(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Lindi më 20 dhjetor të vitit 1938, në fshatin Dyz të Llapit, Komuna e Podujevës. Më 1960 u arratis në Shqipëri nga ana e Ulqinit. Iu dorëzua ushtarëve të kufirit, të cilët e dërguan në Degën e Shkodrës e, pas dy ditësh biruce, në Shtëpinë e Pritjes në Shijak. Dy muaj më vonë, u tansferua në Kampin e Çermës në Lushnjë. Më 1961 përfundoi në Shtëpinë e Pritjes në Sarisalltëk të Krujës. Aty e akuzuan si agjent të udb-së, që kishte kapërcyer kufirin për t’u lidhur me «Grupin e Teme Sejkos », me monarkofashistët grekë dhe me revizionistët jugosllavë, e të gjithë bashkë me Flotën e Gjashtë Amerikane në Mesdhe. Pas një muaji hetuesie u transferua në Burgun e Vjetër të Tiranës. Në gjyqin që u zhvillua pas pak kohësh u akuzua «si tradhëtar i popullit, për veprën penale të spiunazhit në dobi të Jugosllavisë dhe në dëm të Shqipërisë» dhe u dënua me 12 vjet heqje lirie. Pas kryerjes së dënimit u lirua. U internua sërish në kampin e Çermës. Që këtu i shkroi Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ambasadës jugosllave në Tiranë për t’iu lejuar kthimi në Jugosllavi. Por meqenë se përgjigjja po vononte, vendosi të arratiset. Pas shtatë ditësh arratie, më 3 qershor 1975, u arrestua në afërsi të urës së Bunës në Shkodër. Më 16 korrik të po atij viti u dënua me 5 vjet burg. Pas lirimit më 3 qershor të vitit 1980, kërkoi të kthehet në Jugosllavi, dhe në fund të shtatorit të po atij viti, Ministria e Punëve të Brendshme ia aprovoi kërkesën. Dhe kështu më 9 tetor 1980 u kthye në Kosovë. Më 1987 kërkoi strehim politik në Norvegji, ku jeton edhe sot. Është autor i librit «20 vjet në burgjet e Enver Hoxhës: Dëshmi për periudhën prej 1959-1980», (kujtime, Berat, 1995). Nazmi Berisha – Dyzi, 20 vjet në burgjet e Enver Hoxhës: Dëshmi për periudhën prej 1959-1980, Berat, 1995; AISKK, F. 1, V. 2012, D. 1, Fl. 280.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit