Afazia
(Term neurologjik – Mjekësia)

Tek afazitë bëhet fjalë për lezione në regjionin e qendrave të larta të të folurit që shfaqen në sferën dominante, ku mbi 80% të rasteve janë pasojë e ndonjë iskemie cerebrale. Tek lezionet në fushën Broca vjen deri te afazia motorike (Broca-Afazia), ndërsa te ato në fushën Wernicke vjen deri te shfaqja e afazisë sensorike (Wernicke-Afazia). Tek Broca-Afazia motorike kemi reduktim të dukshëm të të folurit dhe paraqitjen e shumë parafazive fonematike (përzierja e germave). Shenjë tjetër është reduktimi i gramatikës (agramatizëm) dhe pacienti flet shkurt dhe me hezitim (stili telegram). Melodia (prosodia) është shumë e dëmtuar, ndërsa kuptimi i gjuhës është shumë pak i prekur. Tek Wernicke-Afazia sensorike dëmtimi kryesor është në të kuptuarit e gjuhës. Të folurit është shumë i rrjedhshëm dhe i tepruar (logore), paraqiten shumë parafazi fonematike dhe semantike (në vend karrigë – tavolinë), të cilat shpiejnë në prodhimin e fjalëve të reja (neologjizma) dhe në bashkimin e fjalëve të pakuptimta zhargon (Jargon). Në gramatikë bëhen shumë gabime (paragramatizëm), ndërsa prosodia është shumë pak e dëmtuar. Tek afazia amnestike janë të ruajtura kuptimi i gjuhës, gramatikës dhe prosodia. Të folurit është i rrjedhshëm, simptomë kryesore është mosgjetja e fjalëve të duhura, e cila kamuflohet në gjuhen spontane me përshkrime rreth asaj fjale, mirëpo e cila zbulohet kur pacientin e shtyejmë të emërtojë ndonjë gjë. Lezioni është temporoparietal, në hemisferën dominante. Tek afazia globale kemi të bëjmë me një kombinim të afazisë motorike dhe sensorike me reduktim të dukshëm të të folurit, me dëmtim të madh të të kuptuarit të gjuhës, ku në shumicën e rasteve janë të mundura vetëm automatizma të gjuhës me thënien repetitive të rrokjeve. Bëhet fjalë për lezione të zgjëruara frontotemporoparietale të hemisferës dominante. Tek afazia centrale ose aferente-motorike shfaqen pengesa në përsëritjen e fjalëve, përderisa gjuha dhe kuptimi i gjuhës janë intakte. Lezioni shfaqet në fasciculus arcuatus, i cili bartë gjuhën e kuptuar nga area e Wernickës në atë të Brocës. Tek afazia transkortikale të folurit është i reduktuar, por përsëritja e fjalëve është e mundshme. Bëhet fjalë për një sindromë diskonektive, ku ndërpritet lidhja në mes regjionit të gjuhës dhe korteksit asociativ.

Portali — Neurologjia
Portali — Mjekësia

[cite]