BARDHA Namik
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Inxhinier, gjeometër. Lindi më 3 maj të vitit 1912, në Prevezë të Çamërisë. Më 1933 kreu Shkollën Teknike amerikane «Harry Fultz», dega inxhinieri, në Tiranë. Mes viteve 1934-1936 punoi si gjeometër pranë seksionit të punimeve botore në Bashkinë e Peshkopisë, ndërsa në vitet 1937-1944 si gjeometër privat në qytetin e Tiranës. Pas mbarimit të luftës u emërua gjeometër në Degën Rruga-Ura, pranë Ministrisë së Punëve Botore, ndërsa më 1946 u transferua si kryetar i N.SH.N.-së së Elbasanit. Po këtë vit drejtoi punimet për ndërtimin e spitalit të Gjirokastrës. U arrestua më 27 maj të vitit 1947 si agjent i zbulimit amerikan dhe si pjesëtar i grupit «sabotator» të Kantierit të Maliqit, të «kryesuar» nga inxh. Abdyl Sharra. U pushkatua në nëntor të vitit 1947. H. Gonxhja, I. Gogaj, Sh. Bumçi, Ndihmesa e ish nxënësve dhe mësuesve të Shkollës Teknike të Tiranës për zhvillimin e vendit dhe luftën për çlirim e demokraci, Tiranë, 2006, vii, f. 246; Agim Musta, Libri i zi i komunizmit shqiptar, Tiranë, 2007, XXIV, f. 314.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]