese dhe përdoren veçanërisht për ushqimin e kafshëve shtëpiake.

 

Në botën e bimëve

[cite]