BEZHANI Papa Jorgji Kosta

BEZHANI Papa Jorgji Kosta
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Klerik ortodoks. Lindi më 10 korrik të vitit 1897, në fshatin Bezhan të Kolonjës. Mësimet fillore i mori në vendlindje. Që në moshë të re shërbeu si psallt në kishën e fshatit. Në vitet 1933-1934 kreu Seminarin njëvjeçar të Tiranës, që qe hapur për përgatitjen e klerikëve. Fillimisht u emërua prift në fshatrat Çarshovë e Radovë e më vonë edhe në Bezhan, Shtikë, Skorovot, Kreshovë etj. Në prag të Luftës Italo-Greke u internua në Itali, fillimisht në Bari dhe më pas në Ankona. U lirua pas përfundimit të luftës. Pas kthimit në Shqipëri, shërbeu në fshatin Drenovë të Korçës (1941-1942). Më 6 janar të vitit 1946, ditën e Ujit të Bekuar, u arrestua në mes të meshës dhe u dënua nga Gjykata Ushtarake si «armik i popullit dhe i pushtetit popullor» dhe si «bashkëpunëtor i ngushtë me reaksionin e jashtëm e të brendshëm». Dënimin e kreu në kampin e Vloçishtit. Mbas lirimit, reforma agrare i sekuestroi gjysmën e tokës bujqësore, rreth 1000 krerë bagëti të imta, dy kafshë pune, dy mullinj bloje dhe, për pasojë, në vitin 1950 u shpall «kulak». Në këto rrethana u shtrëngua të largohet bashkë me familjen në Korçë. U emërua famullitar i fshatrave Drenovë dhe Mborje, ku shërbeu deri më 1954. Që nga kjo kohë e deri në vitin 1967 shërbeu pranë Mitropolisë së Shenjtë të Korçës. Vdiq më 17 gusht të vitit 1983. Atë Vasil Kordileva, Papa Jorgji Kosta Bezhani, në gazetën «Ngjallja», nr. 12 (179), Tiranë, dhjetor 2007, f. 9-10.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]