Arkitektura në shek. VI-XV

Arkitektura në shek. VI-XV

Veprat më të rëndësishme të artit që njihen në Shqipëri nga shekujt e mesjetës i përkasin arkitekturës. Kjo shpjegohet me faktin se arkitektura ishte e lidhur me nevojat e jetës së përditshme, me banimin, mbrojtjen e vendit si edhe me nevojat e forcave politike drejtuese të kohës për vepra monumentale. Përveç kësaj monumentet e arkitekturës kanë mundur t’u qëndronin më mirë dëmtimeve të kohës sesa veprat e tjera të artit, që u shkatërruan nga luftërat e shumta.
Gjatë periudhës së mesjetës, përgjithësisht, në fushën e arkitekturës u bë një përparim i ndjeshëm në teknikën e ndërtimit. Shek. VI karakterizohet nga ndërtime masive në territorin e Shqipërisë që përfshihej në provincat e dy Epirëve dhe Prevalitanës. Mbizotëruan kryesisht ndërtimet me karakter mbrojtës, që synonin t’u bënin ballë sulmeve avaro-sllave. Perandori bizantin Anastasi I (491-518) fortifikoi qytetin e tij të lindjes, Durrësin, me tri radhë muresh, ndërtoi kështjella dhe riparoi mure qytetesh.
Periudha e Justinianit I (527-565) ishte më intensivja në fushën e ndërtimeve, sidomos të atyre me karakter ushtarak. Përveç tyre ai ndërtoi shumë kisha, ujësjellësa etj. Këtë veprimtari e bën të njohur në veprën e tij Mbi ndërtimet historiani i Justinianit, Prokopi i Qezaresë. Por gjithë këto ndërtime pjesërisht nuk janë ruajtur, ndërkaq shumica e emrave të vendeve të përmendura nga Prokopi është vështirë të identifikohen me emrat e rinj.

Fortifikimet më të rëndësishme të shek. VI janë pa dyshim muret rrethuese të Durrësit që i takojnë periudhës së sundimit të perandorit Anastasi I. Ato janë ndërtuar krejtësisht me tulla dhe kanë një gjerësi prej 3,50 metrash. Çdo 60-65 metra janë ndërtuar kulla të fuqishme pesëkëndëshe, të cilat kanë patur një lartësi prej 18 m dhe ndaheshin në tri kate me dysheme druri. Kati përdhes kishte një lartësi të dyfishtë dhe shërbente si depo. Kati i parë përbëhej nga një hapësirë e vetme e pajisur me frëngji për katapulta. Kati i dytë mbulohej nga qemere mbi të cilat ndodhej tarraca e rrethuar nga parapeti me frëngji. Muret e qytetit përshkoheshin nga një numër i madh portash, prej të cilave ruhen vetëm dy prej tyre në murin jugperëndimor. Hyrja kryesore e qytetit, e cila nuk ekziston më, duket se ndodhej nga verilindja. Sipas përshkrimit të Ana Komnenës, para kësaj porte qëndronte një statujë prej bronzi, e cila me sa duket kishte mbetur aty nga koha romake dhe i kushtohej perandorit Adrian.

Në shumë drejtime vlerat arkitektonike të Durrësit në fushën e artit të fortifikimit i kalojnë kufijtë krahinorë. Para se gjenerali i Justinianit, Belizari, të ndërtonte në Romë një tip të ri bedenash, që siguronin një mbrojtje anësore, dhe që sipas Prokopit bëri përshtypje në atë kohë, ato i gjejmë të zbatuara në kështjellën e Durrësit.
Gjatë periudhës së Justinianit vërehet një tendencë për ndërtimin e kështjellave mbi lartësinë e kodrave, përdorimi i akropoleve dhe nënndarje të tjera, që s’ishte gjë tjetër veçse kthimi në format e vjetra të periudhës helenistike apo të fortifikimeve më të hershme ilire. Shembuj të tillë ndeshen në kështjellën e Zvezdës, Zaradishtës, Çukës së Ajtojt etj. Frëngjitë fillojnë të bëhen gjithnjë e më të ngushta, hyrjet e vjetra murosen ose ngushtohen duke e bërë mbrojtjen gjithnjë e më pasive.

Një vend të rëndësishëm midis monumenteve të arkitekturës mesjetare zënë ndërtesat e kultit të krishterë. Ndërsa banesat brenda kështjellave ishin të thjeshta, përgjithësisht njëkthinëshe, ndërtimet e kultit të krishterë përbëheshin nga godina të mëdha, të tipit bazilikal ose me planimetri qendrore, prej të cilave mbizotëronte tipi i parë. Këto ndërtime ndoqën në vija të përgjithshme skemat arkitekturale të shekujve të fundit të arkitekturës romake.
Mjaft monumente kulti të kësaj periudhe janë nxjerrë në dritë nga gërmimet arkeologjike në Ohër, Amantia, Bylis, Butrint, Elbasan, Lin (Pogradec), Tiranë, Paleokastër (Gjirokastër), Tushemisht (Pogradec), Polenë (Korçë), Karbunarë (Vlorë), Pluk (Fier) etj. Deri tani janë zbuluar gjurmët e rreth 30 bazilikave, dyshemetë e të cilave në pjesën më të madhe kanë qenë shtruar me mozaikë. Vetëm në qytetin antik të Bylisit, brenda mureve rrethuese të ngritura nga Justiniani I, janë zbuluar pesë bazilika të mëdha.

Numri i madh i këtyre monumenteve, cilësia artistike e realizimit të tyre si dhe përmasat shpesh gjigante tregojnë se në trevat iliro-shqiptare, arkitektura kishtare, veçanërisht në shek. VI, kishte marrë një zhvillim të madh.
Bazilikat ishin ndërtime që kishin një shtrirje të theksuar gjatësore. Ato ndaheshin në tri hapësira kryesore (nefe) nëpërmjet një sistemi arkadash mbi pilastra apo mbi kolona dhe mbuloheshin me çati mbi kapriata druri (varianti helenistik) ose me qemere (varianti oriental).
Në anën lindore ndodhej absida ku vendosej altari, ndërsa hyrja kryesore ndodhej nga perëndimi dhe paraprihej zakonisht nga një parasallë (narteksi). Në bazilikat e mëdha kishte dhe një oborr të hapur me kolona (atrium) si dhe ambiente të tjera ndihmëse (Bazilika e Arapajt-Durrës).

Më të rralla janë ndërtesat e kultit me planimetri qendrore. Karakteristikë e tyre është ndërtimi rreth një ambienti kryesor, që ndodhet në qendër të ndërtesës. Ndryshe nga bazilikat, në këto ndërtime mbizotëron boshti vertikal kundrejt atij gjatësor. Këto ndërtesa që mbuloheshin në të shumtën e rasteve me kupolë, përbëjnë veçoritë themelore të arkitekturës bizantine në shekujt në vazhdim. Në vendin tonë deri tani janë zbuluar dy ndërtime të mirëfillta me planimetri qendrore: kisha e Linit (Pogradec) dhe Baptisteri i Butrintit, të cilat shquhen dhe për vlerat e mëdha artistike të mozaikëve të dyshemesë.

Gjatë shekujve të parë të mesjetës, që u karakterizuan nga pushtimet avaro-sllave, të cilat sollën si pasojë shkatërrimin e shumë qyteteve dhe kështjellave si dhe shndërrime të mëdha etnike në Ballkan, vihet re një rënie ekonomike dhe për pasojë edhe rënie në fushën e ndërtimeve civile apo të kultit. Në ndonjë rast shpenzimet kalojnë në favor të fortifikimeve, si në Butrint ku një pallat peshkopal mbeti i papërfunduar, ndërkohë që rindërtohet një mur mbrojtës në shek. VII. Gjurmë të tjera ndërtimesh mbrojtëse të mesjetës së hershme hetohen gjithashtu në kështjellën e Lezhës dhe të Pogradecit. Për dy shekuj vazhduan të përdoren të njëjtat monumente kulti në zonat që i qëndruan pushtimeve sllave. Riparimet apo rindërtimet janë realizuar me një teknikë të varfër, që tregon për vështirësitë ekonomike të kohës. Bazilika e madhe e Butrintit e ndërtuar në shek. VI rindërtohet në shek. IX. Gjithashtu, në shek. XI vazhdon të përdoret bazilika e Ballshit, ku mbreti Boris i bullgarëve, në vitin 865, kthehet në fenë e krishterë.

Gjatë shek. X vërehet në përgjithësi një rritje e nivelit të ndërtimeve. Kriza që u shkaktua nga inkursionet arabe në detin e Jonit dhe shfaqja e frankëve në kufijtë perëndimorë rriti rolin e Temës së Durrësit në fortifikimin e qyteteve bregdetare të Shqipërisë. Mure mbrojtëse të kësaj periudhe, të pajisura me kulla trekëndëshe dhe kontraforta, hetohen në Kaninë dhe Butrint. Në shek. X u fortifikuan gjithashtu një radhë qytetesh rreth Shkodrës, si Sarda (Shurdhahu), Drishti (Drivast) dhe Deja. Në fushën e ndërtimeve të kultit vazhdimi i traditës bazilikale hetohet në kishën e Shën Kollit në Perondi të Beratit, si dhe në bazilikën nën xhaminë e Fatihut në Durrës. Arkitektura e kultit arrin kulmin me kishën e Shën Mërisë në Labovë të Kryqit të Gjirokastrës e tipit kryq i brendashkruar me kupolë. Kjo kishë e ndikuar nga arkitektura kryeqytetase shquhet për ngritjen e saj vertikale (lartësia 17 m), për tamburin masiv mbi të cilin mbështetet kupola, si dhe për dekoracionin e pasur me tulla.
Këto elemente si dhe konceptimi i hapësirës së brendshme krijojnë ndjenjën e madhështisë. Arkitektura kishtare bizantine gjatë shekujve X-XV në Shqipëri dallohet për shumëllojshmërinë e tipave arkitektonikë duke filluar nga kishat njënefëshe, bazilikat, tipat në formë kryqi me kupolë si dhe nga tipa të tjerë ndonjëherë unikalë.

Përveç këtyre monumenteve për vlerat e tyre të veçanta arkitektonike shquhen edhe objekte të tjera të stilit bizantin, që u përkasin shekujve XIII-XIV, si: kisha e Ristozit në Mborje të Korçës, manastiri i Apolonisë, kishat bizantine të Beratit (Shën Mëria Vllaherna, Shën Triadha, Shën Mëhilli i ndërtuar në shkëmb), manastiri i Mesopotamit (Sarandë), ai i Zvernecit, kishat në fshatin Perondi të Beratit, në Kurjan të Fierit, ajo e Marmirojt në Orik të Vlorës, e Labovës në rrethin e Gjirokastrës etj. Vlera të veçanta artistike paraqet kisha e manastirit të Pojanit, e ndërtuar në shek. XIII nga perandori bizantin Androniku II. Shtyllat në oborrin e saj përbëjnë elementë të huaj që nuk gjenden në asnjë ndërtesë tjetër të këtij stili dhe që janë dëshmi e stilit romanik të përhapur në viset Veriore të Shqipërisë dhe në ato Perëndimore të bregdetit ballkanik.

Në Shqipërinë Qendrore, por më tepër në atë të Epërme lulëzoi në mesjetë edhe arkitektura romaniko-gotike, kjo sepse krahinat veriore mbetën të lidhura më shumë me kishën perëndimore, ndërsa në Durrës dhe krahinat rreth tij vepronin të dyja kishat, por kishte përparësi kisha lindore. Në kushte të tilla përveç tipave arkitektonikë të pastër kemi dhe ndikime të ndërsjellta të arkitekturës bizantine dhe asaj perëndimore. Ndikimet e arkitekturës perëndimore vërehen dhe në ato krahina ku për periudha të shkurtra erdhën sundimtarë perëndimorë.

Shembujt më të shquar nga arkitektura romaniko-gotike datohen në shek. XII-XIII. Kishat e këtij tipi në Shqipërinë e Epërme dhe Qendrore karakterizohen nga planimetritë kryesisht njënefëshe me theksim të boshtit gjatësor perëndim-lindje me absida rrethore ose drejtkëndëshe, nga përdorimi i frantonive në anët më të ngushta, nga çatitë mbi kapriata druri me rrathë mbi qemere cilindrike, si dhe nga prania e këmbanave.
Prej tyre dalloheshin për trajtimin e tyre arkitektonik monumental dhe për kërkesat artistike, kisha e Shën Serxhit dhe e Bakut pranë fshatit Shirgj të rrethit të Shkodrës, kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës, kisha e Rubikut etj., prej të cilave dy të parat ndërtuar në shek. XIII mbi bazën e ndërtimeve më të hershme, ndërsa e fundit në shek. XII. Pjesa më e madhe e këtyre kishave ka qenë zbukuruar me piktura murale.
Elemente arkitektonike karakteristike romaniko-gotike ishin të përhapura prej bregdetit të Shqipërisë së Epërme deri në Kosovë, ku kjo arkitekturë pati një lulëzim të veçantë në ndërtimet e kultit në shek. XIV, siç është kisha e manastirit të Deçanit pranë Pejës.

Banesat mesjetare i njohim më tepër nga të dhënat burimore. Ato ndërtoheshin me gurë, dru apo të ndërthurura. Çatitë mbuloheshim me furde ose me kashtë. Tjegullat përdoreshin në godinat e kultit dhe në ato të shtresave të pasura. Banesat e Shurdhahut (Sarda) të datuara në shek. XI, janë përgjithësisht dykthinëshe, si dhe të tilla me një ambient qendror midis tyre. Shtrimi i dyshemeve me pllaka guri tregon se ato duhet të kenë qenë njëkatëshe.

Gjatë shekujve XIII-XIV morën gjithashtu një zhvillim të dukshëm ndërtimet mbrojtëse, zgjerohen dhe rindërtohen muret e qyteteve dhe në disa raste rrethohen me mure edhe lagjet e jashtme (varoshet). Në këtë veprimtari u dalluan despotët e Epirit dhe më vonë fisnikët shqiptarë, si Topiajt, Balshajt, Muzakajt etj. Kështu Topiajve me qendër në Krujë dhe Pertelë u atribuohet nga Barleci ndërtimi i kështjellës së Petrelës, ndërsa Balshajve kështjella e Shkodrës. Rreth mesit të shek. XIV Karl Topia rindërton kështjellën e Krujës, ndërsa në vitin 1389 Muzakët ndërtuan Kullën e Pirgut në derdhje të Semanit.

Monumentet kryesore të arkitekturës civile në Shqipëri janë kështjellat. Tipa më interesantë paraqesin kështjellat e Beratit, Shkodrës, Lezhës, Shurdhahut, Krujës, Rodonit, Petrelës, Kaninës etj. Për një pjesë të mirë ato janë ndërtuar mbi themelet e kohës antike të herët ose të vonët, por janë rindërtuar gjatë shekujve të mesjetës. Kështjellat kryesore të vendit në gjendjen e tyre të sotme në themel u përkasin shek. XII-XV.

Mjaft kështjella dhe qytete të fortifikuara të vendit tonë ruajnë edhe sot tiparet arkitektonike të shek. XIII-XIV, kur ato u ndërtuan apo patën periudhën e lulëzimit më të madh gjatë mesjetës. Shembulli më tipik është kështjella e Beratit, muret e sotme të së cilës janë rindërtuar në fillim të shek. XIII prej despotit Mihail Engjëll Komneni, monogrami i të cilit qëndron mbi portën e parë të hyrjes. Muret rrethuese që ndjekin konturin e terrenit kanë një gjatësi prej 1 400 m dhe përforcohen nga 24 kulla me forma planimetrike dhe përmasa të ndryshme. Në pjesën më të mbrojtur të platformës së kodrës ndodhet kështjella e përforcuar nga pesë kulla. Vetë kështjella përmban edhe një ndarje tjetër më të vogël, të përforcuar me dy kulla që shohin nga oborri i kështjellës. Kjo ndarje shërbente si vend i qëndresës së fundit, por më tepër për të veçuar selinë e fortifikuar të sundimtarit nga garnizoni.
Kështjella ka një hyrje kryesore nga veriu, e cila mbrohet nga një barbakan. Përveç ndërtimeve të mësipërme, në shpatin jugor të kodrës zbritnin dy mure nga qyteti deri në lumë, duke përfshirë brenda tyre një sipërfaqe prej 6 ha nga 16 ha që zë krejt sistemi i fortifikimit të Beratit.

Brenda mureve të kështjellës ndodhej bërthama kryesore dhe më e vjetër e qytetit. Edhe sot në kështjellë ndodhet një lagje e tërë me emrin “Kala”, më e vjetra e qytetit të Beratit. Duke u zgjeruar, qytetet mesjetare dolën jashtë mureve të kështjellës, ku u formuan te këmbët e saj lagje të jashtme, “varoshet”, të fortifikuar me mure shumë të dobëta. Nganjëherë varoshi lidhej me mure me kështjellën, siç ndodhte në Lezhë, në Drisht e në vende të tjera.
Një nga fortifikimet që ka marrë trajtën themelore gjatë shek. XIII-XIV është kështjella e Shkodrës, e cila me gjithë ndërtimet dhe rindërtimet që ka njohur gjatë sundimit osman, ruan strukturën e saj të brendshme dhe të jashtme që ka pasur në ata shekuj. Sipërfaqja e brendshme e kështjellës, ndahet nëpërmjet muresh në tri oborre që komunikojnë me porta midis tyre. Oborri i tretë që zë një sipërfaqe më të vogël nga të tjerët, ndodhet në pjesën më të lartë e të mbrojtur të kodrës dhe luante rolin e një kështjelle.

Gjatë shekujve XIII-XIV vihet re rritja e lartësisë së mureve dhe sidomos të kullave. Këtë e tregojnë sidomos kullat e kështjellës së Beratit. Deri në shfaqjen e armës së artilerisë ato duhet të ishin sa më të larta, për të vështirësuar ngjitjen në to me shkallë, dhe me mure të fuqishme për t’u rezistuar makinave gurëhedhëse. Kullat ndaheshin në disa kate me dysheme druri ose me qemere. Zakonisht kati i sipërm mbulohej me qemer, mbi të cilin krijohej një platformë e rrethuar me bedena. Përveç kullave të zakonshme në kështjella ndërtoheshin dhe kryekulla (donzhone), që mund të ishin të shkëputura nga muret rrethuese dhe të zinin një vend qendror në kështjellë, mund të ishin të lidhura me muret apo krejt të veçuara. Kryekulla ishte pjesa e fortifikuar më me kujdes e një kështjelle dhe ishte e aftë t’i qëndronte një rrethimi të gjatë. Ato i hasim kryesisht gjatë periudhës së Despotatit të Epirit, si në Durrës, Butrint etj.

Gjatë shek. XIII-XIV u ndërtuan edhe kështjella më të vogla. Të tilla ishin kështjellat në grykat e disa lumenjve që mbronin skelat tregtare, si kështjella e Pirgut në grykën e Semanit, e Bregut në atë të Shkumbinit, e Rodonit në grykën e Ishmit etj. Nga këto ruhet ende sot në gjendje të mirë kështjella e Bregut. Planimetria e saj është katërkëndëshe, me nga një kullë të rrumbullakët në të katër skajet. Muret e trasha kanë përsipër bedena dhe, sikurse kullat, janë pajisur me frëngji për t`u përdorur për mbrojtjen. Brenda mureve ndodheshin ndërtesa banimi, depo ushqimesh etj.

Një tjetër tip kështjellash qenë ato që u ndërtuan në formë kullash në viset malore nga feudalë shqiptarë. Zakonisht të ndërtuara në vende strategjike, nga ana arkitektonike ato ishin të thjeshta. Gjurmët e disa prej tyre duken edhe sot në Guribardhë (Mat), në Kalanë e Lekës (Va-Spas), në kullën e Turanit (Korçë) etj.

Shek. XV shënon një epokë të re në zhvillimin e fortifikimeve, e cila lidhet me periudhën e përdorimit të armës së artilerisë dhe të përsosjes së saj. Në territorin e Shqipërisë fillojnë të gjejnë zbatim parimet moderne të fortifikimit, siç janë kullat për artileri që u quajtën “Rondelo”, të ulëta dhe me mure të fuqishme, të barabarta me lartësinë e kullave, hendeqet e fortifikuara etj. Kjo ndodhte në një kohë kur në disa vende të Evropës Perëndimore vazhdonin të ndërtonin gjithnjë e më tepër në lartësi për të vendosur sa më lart artilerinë mbrojtëse. Frymëzimet, më tepër teorike se praktike vinin nga Gadishulli Apenin. Në këtë fushë konkurruan Skënderbeu, venecianët dhe turqit, prej të cilëve këta të fundit nuk patën zhvillime të shënueshme të teorive moderne të fortifikimit në territorin e Shqipërisë. Ndërmjet shumë fortifikimeve të realizuara në këtë periudhë, përmenden fortifikimi në Kepin e Rodonit, të cilin Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e ndërtoi në vitin 1463 dhe kulla për artileri në kështjellën e Durrësit etj.

Historia shqiptare

 

[cite]