ARANITI Mithat
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Jurist, shkrimtar, publicist, përkthyes, nismëtar i letërsisë dialektore. Lindi më 15 mars të vitit 1912, në Selanik, ku i ati shërbente si ushtarak i lartë. Studimet e larta i filloi në Austri e Itali. Pas një pushimi dyvjeçar pranë familjes, i rinisi studimet për jurisprudencë në Zagreb. Në shtypin e kohës («Illyria», «Bota e Re», «Revista Letrare», «Bashkimi i Kombit» etj.) u bë i njohur me pseudonimet Rrem Vogli, Jago Blini, Ja Që Hë dhe Sufi Asmon Sufës. Në vitin 1940 u emërua gjyqtar paqi në Gjirokastër. Pas një viti u trasferua në Prizren. Mori pjesë që në fillim në organizatën «Balli Kombëtar». U kthye në Ministrinë e Drejtësisë, u riemërua në Prizren dhe që andej në Elbasan, deri më 1943, kur doli në mal në radhët e çetave nacionaliste të zonës së Mallakastrës. Në gusht 1943 u zgjodh në përfaqësinë që Balli Kombëtar dërgoi në Mukje. Në fund të vitit 1943 u emërua shef personeli në Ministrinë e Drejtësisë, ku qëndroi deri ditën e arrestimit, më 21 nëntor 1944. Dënimin e vuajti në burgun e Tiranës, ku bashkë me të dënuar të tjerë, përktheu të gjithë legjislacionin dhe bazat teorike të funksionimit të shtetit. U lirua në prill të vitit 1954, por fill pas lirimit u internua (maj 1954-1960). Vdiq më 29 nëntor të vitit 1992. Vepra: «Qyfyre të Rrem Voglit, katunar pri Rrashbulle: Skica humoristike dhe publicistike» («Phoenix», Tiranë, 1996). Përkthime: Hans Krahe, «Gjuha e ilirëve» (1955); C de Simone, «Gjuha mesapishte» (1962); Hans Krahe, «Fjalor i emrave personalë ilirë të vjetër» (1929); Aleksandar Stipčević, «Ilirët, historia, jeta, kultura» (1974); Antun Mayer, «Gjuha e ilirëve të vjetër: fjalor i relikteve gjuhësore ilire» (vëll. I, II, 1957); Ludwig von Thalloczy, «Kërkime iliro-shqiptare» (vëll. I, 1916); Aleksandar Stipčević, «Bibliografia ilire» (1974); Fanula Papazoglu, «Onomastika dardane» (1964); Duje Rendić Miočević, «Lashtësia e gjallë: studime onomastike ilire» (1971); D. Garašanin, «Miscellanea Illyrica: kontribut për dokumentimin arkaik të dyndjes egjeane» (1970); Radoslav Katičić, «Illyricus Fluvius» (1970); C. Prashniker, A Schober, «Fjalor etimologjik i indogjermanishtes» (vëll. 2) etj. Agron Tufa, ADN-ja kulturore e atdhedashurisë së Mitat Aranitit, në «Start», 14 prill 2012.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]