Acarimi i gjendjes politike. Mbledhja e Taksimit (janar 1912)

Acarimi i gjendjes politike. Mbledhja e Taksimit (janar 1912)

Edhe pas marrëveshjeve që përfundoi me udhëheqësit e kryengritësve në vitin 1911, Porta e Lartë nuk ndërmori asnjë masë që do ta përmirësonte gjendjen ekonomike e arsimore të vilajeteve shqiptare, që vinte duke u rënduar. Ndihej mungesa e ushqimeve. Çmimi i drithit ishte 2-3-fishuar. Edhe artikujt e tjerë të konsumit të gjerë qenë shtrenjtuar. Shtimi i taksave e mbledhja me dhunë e detyrimeve shtetërore e përkeqësuan edhe më tej gjendjen. Nga ana tjetër, shqiptarët i shqetësonte edhe përgatitja për krijimin e aleancës ballkanike, konturet e së cilës po ravijëzoheshin në horizontin ballkanik.
Në këto rrethana qarqet e gjera atdhetare brenda dhe jashtë vendit filluan të mendonin për organizimin e një kryengritjeje të re, që duhej të fillonte në pranverën e ardhshme. Fillimi i luftës italo-turke (shtator 1911) që do të angazhonte një pjesë të madhe të forcave turke, krijonte kushte të favorshme për një kryengritje të përgjithshme shqiptare. Përveç kësaj, po bëhej gjithnjë e më e qartë se lufta italo-turke do të pasohej nga një luftë ballkanike, e cila do të çonte në shembjen e Perandorisë Osmane dhe do ta vinte Shqipërinë para rrezikut të copëtimit. “Aneksimi italian i Tripolit, – theksonte Ismail Qemali, – tregoi se parimi i tërësisë tokësore të Perandorisë Osmane nuk respektohej më. Tani ishte për t’u dyshuar nëse shtetet ballkanike do të qëndronin të qeta”.

Gjatë një udhëtimi që ndërmori në Evropë, në tetor të vitit 1911, Ismail Qemali, në takimet që pati në kancelaritë diplomatike të Francës, të Anglisë e sidomos të Austro-Hungarisë, u përpoq t’i bindte ato që të rishikonin politikën e ruajtjes së status quo-së në Ballkan, t’u provonte se ishte në interesin e tyre të ndiqnin një politike të re ballkanike, pjesë përbërëse e së cilës duhej të ishte edhe autonomia ose edhe pavarësia e Shqipërisë. Gjatë takimit me ambasadorin austro-hungarez në Paris, Ismail Qemali i foli për rrezikun që i kërcënohej Shqipërisë nga monarkitë fqinje. Shembja e sundimit osman në Ballkan, kur shqiptarët ende nuk njiheshin si komb më vete, i linte ata të pambrojtur përballë agresorëve të rinj. Një fat i tillë i shqiptarëve, theksoi ai, nuk ishte as në interesin e Vjenës. Ismail Qemali i propozoi Ballplacit të ndërhynte pranë Portës së Lartë dhe të kërkonte prej saj që ta njihte popullin shqiptar si “entitet etnik”. Ambasadori austro-hungarez në Paris, Sheçen, iu përgjigj Ismail Qemalit se Vjena “i jepte rëndësi të madhe ruajtjes së status quo-së territoriale në Ballkan dhe se nuk ndërhynte në punët e brendshme të Turqisë”.

Ndërkohë gjendja politike në Shqipëri vinte duke u acaruar. Gjatë vjeshtës u dendësuan kontaktet ndërmjet përfaqësuesve të viseve të ndryshme, që kishin si objekt diskutimi organizimin e kryengritjes, për sendërtimin e programit politik të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të autonomisë së vendit.
Në dhjetor të vitit 1911 deputetët shqiptarë, midis të cilëve u dalluan Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina?, duke përfituar nga kriza që kishte mbërthyer Perandorinë Osmane dhe qeverisjen e xhonturqve, kërkuan edhe njëherë zbatimin e reformave politike, ekonomike e kulturore në Shqipëri, të cilat kishin si qëllim të fundit ta shtynin Portën e Lartë të njihte kombësinë shqiptare dhe të drejtën e saj për t’u vetëqeverisur.

Në muajin janar të vitit 1912 Hasan Prishtina u përpoq të bindte Asim Beun, ministrin e Jashtëm të Perandorisë Osmane, se ishte në interesin e shtetit osman që qeveria të deklaronte zyrtarisht kufijtë e Shqipërisë. Por xhonturqit, duke menduar se kjo kërkesë do të çonte në shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria, e hodhën poshtë atë.
Përballë këtij qëndrimi të qeverisë xhonturke, deputeti i Kosovës, Hasan Prishtina, më 11 janar 1912 shpalosi dhe njëherë në parlament kërkesat kombëtare të shqiptarëve. Pasi foli për mohimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, shkeljen e të drejtave kushtetuese dhe për terrorin e pashembullt të ushtruar mbi popullsinë shqiptare, ai dënoi ashpër politikën e egër shoviniste që po ndiqte qeveria në trevat shqiptare. Hasan Prishtina e kërcënoi qeverinë me një kryengritje të re nëse nuk plotësoheshin kërkesat kombëtare të shqiptarëve.

Fjalimi i guximshëm i Hasan Prishtinës e detyroi vezirin e madh që të replikonte ashpër me të, duke e akuzuar si rebel që kërkonte t’i vinte zjarrin Perandorisë.
Në rrethet më të përparuara patriotike shqiptare po përforcohej gjithnjë e më shumë bindja se të drejtat kombëtare dhe përparimi ekonomik e kulturor i popullit shqiptar nuk mund të siguroheshin tashmë me anën e luftës parlamentare.

Përvoja e luftës trivjeçare (1909-1911) e shqiptarëve kundër regjimit xhonturk kishte provuar domosdoshmërinë e krijimit të një qendre të vetme drejtuese dhe udhëheqëse të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Përpjekja e parë për bashkërendimin e luftës së të gjitha trevave shqiptare kundër zgjedhës xhonturke u bë në Stamboll.
Pas këshillimeve, që u zhvilluan ndërmjet Ismail Qemalit dhe Hasan Prishtinës më 12 janar 1912, u vendos të mbahej një takim i një grupi personalitetesh të jetës politike shqiptare. Takimi u bë në mesin e muajit janar, nën kryesinë e Ismail Qemalit, në shtëpinë e Syrja Vlorës, në lagjen Taksim të Stambollit. Në të morën pjesë, përveç Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës e Syrja Vlorës, edhe Myfid Libohova, Esat Toptani, Aziz Vrioni, Bedri Pejani, Mustafa Kruja e të tjerë.

Mbledhja e Taksimit ripohoi përfundimin se shqiptarëve, për të siguruar të drejtat kombëtare e politike, nuk u kishte mbetur rrugë tjetër përveç organizimit të një kryengritjeje të përgjithshme. Aty u diskutua gjithashtu për aspektet organizative të lëvizjes së armatosur në Shqipëri. Rol i veçantë, sidomos në fillim të veprimeve luftarake që do të ndërmerreshin në pranverën e ardhshme, iu caktua Kosovës. Kryengritja do të shtrihej edhe në viset e tjera të vendit, megjithatë, do të ishte Kosova ajo që do të mbante peshën kryesore në rrafsh ushtarak. Organizimin e forcave kryengritëse në verilindje të Shqipërisë e mori përsipër Hasan Prishtina. Esat Toptani premtoi të merrej me organizimin e kryengritjes në Shqipërinë e Mesme dhe në Mirditë. Myfit Libohova, Aziz Vrioni e Syrja Vlora u zotuan të ngrinin në luftë çetat e Jugut.

Ismail Qemali mori përsipër të siguronte, me ndihmën materiale të kolonive shqiptare të mërgimit, armë dhe të holla (15 mijë pushkë të tipit të ri mauzer dhe 10 mijë napolona ar). Ai do të vijonte njëkohësisht përpjekjet për të siguruar mbështetjen e diplomacisë evropiane dhe të opinionit publik të jashtëm.
Nga të gjithë pjesëmarrësit e mbledhjes së Taksimit vetëm Ismail Qemali, Hasan Prishtina e ndonjë tjetër u përpoqën të përmbushnin detyrimet e tyre.

 Historia shqiptare
 Rilindja Kombëtare

 

[cite]