Birkat hamazon
(hebraisht)
Tekstualisht: lutja e ushqimit falënderimi, i cili bëhet pas ngrënies. Lutja apo falënderimi pas ushqimit është urdhër pozitiv biblik ashtu siç është thënë (Libri i Pestë i Moisiut 8:10): “Do të hash e do të ngopesh, do ta falënderosh Zotin tënd për tokën e pëlleshme që të dhuroi”. Tevrati nuk e ka përshkruar formën e lutjes, por atë ia ka lënë inspirimit të çdo individi. Citohet vetëm me rastin e ngrënies së bukës në një masë që e tejkalon sasinë e një ulliri, ose pas ngrënies së një shujte, por jo edhe pas kafjalli, i cili përbëhet prej brumërave. Citohet në vendin e ngrënies, madje duke qëndruar në këmbë. Nëse dikush e ka harruar lutjen e ushqimit dhe është larguar nga vendi i ngrënies duhet ta citojë atë duke qëndruar në këmbë, aty ku i është kujtuar lëshimi, para të cilit, normalisht, duhet t’i lajë duart pas ngrënies së ushqimit. Nëse dikush me qëllim e braktis vendin e ngrënies pa e bërë lutjen Birkat hamazon, pastaj pendohet dhe vendos që ta bëjë lutjen, ai duhet të kthehet në vendin e ngrënies së ushqimit dhe atje ta bëjë lutjen. Mirëpo, nëse i përmenduri e citon lutjen në vendin ku është penduar për shkak të lëshimit, llogaritet se ai e ka kryer obligimin. Lutja e ushqimit Birkat hamazon nuk bën të ndërpritet për të biseduar.