BENUSI Zef
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Gjyqtar, prokuror, Ministër i Arsimit dhe i Kulturës (korrik-shtator 1943). Lindi më 2 shkurt të vitit 1898, në Shkodër. Studimet e mesme i kreu në Kolegjin Saverian të qytetit, kurse të lartat në Universitetin e Romës, në Fakultetin e Jurisprudencës. Pas diplomimit, më 1932 u kthye në Shqipëri dhe Ministria e Drejtësisë e emëroi anëtar të Gjykatës së Shkallës së Parë në qytetin e Korçës. Pasi disa vitesh u transferua në qytetet e Tiranës dhe të Shkodrës. Në korrik të vitit 1943 u emërua Ministër i Arsimit dhe i Kulturës. Dha dorëheqje dy muaj më vonë; paskëtaj, deri në mbarim të luftës, u mor me avokati. U arrestua në fillim të vitit 1945, me akuzën: «ka marrë pjesë në qeverin Kuislinge të Eqrem Libohovës në Dikasterin e Arësimit, tue u cilësue kështu si armik i popullit. Ka qenë edhe në Kom e internimeve». Në Gjyqin Special, të zhvilluar në muajt mars-prill të vitit 1945, meqenëse nuk ishte implikuar me asnjë lloj veprimtarie të cilësuar nga komunistët si armiqësore, u dënua vetëm me pesë vjet burg. Pas dënimit, iu sekuestrua pasuria që kishte në Tiranë (tokë dhe shtëpi). Të mbetur në mes të katër rrugëve, e shoqja me të birin, Antonin, u shtrënguan të strehoheshin tek të afërmit e tyre në Shkodër. Bëri vetëm dy vjet burg dhe kur doli në vitin 1947 punoi si punëtor krahu. Më vonë u internua edhe katër vjet të tjera (1954-1958) në Shtyllas të Fierit dhe në Kuç të Kurveleshit. Pasi mbaroi të gjithë internimin, u kthye në qytetin e Shkodrës dhe aty nga viti 1962, kur regjimi komunist bëri disa lëshime të vogla ndaj atyre që i konsideronte armiq të klasës dhe reaksionarë, u lejua të ushtronte për tri-katër vjet profesionin e avokatit në Lezhë. Vdiq në moshën 65-vjeçare. Vepra: «E drejta zakonore shqiptare». Gazeta Shqiptare, 7-8 shtator 2002.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]