(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Lindi në vitin 1951, në Qytetin Stalin (Kuçovë). Që në moshë të re ra në sy për sjelljet e tij «liberale». Sipas të atit, kjo qe arsyeja që u vu në shënjestër dhe u thirr në ushtri pa mbushur ende moshën. Shërbimin ushtarak u caktua të kryente në një repart afër Ardenicës. Pak kohë më vonë, e morën dhe e torturuan në Degën e Punëve të Brendshme në Lushnjë. Pas kësaj, sipas të atit, Gjergj Andoni filloi të shfaqte shenja të tronditjes psiqike. Më 31 gusht të vitit 1970 u arrestua nga Dega e Punëve të Brendshme e Fierit. Po atë ditë u shtrua forcërisht në spitalin e burgut në Tiranë. E gjithë ngjarja u zhvillua në kushte misterioze: ndaj tij nuk u hap asnjë proces gjyqësor apo mjekësor. Sipas fletëdaljes së spitalit të burgut, aty u mbajt deri më 5 dhjetor 1970 për skizofreni. Po atë ditë u transferua në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit. Me këmbënguljen e të atit në insitucionet shtetërore, Gjergj Andoni doli nga spitali. Më vonë, më 19 shkurt 1971, u mbyll në pavionin 15 të Spitalit Psikiatrik të Tiranës. Doli përfundimisht si «invalid i përjetshëm», i shkatërruar fizikisht dhe psiqikisht, e duke iu mohuar e drejta e punës deri në fund të jetës. Republika e Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Administratës së Burgjeve, Vërtetim nr. 65/4991; Republika e Shqipërisë, Spitali Psihiatrik «Dr. Filip Papajani», Elbasan, Vërtetim nr. 1113 regj.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit