Atmosfera gjithnjë në lëvizje
Shtresa e gazit që rrethon Tokën është vazhdimisht e trazuar. Jo e gjithë energjia e derdhur nga Dielli mbi Tokë arrin në truallin e saj; rrezet diellore, në të vërtetë, duke kaluar nëpër atmosferë humbin një pjesë të ndriçimit dhe të nxehtësisë, që përthithen nga vetë atmosfera. Nxehtësia i detyron grimcat e ajrit që të lëvizin gjithnjë e më shpejt dhe ti largohen njëra-tjetrës; domethënë ajri rrallohet dhe, duke u bërë më i lehtë dhe më i nxehtë, synon të ngjitet mbi masat ajrore më të ftohta e më të rënda. Ja si krijohen era dhe rrymat e ajrit në atmosferë. Por atmosfera trazohet edhe për shkak të tërheqjes së ushtruar nga Hëna, që krijon batica jo vetëm në oqeane por edhe në ajër. Këto batica ndikojnë mjaft në temperaturën.
Përveç këtyre një shkak tjetër i trazimeve është rrotullimi i planetit tonë. Atmosfera synon të qëndrojë e palëvizshme ndërkohë që Toka rrotullohet; fërkimi i ajrit me sipërfaqen e Tokës shkakton disa lëvizje të shtresave më të ulëta të atmosferës, duke kushtëzuar kështu drejtimin e erërave.