A është nxehtësia përgjigja e kësaj pyetje

A është nxehtësia përgjigja e kësaj pyetje

Për një kohë të gjatë shumica e specialistëve ishin të mendimit se planeti ynë ishte si një sferë e madhe në gjendje të shkrirë. Rrudhosja e kores së planetit shpjegohet me ftohjen e tij, porse sot janë hedhur dyshime të bazuara përsa i përket faktit nëse korja e Tokës ka qenë ndonjëherë në gjendje të shkrirë. Veç kësaj, llogaritjet kanë treguar se rrudhosja e shkaktuar nga ftohja duhej të ishte shumë e ngadalshme, po të kemi parasysh shpejtësinë me të cilën janë formuar malet. Nxehtësia, mendojnë gjeologët, është vetëm një përgjigje e pjesshme; ajo na jep përgjigje vetëm përsa u takon vullkaneve dhe, ndofta edhe palosjeve e faljeve.
Në pjesë të ndryshme të litosferës ajo mund të ketë shkaktuar një zgjerim dhe, si pasojë, të jetë bërë shkak për përkuljen ose dhe çarjen e shtresave shkëmbore. Ka të ngjarë që shkëmbinjtë më të nxehtë të kores së Tokës synojnë të ngrihen dalëngadalë, ndërsa ata më të ftohtit ulen, njëlloj siç ndodh me ajrin e nxehtë që ngjitet lart dhe vendin e tij e zë ajri i ftohtë që zbret poshtë. Po prej nga mund të vijë vallë gjithë kjo nxehtësi? Dimë që brendësia e Tokës është jashtëzakonisht e nxehtë dhe se nxehtësia synon të dalë jashtë; dimë gjithashtu se një sasi tjetër nxehtësie prodhohet nga mineralet radioaktive të litosferës, e cila, megjithatë, nuk është aq e madhe sa të shpjegojë dukuritë që thamë më sipër.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]