BERBERI Abdulla
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Inxhinier ndërtimi. Lindi më 9 mars të vitit 1924, në Kalanë e Krujës. Kur filloi lufta, ai vazhdonte shkollën e mesme në Institutin «Leonardo da Vinci» në Romë. Më 1942, si shumë studentë të tjerë, u kthye në Shqipëri. Bashkë me Parid Deranin [shih], Petrit Berishën [shih] e Akil Bashën [shih] kishin hedhur traktet e hartuar prej krerëve të organizatës «Bashkimi Demokrat», ku bëhej thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945. U arrestua në shkurt të vitit 1946 dhe më 24 korrik të po atij viti, Gjykata Ushtarale e Tiranës e dënoi me 10 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e së drejtës elektorale si «anëtar të Legalitetit dhe për propagandë kundër lëvizjes NAÇL» dhe si «sabotator të pushtetit». U lirua në vitin 1955, dhe dy vjet më vonë arriti të marrë maturën. Mbaroi Faklutetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, por më 1967, si i «prekur» që ishte, iu lejua të punonte vetëm si murator në Ndërmarrjen e Ndërtimit. Në vitet ’70-’80 vazhdoi punë si teknik në zbatim. Vepra: «Tregime, kujtime, mendime, vjersha, përkthime e parodi» («Alte-Montecchio Maggiore», 1993). AISKK, F. 1, V. 2012, D. 1, Fl. 148.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]