(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Klerik katolik, vikar kapitullar i Arkidioqezës së Durrësit. Lindi në Breg të Matës, më 19 maj të vitit 1919. Shkollën fillore e kreu në fshatin Gurëz (1927-1932). Dy vjet më vonë, më 1934, filloi Seminarin e Papnor të Shkodrës, ku vazhdoi dhe teologjinë. Më 2 shkurt 1946 u shugurua meshtar në Katedralen e Shkodrës, prej Imzot Gaspër Thaçit, dhe të nesërmen tha, po në Katedrale, meshën e tij të parë. Nga 6 nëntori i vitit 1946 e deri në mars 1952, shërbeu si ndihmësfamullitar në Tiranë, së bashku me Dom Mark Dushin [shih]. Gjatë kësaj kohe thuajse drejtoi mbledhjet dhe përpjekjet për pranimin e Statutit të ri të Kishës Katolike, sepse sipas marrëveshjes verbale Tuk Jakova-At Marin Sirdani, ai ishte ngarkuara të përfaqësonte mendimin e qeverisë. Në mars 1952 u emërua shef administrate, shef personeli e shef kulture pranë Kryesisë së Kishës Katolike në Shkodër. Më 1955 u shkarkua nga detyrat pranë Kryesisë së Kishës dhe, që nga 1 janari 1956, u la në dispozicion. Shërbeu për pak kohë si ndihmësfamullitar në Shirokë. U vu në dispozicion të ordinarit të Arkidioqezës së Shkodrës, Dom Luigj Gashit, i cili e dërgoi në Zhejë. Me propozim të ordinarit, më 28 prill 1957, u kthye sërish në Tiranë, në vend të Dom Mark Dushit. Më 12 shtator të po atij viti u zgjodh vikar kapitullar i Arkidioqezës së Durrësit. Qëndroi në famullinë e Tiranës deri në nëntor të vitit 1964, kur dhe u arrestua me akuzën se kishte blerë kontrabandë letër nga një hajdut i ndërrmarrjes shtetërore «Mihal Duri». Pas tetë muajsh hetuesie u nxorr në gjyq, ku ai paraqiti një kasetë në të cilën kishte regjistrua të gjithë bisedën e kontratës së blerjes së letrës. Për këtë arsye, pas tri ditësh u lirua, jo me pafajësi, por me një vendim gjyqi që e dënonte aq ditë burg sa kishte bërë. Meqë ndërkohë vendi i tij në Tiranë ishte zënë nga Dom Ndoc Sahatçia [shih], iu la vetëm 24 orë kohë që të bartej si famullitar në Mërqi të dioqezës së Lezhës, ku qëndroi deri në marsin e vitit 1967. U arrestua sërish më 4 korrik 1967, i akuzuar se kishte mbajtur lidhje «me spiunazhin italian dhe pikërisht me kryeagjentin Bartolini, funksionar i Ambasadës Italiane në Tiranë». Më 25 prill 1968, në gjyqin e zhvilluar në kishën e Motrave Stigmatine, tashmë të kthyer në klub rinie, u dënua me vdekje, me pushkatim, për «tradhëti të lartë ndaj atdheut» e si «agjent i Vatikanit ». Dhe, megjithëse, vuante nga kanceri në gjendrrën e qafës e për këtë arsye ishte operuar dy herë në spitalin e Tiranës, u ekzekutua me 10 maj të vitit 1968. Eshtrat e tij, bashkë me ato të Dom Mark Dushit, u gjetën 25 vjet më vonë, më 12 shtator të vitit 1993, në një fushë të Dobraçit, dhe u varrosën në Kishën e Zemrës së Krishtit në Tiranë. Është dekoruar «Martir i Demokracisë » bashkë me Dom Mark Dushin dhe Dom Shtjefën Kurtin, eshtrat e të cilit nuk janë gjetur ende. At Zef Pllumi, Rrno vetëm për me tregue, I, Tiranë, 1995, f. 353; At Zef Pllumi, Vep. cit., II, f. 16, 228-230; At Zef Pllumi, Vep. cit., III, f. 46, 89; Dr. Pjetër Pepa, Tragjedia dhe lavdia e klerit katolik në Shqipëri, Tiranë, 2007, Vol. II, f. 429- 431; Markus W. E. Peters, Përballjet e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri 1919-1996, Shkodër, 2010, 5, f. 280-281.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit